Sa kushton patriarkati?

Vetëm një në dhjetë gra në Kosovë është e punësuar, dhe një në dhjetë do të dëshironte të gjente punë. Tetë në dhjetë as nuk janë të punësuara e as nuk kërkojnë punë – ato janë dekurajuar nga kjo për shkak se tashmë janë të zëna duke u kujdesuar për fëmijët dhe të moshuarit dhe për shumë arsye të tjera. Mungesa e transportit publik e bën të vështirë që gratë nga zonat rurale të shkojnë në vendin e tyre të punës, mungesa e shkathtësive të kërkuara e bënë gjetjen e punës pothuajse të pamundshme për to, derisa kultura patriarkale në Kosovë i heq nga lista shumë profesione si të papërshtatshme për gratë. Remitencat gjithashtu mund ta zvogëlojnë gatishmërinë për pranimin e punëve me pagesë të ulët. Përveç 80% të grave joaktive, rreth 40% e burrave janë gjithashtu joaktiv, ku gjithsej përbëjnë 60% të personave në moshë madhore në Kosovë që janë të aftë për punë. Me një përqindje aq të lartë të popullatës që nuk kontribuon në aktivitetin formal ekonomik, nuk është çudi që Kosova e ka të vështirë që të zë hapin me shtetet fqinj.

Jemi fuqimisht të bindur që pabarazia gjinore nuk është vetëm çështje e barazisë, por edhe faktori kryesor që e mbanë Kosovën të paarsimuar dhe të pazhvilluar. Hendeku gjinor në rezultatet e tregut të punës është shumë më i lartë në Kosovë se në rajon. Këto dallime sugjerojnë që ekzistojnë faktorë të theksuar specifik për gjininë në këtë kontekst që luajnë rol kyç në përfshirjen e gruas në aktivitet ekonomik. Si rezultat i kësaj, niveli disproporcional i papunësisë te gratë nuk mund të zgjidhet duke kërkuar rritje të përgjithshme të punësimit. Ndikim i madh në zhvillimin e Kosovës mund të bëhet vetëm nëse politikat e shënjestrojnë në mënyrë specifike papunësinë e grave.

Ndërmarrëset femra janë me siguri kategoria më e guximshme dhe inteligjente në vend. Shumicës së grave që janë të suksesshme në biznes, përveç gjetjes së mënyrës për të arritur tek përfitimi, iu është dashur të tejkalojnë shumë pengesa tjera – paragjykimet dhe dyshimet e familjes së tyre, shokëve e shoqeve dhe ta fitojnë besimin e klientëve të biznesit.

Gratë janë duke e subvencionuar në mënyrë efektive ekonominë me mesatarisht 2-5 orë më tepër të punës pa pagesë në ditë. Mirëpo argumentet e deritashme për barazi nuk kanë arritur ë mobilizojnë opinionin publik. Shpresojmë që ky punim të bindë lexuesit që përfshirja e grave është gjë e mirë jo vetëm për gratë por edhe për burrat, duke sjellë zhvillimin aq të nevojshëm për tërë vendin.

Si pikënisje studimore, ky punim filloi duke kërkuar të masë deri në të çfarë shkalle do të rritej niveli i zhvillimit në Kosovë sikur gjysma e grave joaktive të kërkojnë punë. Për shkak të mangësisë së të dhënave, autoret nuk arritën që të kenë një shifër egzakte se sa do të rritej BPV-ja nëse do të rritej përqindja e grave në fuqinë punëtore. Edhe pse mungon një shifër e vetme, punimi paraqet dëshmi të mjaftueshme për efektet pozitive që do të kishin efekt të dukshëm për ekonominë kosovare.

Nëse gjysma e grave që nuk janë aktive (p.sh rreth 200,000) do të hynin në tregun e punës, me supozimin teorik që gjysma e tyre do të punësoheshin, një përllogaritje e thjeshtë e tregon një nivel të BPV-së 30% më të lartë se shifra aktuale e vitit 2013. Kjo përllogaritje nuk përcjell metodologji rigoroze dhe si e tillë bën tri supozime joreale: (a) që produktiviteti i grave që hyjnë në punësim do të ishte i njëjtë si mesatarja e personave të punësuar aktualisht, (b) tejkalimin e problemeve të shumta strukturore dhe (c) krijimin e 100,000 vendeve të reja të punës. Sidoqoftë, kalkulimi ilustron efektin masiv që do të kishte përfshirja e më shumë grave në aktivitet produktiv ekonomik do të ndikonte në nivelin e të hyrave në shtet dhe standardin e jetesës.

Ky punim është përkrahur nga Heinrich Böll Stiftung.

Punimi është realizuar me kontribute nga: Natalya Wallin, Rezarta Delibashzade dhe Ngadhnjim Halilaj.