Rëndësia e grupeve të interesit: Praktikat, rastet studimore dhe mësimet e nxjerra

11.11.2015 D4D

Në botën moderne, shoqatat me anëtarësi janë duke u bërë çdo herë e më të rëndësishme. Duke u rritur në madhësi, qeveritë bëhen më të shkëputura nga qytetarët e tyre, gjë që zyrtarëve ua bën më të vështirë që t’u përgjigjen nevojave të qytetarëve. Qytetarët shpesh e kanë të vështirë navigimin nëpër strukturat e gjëra qeveritare me qëllim të lobimit efektiv për ndryshime që prekin jetët e tyre. OJQ-të dhe grupet e posaçme të interesit posedojnë ekspertizën e duhur për të hapur qeveritë ndaj qytetarëve të tyre. Shoqëria civile e plotëson këtë boshllëk duke i mobilizuar qytetarët nëpër grupe më të mëdha të cilat udhëhiqen nga përfaqësues profesionalë. Këta individë kanë njohuri praktike se si të depërtojnë nëpër shtresa të qeverisë në mënyrë më efektive se sa që do të bënte një person i vetëm. Ata u ofrojnë personave të grumbulluar rreth tyre një format gjithëpërfshirës dhe koherent të qasjes ndaj qeverisë, por edhe veprojnë vet si urë mes qytetarit dhe qeverisë. Për më tepër, teksa çështjet e shtjelluara nga qeveria bëhen çdo herë e më komplekse, ata duhet të ndihmohen nga ekspertë të politikave të cilët i këshillojnë mbi mënyrën më të mirë të veprimit në situata të caktuara. Këto organizata janë përplot individë që kanë ekspertizë në fushën e tyre, që mund të këshillojnë liderët mbi ndikimin praktik të vendimeve të caktuara politike. Për individë të cilët dëshirojnë të krijojnë grupe të anëtarësisë, është me rëndësi të kuptohet se çfarë e bën një organizatë më të suksesshme në të kërkuarit e ndryshimeve se sa tjetrën. Kjo analizë kritike mund t’iu ndihmojë në vendosjen se cilat metoda duhet adaptuar dhe cilat jo, nëse dëshironi të arrini sukses si organizatë në emër të anëtarësisë. Duke pasur këtë parasysh, ky punim paraqet disa grupe anëtarësie që veprojnë nëpër rrethana të ndryshme, si dhe analizën mbi atë se çfarë i ka bërë këto grupe që të jenë prosperuese dhe ku qëndron sekreti i suksesit të tyre.

Për fat të keq, në Kosovë akoma nuk ka kulturë të anëtarësisë në shoqërinë civile, për deri sa interesat e grupeve të vogla dhe më mirë të organizuara sundojnë interesin publik. Kështu, Instituti Demokraci për zhvillim (D4D) i mbështetur nga Qendra Ndërkombëtare Olof Palme (OPIC) ka ndërmarrë një nismë për të nxitur themelimin e shoqatave me anëtarësi, dhe për të iu ndihmuar atyre për të depërtuar tek vendimmarrësit me qëllim të mbrojtjes së interesit publik.

Qëllimi i kësaj nisme është përkrahja e shoqatave me anëtarësi që kanë për synim mbrojtjen e interesit publik që ato të jenë sa më konkurruese dhe të ndikojnë në vendimmarrje po aq apo më shumë sesa grupet që shërbejnë interesat e ngushta. Shoqatat duhet të hartojnë programe dhe platforma duke përfshirë sa më shumë anëtarë në këtë drejtim për të bërë interesat e tyre sa më tërheqëse tek përfaqësuesit politik.

Ekipi i përfshirë në përpilimin e punimit: Rezarta Delibashzade, Laura Flemming, Ramadan Klisurica, Agon Maliqi dhe Rina Abazi. Redaktuar nga Leon Malazogu. Materialet e përkthyera nga R. Allen Hays dhe Emily Linden, të shkurtuara nga D4D.