Memorandumi reagues Nr. 3 – Kritere të qarta për komuna të reja

12.07.2013

Për: Kryeministrin, Zëvendëskryeministrin/Ministri dhe Zëvendës-Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal

Tema: Kritere të qarta për komuna të reja

Cc: Presidentja, Partitë Politike, Institutet Hulumtuese, Media

VEPRIMET E REKOMANDUARA

Qeveria e Kosovës duhet të vendos kritere të qarta dhe objektive për krijimin e komunave të reja. Deri sa të vendosen kritere konkrete, Qeveria nuk duhet të marrë vendim për krijimin e komunave të reja, dhe partitë politike duhet të ndalojnë premtimet populiste. Kosovarët e kujtojnë kur ne kemi pasur 80 komuna (si njësi administrative para vitit 1960). Premtimet për komuna të reja tani manipulojnë me emocionet lokale dhe ngjallin rivalitet të fortë mes lokaliteteve. Pas zgjedhjeve lokale në vjeshtë të 2013, autoritetet duhet të bashkëpunojnë me institutet hulumtuese dhe të hapim debat publik për kriteret minimale që duhet të përmbushë një zonë para se të shpallet komunë.

Në kërkimin e kritereve për komuna të reja, në këtë memorandum të shkurtër u inspiruam nga korniza ligjore e Republikës së Bullgarisë. Pavarësisht se ka dallime në mes të Kosovës dhe Bullgarisë (si për kah numri i popullatës apo madhësisë së territorit), dallimet nuk janë të mëdhsa sa i përkeet dendësisë së popullatës dhe përbërjes etnike. Ky model ofron një skicë për diskutim për të miratuar kritere të qëndrueshme për krijimin e komunave të reja.

ÇËSHTJA

Duke paraqitur kritere të qarta, procesi do të bëhej më pak politik, më i parashikueshëm dhe do të ishte një garantues për qëndrueshmërinë e çdo komune të re. Kemi hulumtuar modele se si shtetet tjera krijojnë komuna të reja dhe kemi gjetur një mësim praktik nga një shtet afër. Republika e Bullgarisë i përket një tradite të ngjashme të qeverisjes, ka një dendësi të popullatës të ngjashme si dhe një shoqëri të përzier etnikisht dhe ka arritur t’i bashkohet BE-së. Me këtë efekt, korniza e tyre ligjore mund të mos jetë plotësisht e aplikueshme, pasiqë dallimet mes Kosovës dhe Bullgarisë nuk duhet të menjanohen, sidoqoftë kjo ofron një udhëzues të mirë në krijimin e komunave të qëndrueshme dhe efektive.

Ligji për Administrimin Territorial të Republikës së Bullgarisë ofron qartësi legjislative mbi këtë çështje. Neni 8 rregullon kushtet që një territor duhet të përmbushë para se të kërkojë statusin e një komune të re. Kriteret e Bullgarisë janë si më poshtë:

1) Më tepër se 6000 banorë;

2) Prania e një qendre tradicionale me infrastrukturën shoqërore dhe teknike, për të ofruar shërbime për popullatën;

3) Duhet të përfshijë të gjitha vendbanimet fqinje të cilat nuk mund t’i bashkohet një komune tjetër;

4) Largësia më e madhe rrugore dhe e transportit të vendbanimit nga qendra e komunës të mos kalojë 40 km;

5) Të dëshmojë kapacitete për financimin e shpenzimeve nga të ardhurat vetanake, në shumën jo më pak se gjysma e mesatarës për komuna, siç është e parashikuar me buxhetin kombëtar, të aprovuar për vitin përkatës.

Teksti më lartë duhet të shihet vetëm si inspirim për llojet e kritereve që Kosova duhet t’i marrë parasysh. Mund të shqyrtohen edhe kritere tjera: (a) distancë minimale nga selia e komunës amë, (b) llojshmëria e popullatës, (c) lidhjet infrastrukturore apo barrierat gjeografike. Kosova duhet të hap një debat publik për këtë çështje dhe të parandalojë që një proces kaotik të nxisë garë populiste në mes të partive. Për zonat e minoriteteve, pragu mund të jetë më i ulët, sepse diversiteti poashtu duhet të shërbejë si kriter.

OPSIONET

Nëse nuk ka kritere të qarta ose nëse ato aplikohen në mënyra të ndryshme varësisht nga motivi politik, procesi do të jetë i dëmshëm. Përderisa nuk ka asnjë garanci që zbatimi i këtyre kritereve do krijojë komuna të suksesshme, gjasat për të realizuar janë shumë më të mëdha kur i krahasojmë me një proces të pakontrolluar. Krijimi i komunave me stimulim politik do të nxisë një ndjenjë të padrejtësisë, do të krijojë kufijtë politik, ndarje më të mëdha shoqërore, retorika populiste, manipulim të zgjedhjeve, manipulim i kufijve zgjedhor për përfitime afatshkurtëra. Më e keqja, duke krijuar komuna në një mënyrë kaotike mund të shërbejë për qëllime politik por do të jetë jetë-shkurtër sepse deri në 45 zona të reja mund të kërkojnë statusin e komunës. Autoritetet qendrore nuk do të jenë në gjendje të ballafaqohen me afro 70 komuna drejtpërdrejtë, dhe shpejt do të bëhej e domosdoshme krijimi i shtresës së tretë të qeverisjes, atë të rajoneve me implikime tjera për vendin.

Miratimi i kritereve strikte garanton një sistem të qëndrueshëm të qeverisjes lokale për Kosovën. Kërkesat e përcaktuara mund të garantojnë vetë-qeverisje në mënyrë të qëndrueshme, efikase në të mirë të demokracisë për të gjithë vendin. Me qëllim për të zbatuar këtë model të kritereve në Republikën e Kosovës, autoritetet duhet që ta ndalin përkohësisht krijimin e komunave të reja deri kur ky model mund të adoptohet dhe aplikohet në Kosovë. Nëse kriteri është i inkorporuar në zhvillimin e komunave të reja në Kosovë, atëherë ka mundësi më shumë të kemi vetë-qeverisje të shëndoshë dhe të qëndrueshëm në tërë vendin.

ZBATIMI

Menjëherë

Të ndalet procesi i krijimit të komunave të reja në mënyrë që të zhvillohen dhe zbatohen kritere objektive. Të krijohet një grup punues dhe të iniciojë debat të hapur për kriteret për komuna të reja.

Pas zgjedhjeve lokale

Të hartohet drafti i parë që amandamenton Ligjin për Kufijtë Administrativ. Amendamenti të hedhet në diskutim publik dhe të procedohet ligji i amandamentuar në procedurë parlamentare.

“Ky reagim është realizuar me përkrahjen nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO?K) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF)”. Përmbajtja e këtij reagimi është përgjegjësi e D4D-së dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i SCO?K?së apo KCSF?së.