Memorandumi reagues Nr. 1 – Reagimi i tepruar i policisë

21.12.2012

Për: Kryeministrin, Ministrin e brendshëm

Nga: Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D)

 VEPRIMI I REKOMANDUAR

Duhet të hetohet reagimi i tepruar i policisë drejtuar protestuesve të Lëvizjes Vetëvendosje, të niset një hetim i nivelit të lartë dhe të merren masa adekuate dënimi. Domosdo duhet identifikuar hallka që ka urdhëruar përdorimin e forcës së tepruar. Duhet të bëni deklaratë publike që thekson të drejtën e secilit për të protestuar, dhe faktin që kjo e drejtë do të mbrohet pavarësisht nga opinioni që kanë. Duhet të distancoheni nga dhuna e shfrenuar e panevojshme që i ngjan vetëm regjimeve autoritare. Vetëm një qasje e tillë siguron rikthimin e kredibilitetit dhe legjitimitetit të policisë dhe kontribon në uljen e ndasive shoqërore dhe politike.

ÇËSHTJA

Pavarësisht nga numri i vogël i protestuesve, demonstrata e Vetëvendosjes në tetor shkundi vendin. Serioziteti dhe ndjeshmëria për shkak të procesit të dialogut është e kuptueshme, por qeveria është dashur të ndërhyjë vetëm për të qetësuar situatën dhe të udhëzojë policinë të reagojë në mënyrë profesionale. Është dashur që situata të menaxhohet në mënyrë më të kujdesshme dhe më të rregullt. Është në interesin e të gjithëve që policia të jetë efektive, por, në të njëjtën kohë, profesionale.

Policia ka përfunduar hetimin e saj dhe gjeti se kompetencat nuk janë tejkaluar. Kjo shpie në përfundimin se nuk është përdorur forcë e tepruar, e cila bien në kundërshtim me atë që ka parë publiku kosovar. Ngritet shqetësimi ushtrimi i brutalitetit tani e tutje do të jetë një dukuri normale në Kosovë.

Lehtë fitohet përshtypja që policia është udhëzuar që të turpërojë Vetëvendosjen. Dhuna ndaj deputetëve shkaktoi shqetësimin e shumicës dhe jo vetëm të përkrahësve të Vetëvendosjes. Në radhët e mbështetëseve të koalicionit qeverisës, mund të ketë të tillë që duartrokasin zvarritjen në rrugë të një deputeti kundërshtar, por kjo shqetëson publikun dhe shton nervozë në mesin e mbështetësve të Vetëvendosjes.

E vërtetë apo jo, perceptimi se këto veprime agresive ishin rezultat i një politike të planifikuar do të shpie në ndarje më të mëdha në vend, gjë që është e panevojshme dhe e rrezikshme. Mund të imagjinoni efektin e zgjedhjeve të manipuluara në këtë ambient të tensionuar dhe të polarizuar. Përbërës për dhunë politike ka mjaft dhe nuk duhet kontribuar më shumë në këtë drejtim, sidomos jo nga autoritetet.

Dukej se deputetët dhe aktivistët e Vetëvendosjes qëllimisht synonin të provokonin forcë të tepruar nga policia. Megjithatë, kjo nuk arsyeton reagimin e policisë. Policia ka përgjegjësi publike shumë më të madhe se një grup politik – ka një funksion publik i cili mbështetet me paratë e taksapaguesve.

D4D-ja nuk ka mbështetur kauzën e protestës së VV-së dhe haptazi ka dalë me qëndrime tjera për dialogun. Megjithatë, ne jemi edhe më këmbëngulës në mbrojtjen e të drejtës së secilit që ka kundërshtim dhe mospajtim publik. Në këtë aspekt, sjellja e policisë dhe mungesa e reagimit qeveritar ishte e neveritshme.

Nuk është sjellja e VV-së ajo që dëmton legjitimitetin e policisë, por janë vetë rregullat e angazhimit të policisë. Nëse kjo vazhdon, atëherë policia do të humbë respektin edhe ndër grupe tjera dhe ndoshta herën tjetër mund të jemë dëshmitarë se si tifozët dhe grupe tjera trajtojnë policinë me përbuzje dhe i sfidojnë duke shpier në cënim të sigurisë publike.

Meqenëse turma e protestuesve ishte e vogël, policia ka mundur të:

a) Formojë një perimetër të sigurtë përreth ndërtesës së qeverisë, duke parandaluar dëme të ndërtesës së qeverisë;

b) Bëjë përzgjedhjen e protestuesve më problematik dhe të vendos ata në furgona të policisë pa dhunë, dhe turpërim.

Rezultati përfundimtar i këtyre taktikave të policisë do të kishte qenë një protestë më e qetë dhe e rregullt, që do të kishte kontribuar më pak në polarizim dhe ndasi.

OPSIONET

Ky reagim i dërgohet kreut politik të vendit për shkak të natyrës politike të problemit dhe implikimeve të gjera potenciale. Ne rekomandojmë që Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm të sigurojnë që hetimi i filluar nga inspektorati policor të jetë i plotë, pa ndërhyrje politike, dhe të shpie në masa të rrepta ndaj keqbërësve. Nëse urdhrat u dhanë nga niveli politik, duhet të ngritët niveli i hetimit. Kjo do të forconte besimin e publikut në shtetin ligjor me respekt ndaj diversitetit të mendimit, detyrave të zbatuesve të ligjit dhe në mostejkalimin e kufijve të këtyre detyrave.

Përfundimi i këtij hetimi duhet të rezultojë me largimin e një zyrtari të lartë, politik apo policor, i cili del se ka pasur përgjegjësi për forcë të tepruar, qoftë duke urdhëruar atë drejtpëdrejtë apo për shkak të neglizhencës. Kjo mund të nxisë reagime të ashpra në radhët e policisë apo në qeveri por do të komunikojë një qasje që nuk toleron brutalitet apo ndërhyrje politike.

Deri tani ju keni vendosur që të mos reagoni fare, por kjo sigurisht që do të rrisë ndarjet në vend. Si rezultat protestat e VV-së mund të mbahen më rrallë, por do të jenë më të dhunshme. Ky është opsioni më i rrezikshëm, megjithëse mund t’ju përshtatet të gjitha grupeve politike që duan ta përshkallëzojnë situatën. Vini re që mjaft analistë mendojnë që është pikërisht ky skenar që i përshtatet jo vetëm Vetëvendosjes por edhe PDK-së. Nëse nuk është kështu, i takon kreut të qeverisë që të përgënjeshtrojë këtë. Shumica e kosovarëve nuk pajtohen me një mjedis të tensionuar, të polarizuar dhe të ndarë politikisht. Ata dëshirojnë të shihnin evoluimin e një Kosove ndryshe, më të mirë, dhe më të qëndrueshme, të cilën e meritojnë.

ZBATIMI

Menjëherë

Qartësoni nëse zinxhiri komandues i policisë është i mbrojtur nga ndikimi politik dhe shpjegoni arsyen pse policia zgjodhi veprimet që i zgjodhi në ditën e protestës. Mbështesni hetimin policor të nisur nga Inspektorati Policor i cili mbledh të dhëna si dhe ngrini nivelin e hetimit, nëse është e nevojshme.

3-6 muaj

Publikoni rezultatet paraprake të hetimit në një konferencë të përbashkët për shtyp të qeverisë dhe policisë, rikonfirmoni të drejtën për të protestuar dhe, brenda institucioneve, vazhdoni përgatitjet për të marrë masa pas publikimit të rezultateve përfundimtare. Policia duhet të trajnohet dhe përgjegjësit politik të kritikohen publikisht apo të largohen.

1 vit

Vlerësoni rezultatet dhe përcjellni nivelin e besimit në polici siç matet nga pulsi publik dhe nga sondazhe tjera publike. Vlerësoni reagimin gjatë protestave tjera gjatë vitit për të matur nivelin e kredibilitetit të policisë në publik.