Forumi Reforma: Rekomandimet për Zgjedhjen e Presidentit të Kosovës

12.12.2011 D4D
  • Nominimi i kandidatëve për president (përfshirë kandidatët e partive politike) duhet të bëhet me nënshkrime nga së paku 1% e trupit elektoral nga së paku 5 komuna, me minimum 2,000 nënshkrime nga secila nga 5 komunat ku kandidati vendos të marrë nënshkrimet.
    Duke pasur parasysh që numri i votuesve do të shkojë duke u rritur dhe në mënyrë që të sigurohemi që të kemi kandidatë serioz për postin e të parit të vendit, marrja e përkrahjes përmes nënshkrimeve për kandidaturë duhet të bazohet në përqindje të elektoratit. Një prej opsioneve të propozuara prej 15,000 nënshkrimeve, mundet që pas një kohe të paraqesë më pak se sa 1% e numrit total të votuesve (bazuar në zgjedhjet e fundit), prandaj kjo shifër është mjaft e vogël në mënyrë që sigurohet një kandidaturë serioze. Mbledhja e nënshkrimeve duhet të vlejë edhe për kandidatët që propozohen nga partitë politike në mënyrë që ata mos të jenë të favorizuar në raport me kandidatët e pavarur. Forumi Reforma pajtohet me preferencën e Komisionit Kushtetues që nënshkrimet e votuesve të jenë nga së paku 5 komuna, por duhet specifikuar që nga secila komunë të mbledhin së paku 2,000 nënshkrime në mënyrë që të pamundësohet marrja e shumicës së nënshkrimeve nga vetëm një komunë, ndërsa në katër komuna tjera të merren vetëm një numër simbolik i nënshkrimeve sa për të përmbushur kriterin.
  • Kandidati për president të vërtetohet se ka qenë rezident permanent i Kosovës në 5 nga 10 vitet e fundit por jo pesë vite të vazhdueshme.
    Forumi Reforma konsideron që është e nevojshme që kandidati potencial për president duhet të ketë jetuar në Kosovë së paku 5 nga 10 vitet e fundit, megjithatë nuk është e domosdoshme që këto 5 vite të jenë konsekuente. Është e rëndësishme që një President të ketë jetuar të paktën për një kohë në Kosovë dhe të jetë mishëruar me problemet dhe brengat e kosovarëve, por Kosova duhet të ofrojë lehtësi pak më të mëdha sesa shumica e vendeve tjera për shkak të lëvizjeve demografike, migracionit dhe zhvendosjeve në dy dekadat e fundit.
  • Në rast të dy shtetësisë, kandidati i sapo zgjedhur President duhet të heq dorë nga shtetësia tjetër para betimit.
    Forumi Reforma konsideron që Presidenti i vendit duhet të ketë vetëm nënshtetësinë e Kosovës. Megjithatë, një kandidati për president nuk duhet t’i kërkohet heqja e nënshtetësisë para kandidimit sepse nëse nuk zgjedhet president do të ishte e padrejtë që si qytetar i thjeshtë të humbas një të drejtë që i garantohet nga Kushtetuta e Kosovës. Por, për shkak të lojalitetit ndaj vendit, këtë privilegj e humbet në rast se zgjidhet President, sepse duhet t’i shërbejë vetëm vendit në krye të të cilit zgjedhet.
  • Presidenti i sapo-zgjedhur bën betimin pranë Gjykatës Kushtetuese ku edhe e dorëzon dorëheqjen.
    Pasi që me zgjedhjet e ardhshme parlamentare Presidenti pritet të zgjedhet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga qytetarët, betimi dhe dorëzimi i dorëheqjes duhet të bëhen pranë Gjykatës Kushtetuese si përfaqësuesi më i lartë i institucionit që mbron dhe interpreton Kushtetutën. Betimi dhe dorëheqja nuk duhen të bëhen tek Kryetari i Kuvendit siç është bërë deri më tash pasi që Kuvendi nuk zgjedh më Presidentin.
  • Kandidati për President jep dorëheqje nga postet publike në momentin e kandidimit për President por e ruan të drejtën për tu kthyer në postin paraprak në rast të mos zgjedhjes si President.
    Një person në një post publik apo një shërbyes civil nuk duhet të ushtrojë detyrën e tij/saj kur kandidon për President sepse nuk duhet që të ketë përgjegjësi ndaj posteve tjera publike. Kandidati ruan mundësinë e kthimit në postin e tij po qëse nuk zgjidhet president, në mënyrë që të inkurajohen sa më shumë persona që plotësojnë kushtet dhe mbledhin nënshkrimet të garojnë pa pasur brengën e mbetjes së papunë në rast se nuk zgjidhen.
  • Presidenti të gëzojë imunitet të njëjtë me imunitetin e deputetëve Kuvendit.
    Presidenti i vendit duhet të gëzojë imunitet nga ndjekja penale dhe paditë civile për veprimet dhe vendimet brenda fushëveprimit të përgjegjësive të Presidentit. Pra imuniteti duhet të jetë i njëjtësi për deputetët e Kosovës i nxjerrë nga vendimi i Gjykatës Kushtetues dhe çfarëdo propozimi tjetër do të shkonte kundër interpretimit të Gjykatës Kushtetuese për imunitet.
  • Kryetari i Kuvendit duhet të shërbejë si ushtrues detyre i Presidentit dhe nuk duhet të kemi zv. President.
    Edhe pse Kosova po ndryshon mënyrë e zgjedhjes së Presidentit, sistemi qeverisës mbetet një sistem parlamentar. Pasi që ndryshimet nuk shkojnë në drejtim të një sistemi presidencial, në rast të mungesës së përkohshme të Presidentit pozitën e ushtruesit të detyrës së Presidentit mundet ta ushtrojë Kryetari i Kuvendit. Me zgjedhjen e drejtpërdrejtë të Presidentit, edhe në rast se do vij deri te posti vakant për një kohë të caktuar,nuk është e nevojshme shpërbërja e Kuvendit kështu që Kryetari i Kuvendit do të mund të ushtronte detyrën e Presidentit të vendit deri në zgjedhjen e Presidentit të ri. Krijimi i postit të Zv. Presidentit vetëm se do të ngarkonte buxhetin e Kosovës edhe ashtu të varfër.
  • Shkarkimi i Presidentit duhet të bëhet nga Gjykata Kushtetuese për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe vepër penale të dënueshme me 3 vite apo më shumë.
    Arsyet për shkarkimin e Presidentit të mbeten siç kanë qenë tash për ‘shkelje të rëndë’ dhe t’i lihet Gjykatës Kushtetuese që të interpretojë ‘shkeljen e rëndë.’ Mirëpo, duhet të shtohet edhe një paragraf në po këtë neni cili parasheh shkarkimin e Presidentit në rast të dënimit të Presidentit për vepër penale të dënueshme për mbi 3 vite. Presidenti i Kosovës duhet të jetë garantues i Kushtetutës të Kosovës dhe nëse vetë ai/ajo bënë shkeljet të rëndë të konsideruar nga Gjykata Kushtetuese atëherë duhet të shkarkohet mirëpo këtu specifikohet që shkelja të jetë ‘e rëndë’ sepse vetëm një shkelje e vogël e paqëllimshme nuk duhet të jetë bazë për shkarkim. Gjykatës Kushtetuese duhet t’i lihet mundësia e shkarkimit të Presidentit nëse ai/ajo bënë shkelje penale të dënueshme përmbi tri vite, sepse do të ishte e padenjë që i pari i vendit të mbajë postin e tillë duke pasur një dënim që i kalon tri vite burgim.
  • Shkarkimi i presidentit – 40 deputetë të iniciojnë, 81 deputetë e dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese ose përmes nënshkrimeve të 30,000 qytetarëve.
    Inicimi i procedurës së shkarkimit të Presidentit duhet të mbetet siç ka qenë me 1/3 e deputetëve (40 deputetë) ndërsa për procedim të lëndës në Gjykatë Kushtetuese duhet të kërkohen 2/3 e të gjithë deputetëve (81), kjo për shkak Presidenti tani zgjedhet nga qytetarët dhe do të duhej të krijohet një mekanizëm që e vështirëson rrëzimin e l Presidentit nga Kuvendi. Ndërsa me vetë faktin se qytetarët zgjedhin Presidentit drejtpërdrejtë, atyre duhet t’u lihet mundësia për të iniciuar shkarkimin e Presidentit përmes 30,000 nënshkrimeve. Në këtë rast, Forumi Reforma propozon që niveli i nënshkrimeve të përcaktohet me numër e jo me shkallë të trupit elektoral, në të kundërtën (nëse kjo do bëhej me përqindje të trupit elektoral) do të ishte ngarkesë për KQZ-në që të nxjerr listë të votuesve sa herë që një numër i caktuar i votuesve do të dëshironte të niste një peticion për shkarkim të presidentit.
  • Vendimi për shkarkim të Presidentit merret nga Gjykata Kushtetuese me 2/3 e votave dhe ai automatikisht konsiderohet i shkarkuar.
    Marrja e vendimit nga Gjykata Kushtetuese për rrëzimin e një Presidentit duhet të mbetet me dy të tretat e të gjithë gjyqtarëve (në këtë rast 7 gjyqtarë) dhe vendimi duhet të jetë vendimtar e jo këshillues për Kuvendi për arsye se Kuvendi nuk zgjedhë më Presidentin.