Sa miqësore janë partitë politike ndaj të rinjve?

27.04.2020 D4D

Sipas të dhënave të fundit të regjistrimit të popullsisë në Kosovë, të rinjtë e moshës 15 deri 24 vjeç përbëjnë një të pestën e popullsisë së përgjithshme. Shumë prej tyre janë të përfshirë në mënyrë joformale në proceset politike, si aktivizëm qytetar, por nuk janë të përfaqësuar në mënyrë formale në parlament dhe në listat e kandidatëve të partive politike. Në listat e kandidatëve të partive politike për zgjedhjet parlamentare të vitit 2019, vetëm 17% ishin të rinj deri në moshën 34 vjeçare. Në Kuvendin e Kosovës, nga 120 deputetë vetëm tre nën moshën 25 vjeçare arritën të fitojnë ulësen e deputetit.

Sipas një studimi të IDEA International[1] për trende e pjesëmarrjes në zgjedhje nëpër botë, rënia e pjesëmarrjes së qytetarëve në zgjedhje është e lidhur me rënien e besimit të të rinjve në pjesëmarrjen në zgjedhje. Kjo dukuri nuk është e shprehur në mesin e votuesve të cilët për herë të parë votojnë në Kosovë, pasi janë grup-mosha me daljen më të lartë në zgjedhje, por që lakorja fillon të bie te votuesit të cilët janë mbi moshën 25 vjeçare.[2] Në listën e votuesve në Kosovë, çdo vit hyjnë rreth 30 mijë votues të rinj. Fitimi i përkrahjes së këtyre të rinjve është pothuajse përcaktues për fituesin e zgjedhjeve. Ky potencial i madh i votuesve nuk duhet të shpërfillet nga partitë politike, por duhet të jenë në trend me preferencat e kësaj grup-moshe duke hartuar dhe promovuar politika të cilat janë atraktive dhe në interes të të rinjve.

Për të kuptuar më mirë se çfarë mendojnë të rinjtë të cilët janë të angazhuar brenda strukturave të partive politike dhe si ata e shohin të ardhmen, D4D ka zhvilluar këtë hulumtim që na shpërben për të bërë vlerësimet fillestare dhe dhënë rekomandimet e nevojshme për partitë politike që të jenë më miqësorë ndaj të rinjve.

Hulumtimi i opinionit është zhvilluar me të rinjtë e shtatë partive politike në Kosovë: LVV, LDK, PDK, AAK, NISMA, AKR dhe PSD. Gjithsej 107 persona kanë marrë pjesë në këtë anketë, ndërmjet moshës 18 dhe 33 vjeçare, prej të cilëve 72% kanë qenë burra dhe 28% gra. Pjesëmarrësit e pyetësorit kanë qenë anëtarë në partitë e tyre politike mesatarisht për 6 vite. Pyetësori është zhvilluar në mënyrë elektronike prej datës 23 deri më 31 mars 2020. Mostra e përdorur për të realizuar këtë anketë është mostër e vet-përzgjedhjes, e cila nuk është përfaqësuese as në nivel të partive politike dhe as të të rinjve të partive politike në përgjithësi. Pyetësori ka përmbajtur 22 pyetje të ndara në katër kategori të përgjithshme: pyetje të përgjithshme, rreth pjesëmarrjes së të rinjve në zgjedhje, përfshirjes në vendimmarrje, identifikimin e pengesave dhe vizionin e tyre për të ardhmen. Pyetjet kanë qenë të njëjta për të gjitha partitë politike. Të dhënat e mbledhura janë pastruar nga gabimet eventuale logjike dhe janë përmbledhur fillimisht si të përgjithshme, pastaj janë ndarë në bazë të secilit subjekt politik.

Ky raport është publikuar nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) si pjesë e projektit “Pjesëmarrja politike: Drejt angazhimit efektiv të të rinjve” që përkrahet nga National Endowment for Democracy (NED). Përmbajtja e këtij raporti është në tërësi përgjegjësi e Institutit D4D.

[1] “Pjesëmarrja në zgjedhej nëpër Botë”. International Institute for Democracy and Electoral Assistance (IDEA). Qasur në: https://www.idea.int/es/publications/catalogue/voter-turnout-trends-around-world

[2] “Pjesëmarrje në zgjedhje në mesin e të rinjve”. IFES. Qasur në:  https://www.ifes.org/sites/default/files/2016_ifes_turnout_among_youth_of_kosovo_eng.pdf