Në bazë të raportit të fundit për vitin 2021 nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) për përdorimin e Teknologjisë Informative dhe Komunikimit, në Kosovë 96.1% e ekonomive familjare kanë qasje në internet në shtëpi apo banesa, ku shpeshtësia e përdorimit të internetit disa herë gjatë ditës ishte 80%[1]. Kjo në fakt pasqyron edhe shpërndarjen e informatave në kohë rekord tek shumica e popullsisë, konkretisht tek personat e moshave 16-74 vjeç. Është thelbësore që shpërndarja e informatave të bëhet në mënyrë të drejtë dhe pa përmbajtje të informatave të gabuara apo gjysmake. Gjithashtu, përdorimi i gjuhës ofenduese, të ashpër dhe seksiste duhet të mënjanohet. Në fakt, dezinformimi dhe shpërndarja e lajmeve me përmbajtje të çrregullt bëhet në masë të madhe nga portale të ndryshme të cilat operojnë në Kosovë, por edhe nga individë të fushave të ndryshme qoftë gazetarë, apo përfaqësues të subjekteve politike të cilët kanë një ndikim të madh në grupe të caktuara.
Duke parë numrin e madh të lajmeve të shpërndara me karakteristika të tilla dhe me qëllim të identifikimit të tyre, Instituti D4D ka monitoruar fushatën zgjedhore zyrtare për zgjedhjet lokale të cilat janë mbajtur me 17 tetor 2021, si dhe periudhën e fushatës zgjedhore për raundin e dytë gjatë balotazhit që është zhvilluar nga data 8 deri më 12 nëntor. Këtu është përfshirë monitorimi i kategorive si ndasitë politike dhe gjuha e ashpër, mizogjinia dhe gjuha seksiste si dhe ndikimi i jashtëm.
Përveç fushatës zgjedhore pjesë e këtij hulumtimi janë përfshirë dhe tre muajt e fundit të vitit 2021 (tetor, nëntor, dhjetor) ku janë analizuar artikuj që kanë të bëjnë me Gjykatën Speciale, Dialogun Kosovë – Serbi dhe Covid-19. Qëllimi i këtij raporti është identifikimi i lajmeve të cilat kanë pasur synim keq-informimin e qytetarëve si dhe nxitjen e urrejtjes për individ ose grupe të ndryshme, si dhe familjarizimin e publikut me termet e keq-informimit dhe vërtetimit të lajmeve. Ky raport përmban dhe rekomandime të cilat u drejtohen mediave online, subjekteve politike, gazetarëve si dhe qytetarëve.