Politika e Jashtme e ShBA-së në Kosovë: Pasqyrë e shkurtër nga Bushi te Bideni

26.11.2021 Charles King

Angazhimi i ShBA-së në ish-Jugosllavi nuk filloi seriozisht apo nuk u shndërrua në një skemë të fuqishme të politikës së jashtme deri pas Luftës së Dytë Botërore, pikë në të cilën ky angazhim vazhdoi në dy faza. Faza e parë ndodhi gjatë Luftës së Ftohtë, nga viti 1947 deri në vitin 1991, dhe u katalizua nga Presidenti Harry Truman. Në këtë pikë Kosova ishte krahinë e Republikës Jugosllave të Serbisë, dhe kështu marrëdhëniet e saj me ShBA-në ishin të lidhura ngushtë me ato të Jugosllavisë dhe me konfliktin më të madh sovjetiko-amerikan. Por përkundër ndikimit të parimeve sovjetike në Jugosllavi, angazhimi i palëkundur i Josip Titos me një politikë mosangazhimi dhe përbuzjeje ndaj ndërhyrjes sovjetike në punët e vendit të tij krijoi mundësi për Presidentin Truman dhe etablimin e politikës së jashtme të ShBA-së për të frenuar përhapjen e komunizmit dhe të një Bashkimi Sovjetik gjithnjë e më ambicioz. Kështu nisi një politikë e jashtme ndaj Jugosllavisë që përfshinte mbështetje të qëndrueshme ekonomike dhe ushtarake që do të vazhdonte kryesisht pa ndërprerje nën administratat pasuese deri në fund të mandatit të Presidentit George H.W. Bush në vitin 1993.

Faza e dytë nisi me zgjedhjen e Presidentit Bill Clinton në vitin 1992. Bashkimi Sovjetik u shpërbë duke sjellë me vete fundin e Luftës së Ftohtë, hegjemoninë e ShBA-së dhe një ndryshim rrënjësor në politikën e jashtme amerikane. Në fokus më nuk ishte frenimi i ideologjisë dhe agresionit sovjetik, por përkundrazi ishte promovimi i një rendi botëror demokratik liberal, duke lidhur tregjet ndërkombëtare nëpërmjet rritjes së tregtisë dhe kufijve të hapur dhe duke krijuar një shoqëri globale në të cilën njerëzit kudo mund të jetonin me dinjitet dhe siguri. Theksi i ri u vendos mbi ndërtimin e koalicionit dhe ndërhyrjen shumëpalëshe, duke forcuar legjitimitetin dhe duke zgjeruar mandatin e organizatave të sigurisë si Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) dhe partneriteteve ekonomike si Marrëveshja e Përgjithshme për Tarifat dhe Tregtinë (GATT) (më vonë Organizata Botërore e Tregtisë (WTO). Vendimet e politikës së jashtme nuk vareshin më nga ruajtja e interesave tradicionalë amerikanë të sigurisë, por justifikoheshin gjithnjë e më shumë në baza humanitare. Për sa kohë që rreziku për anëtarët e shërbimit amerikan ishte i kufizuar në mënyrë të arsyeshme dhe kërcënimi për civilët mjaft serioz, ShBA-ja dukej e gatshme për të ndërhyrë.

Kjo përllogaritje shpjegon së paku pjesërisht vendimin e Presidentit Clinton për të kontribuar me mbështetje ajrore për koalicionin e NATO-s, të ngarkuar me dëbimin e forcave serbe nga Kosova, ku serbët ishin përfshirë në persekutimin sistematik të pakicës shqiptare. Duke u nisur nga përfshirja e suksesshme e NATO-s në Luftën e Bosnjës, e cila u mbështet në forcat ajrore dhe tokësore për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të parandaluar spastrimin etnik atje, Presidenti Clinton besonte se një rezultat i ngjashëm mund të arrihej në Kosovë, gjegjësisht një fitore e shpejtë në emër të humanitarizmit që përbënte pak rrezik për pjesëtarët e shërbimit të ShBA-së por premtim domethënës për një rend demokratik liberal botëror. Ç’është me rëndësi, kjo ishte hera e parë që NATO-ja u fut në një konflikt në Jugosllavi dhe në atë kohë ishte operacioni më i madh që kjo organizatë kishte ndërmarrë ndonjëherë.

Pjesëmarrja e ShBA-së në Luftën e Kosovës, që kontriboi në dëbimin e forcave serbe, shënoi pikën më të lartë të përfshirjes amerikane në Kosovë. Mbështetja ajrore amerikane u konsiderua thelbësore, por jo edhe vendimtare për suksesin e Operacionit të Forcave Aleate dhe asnjë jetë nuk ishte humbur në këtë proces. Ç’është e vërteta, ndërhyrja amerikane nën Presidentin Clinton është përgjegjëse kryesore për qëndrimin jashtëzakonisht proamerikan të Kosovë. Megjithatë, në vitet pas mandatit të Clintonit, politika e jashtme e ShBA-së ndaj Kosovës arriti një tjetër pikë kthese, duke u bërë prioritet gjithnjë e më i ulët ndërsa ShBA-ja e orientoi vëmendjen në pjesë të tjera të botës, duke përfshirë konfliktet rajonale në Lindjen e Mesme. Ndërkohë që angazhimi sigurisht nuk është ndalur, veprimet e ndërmarra kanë qenë tejet të pamjaftueshme dhe joefektive. Përballë presionit të shtuar të konkurrentëve ndërkombëtarë si Kina dhe Rusia, aspiratat e jashtme dhe sistemet antidemokratike të qeverisjes së të cilave kërcënojnë rendin liberal demokratik botëror të menduar dhe të shtyrë përpara nga një aleancë amerikano-evropiane e pas Luftës së Ftohtë, demokracitë e reja si Kosova përballen me një problem serioz si pasojë e një politike të jashtme apatike dhe të paangazhuar të ShBA-së.

Barazpesha e kësaj pasqyre do të shtjellojë politikën e jashtme të ShBA-së nën administratat e mëparshme, duke filluar me Presidentin Bush në vitin 1989 e duke vazhduar te Presidenti Trump. Më pas do të argumentojë se, në dritën e qasjeve të ndryshueshme të përdorura në të kaluarën, Presidenti Biden duhet të mbështetet në përvojën e tij të gjerë në politikë të jashtme dhe të praktikojë një skemë të modifikuar në Kosovë dhe në Ballkan nëse dëshiron të promovojë me sukses interesat e ShBA-së në Evropën Juglindore. Presidenti Biden duhet të vazhdojë të avokojë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të zhvillojë ekonominë e Kosovës me theks të veçantë në bujqësi dhe energji, të legjitimojë pavarësinë e Kosovës brenda komunitetit ndërkombëtar dhe të punojë drejtpërdrejt me administratën e zgjedhur rishtazi në Kosovë për të forcuar institucionet demokratike. Një politikë e jashtme aktive, e përshtatur në Kosovë përveç që ka qenë e vazhdueshme dhe dypartiake që nga ditët e para të Luftës së Ftohtë, qasja e tillë do të avancojë interesat tonë ekonomikë dhe të sigurisë, duke përfshirë integrimin euroatlantik të rajonit të Ballkanit, duke siguruar burimet e energjisë në rajon, duke rritur investimet rajonale dhe zhvillimin komercial, avancimin dhe forcimin e institucioneve të sundimit të ligjit në Kosovë dhe sigurimin e trajtimit të barabartë dhe qasjes në të gjitha blloqet e shoqërisë kosovare. Kjo gjithashtu do t’i dërgojë sinjal pjesës tjetër të botës për angazhimin e Presidentit Biden për të rindërtuar aleanca dhe partneritete të denigruara nga Presidenti Trump si dhe do të garantojë paqe dhe prosperitet afatgjatë në Kosovë.