• Shqip

Përfshirja e qytetarëve në vendimmarrje në nivel lokal

28.02.2023

Pjesëmarrja e qytetarëve në hartimin e politikave dhe marrjen e vendimeve është thelbësore në demokracitë liberale. Rritja e transparencës dhe llogaridhënies së autoriteteve publike, përveç që ndikojnë në përmirësimin e ofrimit të shërbimeve publike, janë të rëndësishme edhe për arritjen e standardeve evropiane të qeverisjes të mirë. Në mungesë të transparencës dhe llogaridhënies, përfshirja dhe interesimi i qytetarëve në marrjen e vendimeve zbehet dukshëm. Institut Demokraci për Zhvillim (D4D), në fund të vitit 2022 ka realizuar anketë me 1,065 respodentë në lidhje me matjen e kënaqshmërisë së qytetarëve ndaj shërbimeve komunale, përfshirjes në vendimmarrje dhe informimit të tyre. Rezultatet e hulumtimit dhe vlerësimit në bazë të vlerësimit të respodentëve, tregojnë për nevojën që autoritetet komunale të përmirësojnë politikat në disa nga fushat e trajtuara brenda këtij raporti. Ekziston një hendek i madh ndërmjet autoriteteve komunale me qytetarët në aspektin e marrjes së informatave, pjesëmarrjes në vendimmarrje dhe mos informim për organizim të dëgjimeve publike. Të gjeturat e hulumtimit të opinionit publik tregojnë për nivel të ulët të kënaqshmërisë së qytetarëve me shërbimet e pranuara nga zyrtarët komunal, si dhe në kontakte të pakta me komunën e tyre. Po ashtu, niveli i përfshirjes së qytetarëve në vendimmarrje në nivel komunal nuk është i kënaqshëm, pasi rreth 2/3 e të anketuarave kanë deklaruar se nuk janë të përfshirë në asnjë formë.