Interpretimi i besimit – Përceptimi i përfaqësimit dhe pjesëmarrjes

01.10.2013 Selatin Kllokoqi

Gjersa po zvarritemi ngadalë drejt demokracisë, duhet reflektuar nëse jemi duke lëvizur në rrugën dhe ritmin e duhur. Kemi zhvilluar një anketë për këtë qëllim e cila mund të bëhet mjet i rregullt për vlerësim dhe riparim të udhëtimit tonë drejt republikës përfaqësuese. Rezultatet e anketës nuk janë inkurajuese por ato përbëjnë një bazë për krahasime të ardhshme.

Shumica e kosovarëve nuk e shohin parlamentin si pasqyrë të shoqërisë. Shumica e respodentëve mendojnë se nuk janë të përfaqësuar dhe kanë vendosur të mos votojnë. Përveç votimit, kosovarët nuk kanë mendim të lartë për anëtarësi në grupe qytetare. Përveç anëtarësisë në grupe fetare, të gjitha llojet tjera të anëtarësive kanë rënë, që është shenjë e një deficiti të konsiderueshëm demokratik dhe mjedisi të pjekur për shprehje agresive të pjesëmarrjes publike.

Zyrtarët e zgjedhur kryesisht takohen me ithtarë të partisë. Votuesit e papërcaktuar kanë prirje të vendosin për kë të votojnë vetëm në Ditën së Zgjedhjeve, indikacion ky i një shkalle të lartë të votuesve të zemëruar. Votuesit kanë shfaqur mbështetje të fuqishme për lista të hapura dhe një shkallë të lartë të parapëlqimit për kandidatë sesa parti.

Përgjigjet sfidojnë mitin se skena politike e Kosovës është statike që shumë shpesh dekurajon partitë e reja. Vetëm gjysma e votuesve kanë votuar njëjtë nga 2007 deri 2010, që vërteton se skena nuk është stabile siç është menduar. Një e pesta ka votuar ndryshe dhe të tjerët kanë abstenuar.

Është inkurajues fakti që gjersa familjet bëhen gjithnjë më të vogla dhe më të arsimuara, kosovarët bëhen gjithnjë e më alergjikë ndaj shkeljeve dhe ndryshojnë kujt i japin votën. Grupet opozitare janë më pak antagonistë sesa mosvotuesit, por as kosovarët më të pafuqishëm nuk e kanë humbur besimin në fuqinë e votës.

Ky punim është përgatitur me kontribute nga: Ideal Hoxha dhe Rezarta Delibashzade.