Zgjedhjet cilësohen si instrumenti më demokratik për zgjedhjen e përfaqësuesve politik në vend, ku i gjithë cikli zgjedhor është i rregulluar me ligjet përkatëse të Republikës së Kosovës dhe Rregullat e Komisionit Qendror Zgjedhor, që nga shpallja e ditës së zgjedhjeve e deri në certifikimin e rezultateve. Pjesë shumë e rëndësishme e këtij procesi është fushata zgjedhore, por që me zhvillimin e teknologjisë informative dhe përdorimin e Facebook dhe Twitter është vështirë të kontrollohet vija që ndan lirinë e shprehjes me atë të cenimit për palët kundërshtare. Ky raport përfshinë monitorimin e lajmeve gjatë periudhës së fushatës zgjedhore dhe garës gjatë balotazhit në lidhje me shpërndarjen e lajmeve dhe mënyrën e informimit të qytetarëve.
Në bazë të raportit të fundit për vitin 2021 nga Agjencia e Statistikave të Kosovës për përdorimin e Teknologjisë Informative dhe Komunikimit, në Kosovë 96.1% e ekonomive familjare kanë qasje në internet në shtëpi apo banesa, ku shpeshtësia e përdorimit të internetit disa herë gjatë ditës është 80%[1]. Kjo në fakt pasqyron edhe shpërndarjen e informatave në kohë rekord tek shumica e popullsisë, konkretisht tek personat e moshave 16-74 vjeç. Është thelbësore që shpërndarja e informatave të bëhet në mënyrë të drejtë dhe pa përmbajtje të informatave të gabuara apo gjysmake. Gjithashtu, përdorimi i gjuhës ofenduese, të ashpër dhe seksiste duhet të mënjanohet. Në fakt, dezinformimi dhe shpërndarja e lajmeve me përmbajtje të çrregullt bëhet në masë të madhe nga portale të ndryshme të cilat operojnë në Kosovë, por edhe nga individ të fushave të ndryshme qoftë gazetarë, apo përfaqësues të subjekteve politike të cilët kanë një ndikim të madh tek grupe të caktuara. Ndikimi tek grupet e caktuara është edhe më i dukshëm gjatë periudhave zgjedhore, kur subjektet politike bëjnë fushatë zgjedhore të rregulluar sipas Ligjit Nr. 03/L-073 për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Ligjit Nr. 03/L-072 për Zgjedhjet Lokale. Në fakt, subjektet politike po vazhdojnë me praktikën e të bërit fushatë parazgjedhore edhe pse kjo e fundit nuk është e rregulluar me ligjet e lartë cekura të cilat janë në fuqi. Përveç subjekteve politike, mediat janë ato të cilat kanë rolin esencial në shpërndarje të informatave, e që jo rrallë herë ndodh që shpërndarja e lajmeve të jetë e një anshme, favorizuese, e shtrembëruar, keqinformuese, me përmbajtje të gjuhës seksiste, me tituj të ekzagjeruar me qëllim të shtimit të kureshtjes së lexuesve. Për definicionet më të hollësishme të këtyre termeve, shihni shtojcën 9.2.
Duke parë numrin e madhe të lajmeve të shpërndara me karakteristika të tilla dhe me qëllim të identifikimit të tyre, Instituti D4D ka monitoruar fushatën zgjedhore zyrtare për zgjedhjet lokale të cilat janë mbajtur me 17 tetor 2021, si dhe periudhën e fushatës zgjedhore për rundin e dytë gjatë balotazhit që është zhvilluar nga data 8 deri më 12 nëntor. Qëllimi i këtij raporti është identifikimi i lajmeve të cilat kanë pasur synim keqinformimin e qytetarëve si dhe nxitjen e urrejtjes për individ ose grupe të ndryshme, si dhe familjarizimin e publikut me termet e keqinformimit dhe vërtetimit të lajmeve. Ky raport përmban edhe rekomandime të cilat u drejtohen, mediave online , subjekteve politike, gazetarëve si dhe qytetarëve.
[1] https://ask.rks-gov.net/media/6422/tik-ne-ek-familjare-2021.pdf