E ardhmja e politikës së zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor pas Merkelit

22.09.2021 Bodo Weber

Pas zgjedhjeve parlamentare të shtatorit në Gjermani, Kancelarja Angela Merkel do të largohet nga detyra pas një dekade e gjysmë gjatë së cilës ajo jo vetëm që dominoi skenën politike në Gjermani dhe në Evropë, por mori edhe rolin drejtues në politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian karshi Ballkanit Perëndimor. Merkeli ishte figurë qenësore për të mbajtur gjallë perspektivën e anëtarësimit të vendeve në valën e rritjes së “lodhjes nga zgjerimi” brenda Bashkimit Evropian (BE), si në Gjermani ashtu dhe brenda partisë së saj të Unionit Demokristian (CDU), dhe pas krizës së Eurozonës në vitin 2009. Gjatë kohës sa mbajti detyrën, ajo ndërmori disa nisma, e ndër më të spikaturat ishte dialogu politik Kosovë-Serbi (2012-2013) dhe Procesi i Berlinit 2014 (në vazhdim), që synojnë nxitjen e bashkëpunimit rajonal. Të dyja ndërmarrjet dolën nga zona e saj e komforit të kujdesshëm e reaktiv. Me kalimin e kohës, megjithatë, ato arritje u vënë nën llupë, duke u prekur si nga zhvillimet e mëdha të jashtme ashtu edhe nga mangësitë e saj.

Të parat përfshijnë tri ngjarje të mëdha ndërkombëtare të viteve 2015-2016 – kriza evropiane e refugjatëve, referendumi i Brexitit dhe fitorja e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale në ShBA – të cilat pasqyruan krizën e shtuar të Perëndimit dhe të rendit liberal botëror. Të tjerat kanë të bëjnë me stilin e lidershipit të Merkelit, që më së miri karakterizohet si reaktiv dhe menaxherial me mungesë të strategjive të politikave apo vizionit. Stili i lidershipit të Merkelit gjithnjë e më shumë vuri kufizime të vetimponuara në rolin e saj drejtues në BE, i cili përfundimisht u mbështet për muri gjatë krizës së refugjatëve. Mes trazirave të brendshme të BE-së pas vitit 2015, politika e BE-së ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor në fakt nxiti paqëndrueshmëri, duke e detyruar Merkelin dhe qeverinë e saj të kalojnë në kontrollin e dëmit dhe modusin e parandalimit të fatkeqësive. Ato luftuan kundër mbështetjes së shefes së atëhershme të politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, për një marrëveshje të shkëmbimit territorial në dialogun Kosovë-Serbi që çoroditi arsyeshmërinë dhe arritjet fillestare të dialogut politik, dhe u përballën me rrezikimin e perspektivës së zgjerimit që vinte nga Emmanuel Macroni, nëpërmjet bllokimit të tij të vazhdueshëm të hapjes së negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE. Ndikimi i këtyre zhvillimeve la gjurmët e tij në epokën e Merkelit, duke e lënë atë pothuajse duarbosh në angazhimin e saj në Ballkanin Perëndimor. Largimi i saj nga skena politike kërkon një vlerësim të thuktë të politikave të BE-së dhe Gjermanisë në një dekadë e gjysmë, duke ofruar mundësinë për një riangazhim të politikës gjermane ndaj rajonit dhe rolit kryesor të Gjermanisë në zgjerimin brenda BE-së. Ekziston një konsensus i gjerë mes analistëve dhe politikëbërësve në Berlin se të Gjelbrit, të cilët sipas sondazheve të fundit kanë shans të mirë për të pasur rol vendimtar në qeverinë e ardhshme gjermane, janë më të përshtatshmit për të mbushur boshllëkun e lënë pas Merkelit dhe për të shfrytëzuar mundësinë në dritën e ndryshimit të ardhshëm në Zyrën e Kancelarit.