Busulla ideologjike e Kosovës: Evolucioni i orientimit partiak 2014-2020, Vlerat dhe Popullizmi

12.04.2021 D4D

Gjatë verës së vitit 2020, D4D ka realizuar një studim të opinioneve të zyrtarëve partiakë në Kosovë, duke matur kështu opinionet për 40 tema të ndryshme, të cilat janë përdorur për të vlerësuar orientimin ideologjik të katër partive kryesore në Kosovë.

Gjetjet janë se partitë nuk kanë pësuar lëvizje të mëdha. PDK dhe LDK mbesin parti të qendrës lehtë në të djathtë. Lëvizje të vogla kanë shënuar VV dhe AAK, të cilat kanë lëvizur në të djathtë dhe në të majtë. Para gjashtë viteve VV ishte parti mjaft e majtë dhe AAK ishte mjaft e djathtë dhe tani gjenden në pozicion identik. Në përgjithësi, dallimet në mes të partive nuk janë të mëdha.

Shpesh më të mëdha janë dallimet brenda partive dhe kjo  dëshmon se zyrtarët nuk i janë bashkuar një partie për shkak të qëndrimeve të saj në temat të politikave publike konkrete si këto që masim ne. Afërsia e aktivistëve ndaj një partie ka të bëjë më tepër me faktin që një i afërm i tyre është anëtar apo vendimmarrës në atë parti, apo për shkak të afinitetit gjeografik, apo në të kaluarën edhe për shkak të pozicionimit gjatë luftës, apo qëndrimeve ndaj dialogut dhe Serbisë.

Studimi i ri tregon se tërë skena politike ka lëvizur drejt qendrës (nga e majta dhe nga e djathta). Shumica (2/3 për tri parti përveç LDK-së akoma mbesin në kuadrantin statist (konservatorë të majtë). Pothuaj nuk ekziston asnjë konservativ sa i përket vlerave dhe i djathtë sa i përket parimeve ekonomike. Shumica e një të tretës së mbetur, të cilët janë më të hapur sa i përket vlerave të tyre personale,  po ashtu besojnë në ekonominë e tregut të lirë. Përshkrimi i mësipërm vlen për LDK, PDK dhe AAK përderisa Vetëvendosje është e majtë sa i përket ekonomisë, konservative në çështjen e identitetit dhe liberale për liritë personale. Kjo tregon qartë se politikat konkrete publike nuk janë përcaktuese për orientimin e partisë dhe se partitë përbrenda janë po aq të larmishme sa janë edhe kur krahasohen me të tjerat.


Ky studim është mbështetur nga Fondacioni Konrad Adenauer, Zyra në Kosovë. Qëndrimet e paraqitura në këtë punim nuk paraqesin domosdoshmërisht qëndrimet e Fondacionit Konrad Adenauer.