• Shqip

Pse duhet me na ndi për burimet e energjisë?

14.03.2019 Nora Jusufi

Qasja në energji konsiderohet tejet e rëndësishme për zhvillimin ekonomik të një vendi dhe për rritjen e mirëqenies sociale të njerëzve. Prodhimi i brendshëm bruto është fundja përcaktuesi më i përdorur për të vlerësuar trendin e rritjes së një shteti. Edhe pse në këtë rast prodhimi nuk nënkupton vetëm prodhimin e të mirave, por edhe shërbimeve, prodhimi i të gjithave bëhet me së paku ca qasje në energji.

Në përgjithësi mund të duket se populli është i drejtuar vetëm për të shfrytëzuar të mirat e energjisë dhe qeveria për të mos diversifikuar burimet e saj. Por, është e rëndësishme që qytetarët të kuptojnë më shumë për potencialin e burimeve të energjisë në Kosovë, efektet pozitive dhe negative që kanë në ambient dhe shëndet si dhe të bëhen më aktivë në kundërshtimin e kontratave të dëmshme në këtë aspekt.

S’ka fjalë që pa qasje në energji elektrike një vend ngec dhe përveç që pengon qytetarët në rutinën e tyre ditore, ndikon edhe në profitabilitetin dhe qëndrueshmërinë e kompanive gjë që përbën një problem ekonomik. Por, balancimi i zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies sociale me atë shëndetësore do të duhej të jenë në krye të çfarëdo strategjie, vendimi, apo kontrate.

Në prag të dhe gjatë çdo dimri reagimet e qytetarëve të Kosovës për cilësinë e ajrit shumëfishohen. Kërkesat për gjetjen e zgjidhjes për këtë problem vijnë nga të katër anët. Zakonisht përfundojnë në vesh të shurdhër, apo në vesh të personave që nuk kanë mandat ekzekutiv apo legjislativ.

Megjithëse përcaktimi i ndotësit më të madh të ajrit del të jetë problematik ngase studimet aktuale janë kundërthënëse; disa prej shkaktarëve kryesorë të ndotjes së ajrit në Kosovë janë termocentralet Kosova A dhe B, qarkullimi i veturave të vjetra, përdorimi i thëngjillit dhe drurit nga amvisëritë, fabrika e çimentos dhe ajo për prodhimin e lëndëve të para.

Metodat aktuale të gjenerimit të energjisë dominohen nga lëndët djegëse fosile e sidomos në vendet në zhvillim. Jo shumë moti këto metoda preferoheshin për shkak të kostos më të ulët të prodhimit, por kjo më nuk qëndron dhe vendet e zhvilluara kanë filluar t’i diversifikojnë burimet e tyre të energjisë duke u mbështetur edhe në burime të ripërtërishme sikurse dielli, uji, era, dhe biomasa.

Meqë një ndër burimet më të mëdha natyrore të Kosovës është thëngjilli, strategjitë dhe vendimet tona zhvillimore fokusohen në nxjerrjen dhe shitjen e tij, pa i marrë fort për bazë dëmet eksternale që qojnë në degradim të ambientit e si rezultat edhe të shëndetit të vetë qytetarëve të këtij vendi.

Për më tepër, së fundmi, qeveria e Kosovës ka nënshkruar kontratë për ndërtimin e edhe një termocentrali tjetër i cili do të jetë margjinalisht më pak i dëmshëm se Kosova A, me çmim më të lartë të energjisë elektrike duke rënduar tej mase buxhetin e Kosovës e duke përkeqësuar ambientin dhe shëndetin e njerëzve.

E këto para do të mund të ndaheshin për tërheqjen e investitorëve seriozë në ndërtimin e paneleve diellore apo turbinave të erës. Por edhe pse të mos importohet? Blerë për të blerë, më mirë të blihet energji nga këto burime sesa të paguhet rrymë më e shtrenjtë prej burimeve të dëmshme.

Por pse këto gjëra nuk bëjnë mjaft bujë tek shumica e qytetarëve? Pse çështja e burimeve potenciale të padëmshme të energjisë ngel në kufijtë e tryezave të rrumbullakëta apo të debateve politike që me gjuhën teknike e fshehin me apo pa dashje mesazhin që dojnë ta përçojnë?

Ngase kushdo që nuk është i fushës e ka të vështirë edhe të kuptojë njësitë matëse si PM (grimcat e ndotjes) apo ktoe (njësi matëse e energjisë së liruar ekuivalent me djegjen e një toni të naftës së papërpunuar) për shkak edhe të nivelit jocilësor të edukimit, ndër të tjera.

Përveç kësaj, bombardimi me informata të shumta ka bërë që të vështirësohet filtrimi dhe ruajtja e informatave më rëndësi. Për më tepër, besimi i qytetarëve për ‘ditë më të mira’ është aq i ulët saqë kanë “quar duart” nga përmirësimi i qeverisjes dhe vendimmarrjes në Kosovë. Edhe skamja dhe problemet tjera më të prekshme dhe të shpejta i shtyjnë që marrjen me punën e burimeve të energjisë ta lënë në dorë të dytë.

Megjithëkëtë, secili alarmohet kur e googliratë Indeksin e Cilësisë së Ajrit (AQI) dhe sheh figurën e njeriut me maskë dhe ngjyrën e kuqe që na sinjalizojnë se jemi duke jetuar në një ambient “të rrezikshëm” që mund të na shkaktojë sëmundje të zemrës, të frymëmarrjes, e edhe mendore.

Cilado qoftë arsyeja, përveç që duhet bërë presion përmes informatave të sakta për efektin e të gjitha llojeve të burimeve të energjisë, edukimi është kyç edhe në këtë fushë. Aq më shumë njohuri, aq më shumë vetëdijësim e aktivizim. Thjeshtëzimi i gjuhës, mospërdorimi i zhargonit profesional, shpërndarja e informatave në metoda joformale të komunikimit dhe ilustrimi i problemeve dhe potencialeve të Kosovës do të mund të nxisin e rrisin debatin e vetëdijen në këtë fushë. E me shpresë, si rezultat, edhe ndryshimin e qasjes së qeverisë.