• Shqip

Dezinformimi dhe gjuha mizogjene ndaj grave në politikë: Cilat janë mënyrat e luftimit të këtij fenomeni në Komunën e Gjakovës?

14.03.2024 Ideal Zhaveli

A mjafton ‘krenaria’ e zgjedhjes në krye të vendit një grua, që të mposht mizogjeninë sot? Sigurisht që JO. Në ditët që po i jetojmë, dezinformimi dhe gjuha e urrejtjes kundër grave në politikë po bëhen një problem akoma më serioz për fat të keq, edhe pse pritej që një gjë e tillë të ulej me angazhimin e grave aktivisht në politikë, por kjo gjë nuk po ndodh. Ne po fokusohemi te çështja në Komunën e Gjakovës si një problem tepër serioz në mënyra të ndryshme, edhe pse shpesh thirret si shembull për rastin e gruas së parë kryetare, PO e vërtetë, ama çka ndodhi pas këtij rasti? Përdorimi i një gjuhe mizogjene ndaj një gjinie në vitin 2024 po ndodh në një kohë kur dezinformimi po vë në dyshim dialogun demokratik, ndërsa përçarja dhe diskriminimi ndaj grave po bëhen gjithnjë e më shqetësuese. Kjo jo vetëm që po rrezikon funksionimin e mirëfilltë të demokracisë në vend, por po ndikon negativisht edhe në pjesëmarrjen e grave në politikë në përgjithësi, e specifikisht në nivel lokal, duke përfshirë edhe Komunën e Gjakovës.

Problemi fillon qysh nga shoqëria jonë dhe vazhdon tek pjesa e partive politike e tek drejtuesit e institucioneve. Komuna e Gjakovës ka sfidat e saja për luftimin e këtij fenomeni, por ka potencial mes bashkëpunimit të akterëve lokal që shihet si një mundësi për rritjen e fokusit tek vetëdijësimi i një pjese të popullatës që sfidojnë kohën dhe realitetin. Luftimi i grave përmes fjalorit mizogjen i pengon një pjese të konsiderueshme të popullatës lokale qysh nga shkolla fillore, duke vazhduar në të mesme dhe duke pasuar vazhdimisht në jetë, për fat të keq, edhe në vendet e punës në institucione që u pamundëson funksionimin profesional si duhet. Përdorimi i gjuhës mizogjene në nivelin lokal, pavarësisht luftimit nga një pjese e konsiderueshme e mësimdhënësve, vazhdon nga shokët e klasës, kryesisht ndaj vajzave për shkaqe të ndryshme, të cilat nuk mund të ndalen pa prezencën e një personi të rritur. Kur pyet një fëmijë se ku ka mësuar për këtë fjalor, ai/ajo përgjigjet se e ka marrë nga familjarë (jo gjithsesi prindërit).

Përdorimi i gjuhës mizogjene rritet më së shumti gjatë kohës së shkollës së mesme dhe pas punësimit të grave, specifikisht në institucione. Gjatë shkollës së mesme, gjinia femërore luftohet përmes paragjykimeve të ndryshme duke përdorur gjuhën që tenton t’i ndalojë në zhvillimin e një jete personale të denjë dhe duke vazhduar pastaj në krijimin e një ankthi dhe stresi vazhdimisht tek vajzat e reja. Kjo gjë sjell dëmin e madh i cili u pamundëson funksionimin e mirëfilltë, specifikisht në nivel lokal dhe rritjen e numrit të vajzave që largohen fillimisht nga Gjakova drejt Prishtinës, duke vazhduar edhe jasht vendit një pjese e konsiderueshme.

Punësimi i grave po rritet, por çështjet pronësore kanë filluar të ndahen barabartë sipas ligjeve të Kosovës, megjithatë, kjo nuk është e mjaftueshme sepse po flasim prapë për një përqindje të ulët krahasuar me burrat. Megjithatë, gjuha e ashpër ndaj grave bazuar në gjini vazhdon sa herë që një grua ngritet në detyrë apo fiton një pozitë të lartë drejtuese. Në shkollat e Gjakovës ka pak gra që drejtojnë institucionin shkollor, megjithatë në pjesën e shkollave të mesme kemi 2 gra udhëheqëse të shkollës. Rasti i parë ndodhi para disa viteve ku një grua nuk ishte thjesht një ushtruese detyre, por drejtoreshë me mandat të plotë dhe llogaritej si një sfidë e madhe për shkak të paragjykimeve duke filluar qysh nga stafi, e duke vazhduar tek shoqëria. Megjithatë sot është një ndër shkollat më të suksesshme në Gjakovë. Vetëm përmes suksesve të ndryshme, besimi rritet siç duhet dhe ndikon tek popullata civile lokale. Vajza dhe gratë e suksesshme si në nivel lokal, qëndror apo ndërkombëtar nga komuna e Gjakovës duhet të shfrytëzohen si shembuj suksesi që të ndikojnë në motivimin e vajzave tona për të punuar vazhdimisht dhe ta kuptojnë që mund të arrijnë nivelet e larta duke filluar qysh nga niveli lokal.

Shumë gra nga komuna jonë kanë arritje të larta në fushën e tyre që funksionojnë. Kjo është arritur vetëm duke luftuar vazhdimisht dhe duke bashkëpunuar me grupe të ndryshme të interesit që kanë ndihmuar në zhvillimin e tyre. Theks të veçantë tek gratë që janë zhvilluar tek karriera e tyre brenda Kosovës duke u larguar nga niveli lokal drejt Prishtinës, për shkak të mentalitetit të mbushur me komplekse të ndryshme në Gjakovë. Kjo duhet të jetë thirrje për të gjitha gratë që të punojnë vazhdimisht edhe në nivel lokal, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të luftohet mizogjenia dhe diskriminimi i vazhdueshëm. Le të fuqizohemi së bashku sepse më mirë do të ishte sikur çdo vend i Kosovës të kishte komunitet lokal të fuqishëm dhe jo vetëm kryeqendra e Kosovës të ishte e mbushur me gra të fuqishme.

Ky editorial është mbështetur nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë.