• Shqip

Përpëlitja dhjetëvjeçare e shtetit

13.02.2018 Krenar Gashi

Dhjetëvjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, Kosova e priti në një raport të çuditshëm me botën perëndimore, gjegjësisht SHBA-të dhe BE-në. Akrobacionet amatore politike të shefave të shtetit me nismën për tu tërhequr nga përkushtimi ndërkombëtar për Gjykatën Speciale, sollën si reagim një ndryshim të diskursit të botës perëndimore në raport me Kosovën. Së këtejmi, natyrshëm, një nga pyetjet reflektuese në këtë përvjetor është nëse si shoqëri jemi pjekur mjaftueshëm me praktikat demokratike për të udhëhequr vetë me shtetin. Dhe një përgjigje reflektive patjetër se do fillonte me pyetjen kush jemi ne?

Përgjigja në këtë pyetje, fatkeqësisht, nuk është uniforme. Pas një dekade të performimit të shtetësisë, shoqëria kosovare nuk ka qenë në gjendje të krijojë një kuptim të qëndrueshëm për shtetin. Elita politike që ka udhëhequr për këto dhjetë vjet e ka gjeneruar një diskurs të republikës që bazohet në vlerat liberale, në një gërshetim mes lirisë dhe barazisë, por që nuk është përcjellë në një aplikim të përditshëm të këtyre vlerave, që përkthehen si transparencë, gjithëpërfshirje dhe llogaridhënie. Po ashtu, e njëjta elitë politike, në të njëjtën kohë, e ka mbajtur si nën sqetull diskursin nacionalist, të patrajtuar, të pakultivuar dhe sidomos të paballafaquar me diskursin e republikës. Dhe sa herë që shoqëria ka kaluar nëpër tema të mëdha politike, nëpër tema pozicionimi në të cilat patjetër se kërkon reflektim të brendshëm që niset nga vlerat dhe identiteti, përgjigja shoqërore ka qenë e shkapërderdhur.

Fatkeqësia e Kosovës, për këto dhjetë vjet, është përbërë pikërisht nga këto temat e mëdha, që përkundër suksesit të pamohueshëm që kemi arritur në konsolidimin e shtetit, kanë lënë përshtypjen e një krize të vazhdueshme politike. Kjo krizë, patjetër se është reflektuar në rrafshin social e ekonomik, qoftë përmes krizës identitare të shfaqur në diskursin politik, qoftë përmes mungesës së investimeve të huaja direkte aq të nevojshme për ta venë në lëvizje ekonominë e stagnuar. Përshtypja për dekadën e parë të shtetit është mikse. Përderisa nuk mund të mohohet aftësia e kësaj shoqërie për të zgjedhur institucione dhe për të udhëhequr vetën, nuk mund të mohohen as gabimet e shumta që kemi bërë në këtë drejtim. Administrata publike dhe funksionet vitale të shtetit vazhdojnë të jenë të kapura nga klientët partiakë, ndërsa, si për sherr, politikën jemi duke e përceptuar më shumë si tifozëri sesa si platformë ku diskutohet dhe formësohet ideja për organizimin e shoqërisë.

Si pasojë, politika si aktivitet diskursiv ka qenë e limituar në krijimin e përkatësive të tifozëve politikë të cilët kanë gjeneruar një realitet rivalërie, në vend të një platforme për përplasjen e ideve. Në këtë garë tifozësh, as edhe vetë përvjetori i dhjetë i shtetit nuk na mjaftoi për të reflektuar thellësisht, meqë na zuri duke u marrë me çështje të stërzmadhuara politike, si demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, apo gjykata speciale. Problemet e ngulitura thellë në shoqëri si korrupsioni dhe sundimi i ligjit kanë mbetur në sipërfaqe për plot dhjetë vjet, ndërsa mënyra se si i kemi trajtuar ato ka qenë jashtëzakonisht sipërfaqësore. Në një plan më të gjerë, Kosova ka vazhduar të hartojë politika e ligje por gjithnjë duke qenë në një gjendje reaktive, pa pasur mundësi për kreativitet zhvillimor. Është për çdo kritikë e kundërshtim fakti që ende nuk kemi një makroplan të zhvillimit të vendit, një kornizë logjike të zhvillimit të politikave publike dhe një listë të objektivave që dëshirojmë t’i arrijmë si shoqëri e si shtet.

Nga të gjithë të arriturat e kësaj dekade, pa lënë anash konsolidimin e shtetit, funksionalizimin e sistemit politik dhe përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare, ajo që më së shumti lë shpresë për dekadën e radhës është shpirti i aktivizmit qytetar. Përfshirja e qytetarëve në diskutime e debate, organizimi i tyre në çështje të rëndësisë së veçantë dhe ndërtimi i një ndjenje se mekanizmat e përgjegjësisë dhe mbajtjes në llogari janë baza e funksionimit shoqëror e politik, janë indikatorët më të mirë të ecjes sonë kolektive. Këtu, megjithatë, na mbetet shumë punë për t’u bërë.