• Shqip

Gjenerata për gjeneratë: Të rinjtë e Prishtinës më shpresë tek anëtarët e rinj komunal

20.02.2018 Blerinë Ukshini

Kafiteritë e Prishtinës janë të tej mbushura që nga mëngjesi e deri në orët e vona, me të rinj që qajnë hallet nga pamundësitë për vende pune ose edhe për mungesën e aktiviteteve, fakte këto të cilat i bëjnë ata çdo ditë e më pasiv dhe pesimist. Tash e 18 vite që nga zgjedhjet e para për kuvend komunal në Kosovën e pas luftës përfaqësimi i të rinjve ka qenë i mangët si për nga përbërja e brendshme e kuvendit komunal po ashtu edhe nga shtyrja përpara e interesave të rinisë. Shumë shpesh kemi dëgjuar frazën “Rinia është e ardhmja e vendit“ por asnjëherë nuk është marr mundi që në të vërtetë rinia të jetë e tashmja. Subjektet politike rrallë herë u kanë besuar pozita të dinjitetshme të rinjve, duke e kufizuar rolin e të rinjve të rejave, në gjëra krejtësisht teknike. Bartja dhe vendosja e postereve, organizimi i ngjarjeve, pjesëmarrja veç sa për të dhënë imazhin e përfaqësimit, këto janë detyrat kryesore që u besohen të rinjve nga subjektet politike.

Instituti D4D, ka hulumtuar hapësirën e dhënë nga partitë politike për kandidimin e të rinjve në kuvende komunale por edhe zgjedhjen e tyre nga qytetarët, duke u bazuar në të dhënat e zgjedhjeve lokale në vitin 2013 dhe ato të vitit 2017 në Prishtinë. Nëse shikojmë totalin e moshës mesatare të kandiduar vërejmë një përmirësim ku nga 42 vjet sa ka qenë mesatarja në vitin 2013 ka rënë pozitivisht në 39.9 vjet në zgjedhjet e vitit 2017. Po ashtu sa i përket anëtarëve të zgjedhur nga vetë qytetarët e Prishtinës për përfaqësim të tyre ka një rënjë pozitive të moshës mesatare ku nga 43.1 sa ka qenë në vitin 2013 ka rënë në 40 në vitin 2017. Megjithëse mosha mesatare tani është më e re se sa në vitin 2013, përsëri 40-shi nuk mund të cilësohet një moshë e denjë për përfaqësimin e rinisë së kryeqytetit, kur vetëm 12 nga 51 këshilltar komunal sa janë në total janë të moshës nën 31 vjeç.

Të rinjtë janë me numër shumicë në Prishtinë, prandaj edhe ky numër duhet të jetë i përfaqësuar proporcionalisht në Kuvend Komunal. Askush më mirë se të rinjtë nuk i dinë interesat dhe nevojat e tyre se sa vet kjo gjeneratë, andaj edhe është dashur që përfaqësimi të jetë më i madh. Si rrjedhojë e kësaj, të rinjtë të cilët kanë arritur të kalojnë pragun zgjedhor mendohet se do të përfaqësojnë rininë dhe do të bëjnë një Prishtinë më atraktive. Nëse dëshirojmë që të ketë avancim në procesin e punëve dhe inicimin e projekteve edhe më të mëdha, bashkëpunimi në mes të anëtarëve komunal të rinj duhet të jetë i pashmangshëm madje ti tejkaloj edhe bindjet e tyre partiake. Për një bashkëpunim dhe koordinim në mes tyre do të ishte mirë të formohet një grup që do të ngjasonte me atë të “Grupit të grave deputete” ku anëtarët e rinjtë komunal do të mbanin mbledhje të kohë pas kohshme për të shpalosur idetë e tyre dhe për të përmirësuar gjendjen ekzistuese.

Sipas të buxhetit për vitin 2018 ka një rritje si në të hyrat totale po ashtu edhe ndarjen në Drejtorin e Kulturës por edhe në sektorin e Rinisë dhe Sportit. Të hyrat totale në vitin 2017 kanë qen 62.023.630 euro ndërsa sipas planifikimi të buxhetit në vitin 2018 janë 71.222.581 euro. Drejtoria e kulturës kishte 550.000 euro ndërsa këtë vit janë të planifikuara 1.233.000 euro. Nëse nuk do të ketë ndryshime të këtij buxheti, i bije që Drejtoria e Kulturës të ketë këtë vit 683.000 euro më shumë se sa në vitin 2017. Ndërsa sektori i Rinisë dhe Sporteve i cili është në kuadër të drejtorisë së planifikimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm sipas planifikimit të buxhetit, në vitin 2018 do të ketë 100.000 euro më shumë se sa në vitin paraprak. Vend për përmirësim ka po thuajse në çdo aspekt, ndër to është edhe ndarja e bursave komunale e cila në krahasim me numrin e studentëve që posedon kryeqyteti është shumë i vogël. Në bazë të rregullores për ndarjen e bursave për studentë të komunës së Prishtinës, Komuna varësisht nga mjetet financiare që ka në dispozicion, i ndan bursat.

Në vitin akademik 2015-2016 janë ndarë gjithsej 120 bursa, ndërsa ne vitin akademik 2016-2017 janë ndarë 117 bursa. Duke parë një gjë të tillë nuk mbetet të shpresohet shumë se këtë vit do të ndahen numër më i madh i bursave, pasi që trendi nuk tregon një gjë të tillë. Megjithatë Komunës i mbetet të mendojë për një formë tjetër të stimulimit të studentëve të dalluar por edhe atyre me kushte financiare të vështirësuara. Një ndër zgjidhjet potenciale mund të jetë puna praktike qoftë në institucionet të cilat janë nën ombrellën komunale, apo një marrëveshje me sektorin privat ku studentët të mund të përfundojnë praktikën më kontratë. Probleme të shumta mund të renditen në formë zingjirore deri në pafundësi jo vetëm në Prishtinë por në çdo qytet të Kosovës. Gjithsesi me punë dhe përkushtim ato mund të minimizohen dhe zymtësisë së qyteteve tu jepen ngjyrat që thuhet se i karakterizojnë. Shpresojmë se në këto katër vite qeverisje pushteti lokal të jetë më efikas dhe i orientuar në investime, ndërsa rrogat dhe mëditjet të mos jenë prioritet i tyre.