YouthHack 4 Action bashkon të rinjtë për zhvillimin e zgjidhjeve për komunitetin

29.06.2026

Më 26–27 qershor 2026, D4D organizoi YouthHack 4 Action në Hotel Trofta në Istog, duke mbledhur 16 të rinj dhe të reja nga qytete, fusha studimi dhe profesione të ndryshme të Kosovës. Gjatë dy ditëve, pjesëmarrësit ndërthurën kreativitetin, teknologjinë dhe angazhimin qytetar për të zhvilluar ide dhe prototipe që adresojnë nevoja të komunitetit.

Aktiviteti krijoi hapësirë për bashkëpunim mes të rinjve me aftësi dhe përvoja të ndryshme, përfshirë edhe ata pa përvojë në programim. Përmes punës në ekipe, pjesëmarrësit patën mundësi të zhvillonin aftësi në identifikimin e problemeve, ndërtimin e zgjidhjeve dhe prezantimin e ideve para profesionistëve.

Dita e parë iu kushtua njohjes mes pjesëmarrësve, shkëmbimit të përvojave dhe diskutimit mbi rëndësinë e pjesëmarrjes qytetare. Programi përfshiu prezantime të praktikave vendore, si aplikacioni “Lajmëro Policinë” i Policisë së Kosovës dhe platforma Verifiko.info e D4D-së, për të ilustruar mënyrat se si mjetet digjitale mund të mbështesin transparencën, llogaridhënien dhe angazhimin qytetar.

Më pas, pjesëmarrësit u organizuan në tri ekipe multidisiplinare dhe filluan identifikimin e sfidave dhe zhvillimin e ideve fillestare. Gjatë ditës së dytë, puna vazhdoi përmes një Hackathon Sprint, ku ekipet zhvilluan dhe përmirësuan prototipet me udhëzimin e trajnerit dhe mbështetjen e stafit të D4D-së.

Tri zgjidhjet e propozuara përfshinë një koncept për monitorimin dhe filtrimin e ajrit në stacione të përzgjedhura të autobusëve, një platformë për mbledhjen e fondeve për individë dhe familje që përballen me shpenzime të larta shëndetësore, si dhe një aplikacion për raportimin e mbeturinave dhe ndotjes në hapësirat e gjelbra publike.

Aktiviteti u përmbyll me prezantimin e prototipeve para një jurie vlerësuese. Platforma për mbledhjen e fondeve për nevoja shëndetësore u përzgjodh si ideja fituese. Përmes këtij procesi, pjesëmarrësit praktikuan bashkëpunimin, mendimin kreativ dhe prezantimin e zgjidhjeve për sfida konkrete.

YouthHack 4 Action u realizua përmes projektit “Innovate4Impact: Equipping Youth with Skills & Innovation for Market Access”, në kuadër të programit BOOST Balkans, me mbështetjen e ALDA Balkans dhe AFD – Agence Française de Développement.