Mbi 60 të rinjë/reja nga e gjithë Kosova u informuan më shumë rreth tregut të punës dhe ndërmarrësinë në Kosovë!

09.10.2026

Më datë 9 tetor 2026, Demokraci për zhvillim (D4D) organizoi aktivitetin “Fuqizimi i rinisë për tregun e punës”, një ditë të mbushur me tregime suksesi, trajnime, dhe sesione informuese, ku të rinjtë/rejat e moshave 18-29 patën rastin të mësojnë më shumë rreth platformave të tregut të punës, dëgjuan tregime në praktikë për sfidat që duhet tejkaluar për të arritur sukses në ndërmarrësi në Kosovë, u trajnuan mbi zhvillimin e ideve në plane biznesi, si dhe mësuan teknikat bashkëkohore për promovimin sa më efikas të biznesit të tyre në hapësirën digjitale.

Rezarta Delibashzade Krasniqi, Drejtore ekzekutive ne D4D, theksoi se të rinjtë kanë potencialin dhe idetë për të krijuar ndryshim, por kanë nevojë për përvojë praktike, mentorim dhe udhëzimin e duhur për t’i kthyer idetë e tyre në mundësi konkrete për punësim dhe ndërmarrësi.

z.Shpëtim Kalludra nga Agjencioni i Punësimit i Republikës së Kosovës prezantoi platformën e punësimit Superpuna, e krijuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, në kuadër të skemës së Punësimit të Garantuar për të Rinjtë, e cila do të lehtësojë qasjen e të rinjve në tregun e punës dhe do të ndihmojë bizneset në angazhimin e punëtorëve të rinj.

Derisa përvojën nga praktika në ndërmarrësi në Kosovë e ndanë me pjesëmarrësit znj.Flandra Marmullaku nga Data4X dhe znj. Arta Shehu Azemi nga evroTarget. Pjesëmarrësit u njoftuan më shumë mbi sfidat që është dashur t’i tejkalojnë këto dy biznese për të arritur sukseset që tani i gëzojnë, duke ofruar edhe këshilla shumë të vlefshme për të gjithë ata/ato që synojnë të bëhen ndërmarrës/e në të ardhmen.

Për zhvillimin e ideve në plane të biznesit pjesëmarrësit mësuan gjatë sesionit të trajnimit të zhvilluar nga z.Ferid Murseli, i cili u sigurua që pjesëmarrësit të kuptojnë qartë hapat që duhet të ndërmerren nga ata/ato që duan t’i zhvillojnë mëtutje idetë e tyre në ndërmarrësi. Ndërsa, z.Valon Canhasi u sigurua që pjesëmarrësit të mësojnë mbi për teknikat për promovim efektiv të biznesit në platformat digjitale.

Ky aktivitet u organizua nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) përmes projektit “Innovate4Impact: Equipping Youth with Skills & Innovation for Market Access”, në kuadër të programit BOOST Balkans, mbështetur financiarisht nga ALDA Balkans dhe AFD – Agence Française de Développement.

#BOOSTBalkans #ALDA #ALDABalkans #AFDFrance #D4D #evroTarget #Data4X #Superpuna