Tryezë në Pejë, Gjakovë dhe Mitrovicë: Drejtësi zgjedhore në zgjedhjet e 11 qershorit

07.06.2017

Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) në partneritet me koalicionin Demokracia në Veprim (DNV) gjatë kësaj jave është duke mbajtur tryezat për “Drejtësi zgjedhore në zgjedhjet e 11 qershorit” në shtatë Komuna. Në Pejë, Gjakovë dhe Mitrovicë tashmë janë mbajtur diskutimet me akterët relevant, dhe të tjerat mbahen sipas rendit të poshtë shënuar.

Në këto tryeza përfaqësues të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Policisë së Kosovës (PK), Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) diskutuan për procedurat standarde të veprimit me qëllim të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor dhe masave të koordinuara nga institucionet relevante me qëllim të mbrojtjes së votës.

Koordinatorja Nacionale për zgjedhje nga Prokuroria e Shtetit znj. Laura Pula, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së votës foli rreth asaj se cilat do të jenë masat ndëshkuese ndaj atyre që tentojnë apo fotografojnë votën, përderisa Zëvendës Drejtor i përgjithshëm i policisë për operativë z. Naim Rexha, theksoi se policia është duke i përcjellur të gjitha tubimet e subjekteve, ngjarje te cilat vazhdimisht po rriten ndërsa thyerja e rregullave është në rënie të vazhueshme si rezultat. Përfaqësuesi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa z. Mul Desku, duke theksuar rëndësinë e mbrojtes së votës vuri theks edhe në respektimin e afateve të parapara për parashtrimin e ankesave në këtë institucion si dhe sigurimin e dëshmive të nevojshme. Pjesëmarrës në këto tyreza ishin edhe gjyqtarët dhe prokurorërt e prokurorive themelore, përfaqësues të Komisioneve Komunale Zgjedhore si dhe përfaqësues të OJQ’ve lokale. Përfaqësuesit e institucioneve u zotuan se në ditën e zgjedhjeve do të jenë të angazhuar me të gjitha kapacitetet për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Tryezat e rradhës do të mbahen si në vijim:
7 Qershor në Prizren;
8 Qershor në Gjilan;
9 Qershor në Prishtinë dhe Graçanicë.

Këto tryeza janë mundësuar në partneritet me DnV dhe përkrahjen financiare të USAID Kosovo dhe Friedrich Ebert Stiftung, Prishtina Office.