Konferenca Lansuese e Raportit të Monitorimit

27.11.2025

Më 26 nëntor 2025, Democracy for Development (D4D) dhe Centre for Humanitarian Dialogue (HD) organizuan konferencën e lansimit të raportit të monitorimit mbi Kodin e Sjelljes për zgjedhjet lokale 2025, i cili u nënshkrua më 3 shtator nga partitë politike, mediat dhe organizatat e shoqërisë civile.

Mark Baskin, Këshilltar i Lartë në HD, hapi diskutimin duke rikujtuar tre arsyet kryesore që nxitën nënshkrimin e Kodit të Sjelljes: rrjetet sociale janë forma dominuese e komunikimit në vend, por shpesh thellojnë ndarjet, përhapin dezinformata dhe cenojnë aftësinë e qytetarëve për të marrë vendime demokratike të informuara. Ai theksoi se vetëm përmes edukimit më të fuqishëm mediatik, vetërregullimit të përgjegjshëm të platformave dhe reformave të vërteta politike, ky mjet i fuqishëm mund t’i shërbejë, e jo t’i dëmtojë demokracinë.

Në kuadër të panelit, folësit ndanë pikëpamje kyçe mbi rolin e rrjeteve sociale në formësimin e sjelljes zgjedhore:

Rezarta Krasniqi nga D4D prezantoi gjetjet kryesore të raportit të monitorimit: janë regjistruar 152 shkelje të Kodit në 14 komuna, me Prizrenin që kishte numrin më të lartë. Shumica e shkeljeve ishin gjuhë e urrejtjes në Facebook. Kandidatët për kuvendet komunale ishin shkelësit kryesorë, LVV ishte përgjegjëse për pjesën më të madhe të shkeljeve, ndërsa PDK rezultoi të ishte shënjestra më e shpeshtë.

Besnik Berisha nga Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), theksoi nevojën urgjente për kuadër rregullator të harmonizuar me Aktin e Shërbimeve Digjitale të BE-së, për të adresuar mjedisin toksik online dhe sfidat e reja si përmbajtja e gjeneruar nga inteligjenca artificiale, duke theksuar se kjo nuk duhet të kthehet në censurë.

Kreshnik Gashi nga Kallxo.com, theksoi se retorika çnjerëzuese dhe normalizimi i gjuhës së urrejtjes në masë të madhe buron nga aktorët politikë, e jo nga media, duke i bërë thirrje liderëve politikë të prioritizojnë diskursin e bazuar në politika dhe jo taktikat përçarëse.

Ky aktivitet u organizua me mbështetjen e HD Centre.