Takimi i parë i “Komitetit rajonal për rritjen e qasjes së grave në punësim”

29.05.2019

Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) dhe Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim (GADC), kanë organizuar sot takimin e parë të “Komitetit rajonal për rritjen e qasjes së grave në punësim”. Ky komitet përbëhet nga përfaqësues të institucioneve shtetërore të tilla si: Institucioni i Avokatit të Popullit, Ministria e Punës dhe Mirëqenës/Mbrojtjes Sociale, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe odave ekonomike, nga Kosova dhe Shqipëria.

Qëllimi kryesor i komitetit rajonal është të shkëmbej informatat dhe rekomandimet lidhur me politikat e punësimit, të inicioj dhe udhëheqë strategji dhe iniciativa avokuese në nivel rajonal, të cilat kontribuojnë në rritjen e punësimit të grave. Në takimin e parë, ndër të tjera, u diskutua edhe për sfidat me të cilat ballafaqohen gratë, që lidhen me qasjen e tyre në tregun e punës, diskriminimin, mungesën e qasjes në informata dhe trajnime, sidomos për gratë në zonat rurale.

Ky komitet do të vazhdoj punën duke mbajtur takime të rregullta të përbashkëta, për të shtyrë përpara proceset që promovojnë fuqizimin ekonomik të grave, përmes avokimit në nivel të politikë-bërjes. Për më shumë, do të forcojë bashkëpunimin me sektorin privat dhe do të koordinojë përpjekjet e përbashkëta për të adresuar sfidat e rritjes së punësimit të grave.

Komiteti Rajonal, është pjesë e projektit regjional “Rritja e qasjes së grave në punësim”, mbështetur nga Ambasada Mbretërore Norvegjeze në Prishtinë. Përmes këtij projekti synohet rritja e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës, duke avokuar kundër diskriminimit gjinor, promovimit të punës së denjë dhe zbatimit të strategjive miqësore gjinore, që përmirësojnë praninë e grave në tregun e punës.