
Përmes një konference të organizuar me akterë kyç, të përfshirë në qeverisjen lokale, dhe pjesëmarrjen qytetare, Instituti D4D prezantoi të dhënat mbi mbarëvajtjen e shërbimeve dixhitale dhe kënaqshmërinë e qytetarëve me përdorimin e platformave si e-Kosova dhe e-Komunat.
Transformimi dixhital në Kosovë ka sjellë përfitime të dukshme për qytetarët, por deri më tani është përqendruar kryesisht në nivelin qendror. Duke marrë parasysh modelin e decentralizuar të qeverisjes në Kosovë, avancimi i dixhitalizimit në nivel lokal paraqet jo vetëm një mundësi të madhe, por edhe një domosdoshmëri urgjente.
Pjesë e panelit të diskutimit ishin: Rezarta Krasniqi nga D4D, Albulena Nrecaj nga INPO, Flurim Arifi nga MAPL dhe Valmir Gashi nga KLGI, nën moderim të Selatin Kllokoqit.
Punimi analizon gjendjen aktuale, evidenton sfidat dhe sjellë rekomandime konkrete për të nxitur avancimin e këtij procesi nëpër komuna. Rekomandime që dëshmojnë se dixhitalizimi i shërbimeve komunale ka potencial të sjellë përfitime të mëdha për qytetarët – por vetëm nëse trajtohet si prioritet nga politika lokale dhe qendrore.
Ky aktivitet është realizuar me përkrahje të Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS)



