Takime ndërmjet forumeve rinore të subjekteve politike nga Kosova dhe Mali i Zi

24.03.2021

Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) ka organizuar vizitën e parë në Podgoricë, ndërmjet përfaqësuesve të forumeve rinore të subjekteve politike nga Kosova [Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Aleanca Kosova e Re (AKR), dhe NISMA Socialdemokrate] dhe atyre nga Mali i Zi (Partia Boshnjake, Partia Liberale, URA, Partia Demokratike Socialiste, të cilët janë anëtarë të Rrjetit të Politikanëve të Rinj (PYN).

Gjatë ditës së parë, më 23 mars, janë realizuar dy takime me përfaqësues të subjekteve politike nga Mali i Zi, me z. Sead Sahman nga Partia Boshnjake dhe z. Ammar Borancic nga Partia Liberale. Në takimin me z. Sahman, përfaqësuesit nga Kosova patën rastin të dëgjojnë më shumë mbi strukturën e organizimit të forumit rinor të Partisë Boshnjake, përfshirjen e komuniteteve jo-shumicë në role vendimmarrëse në qeverinë aktuale të Malit të Zi, si dhe anëtarësimin në rrjetin PYN dhe përfitimet e deritanishme të të rinjve të Partisë Boshnjake nga ky rrjet.

Në takimin me z. Borancic përfaqësuesit nga Kosova patën mundësinë që të mësojnë më shumë mbi veprimtarinë e Partisë Liberale në Malin e Zi, bashkëpunimin e tyre me rrjetet e ndryshme ndërkombëtare të partive liberale, bashkëpunimin me partitë në Kosovë që përkrahin ideologji liberale, si dhe përfitimet e të rinjve të Partisë Liberale nga ngjarjet e zhvilluara në kuadër të rrjetit PYN.

Gjatë ditës së dytë, më 24 mars, janë realizuar dy takime, me z. Andrija Klikovac nga Partia Demokratike e Socialistëve (DPS), dhe z. Stefan Vukmanovic nga subjekti politik URA. Në takimin me z. Klikovac përfaqësuesit e rinj të subjekteve politike nga Kosova patën mundësi të mësojnë më shumë mbi aktivitetin e DPS-së në Malin e Zi, si subjekti që ka qenë në pushtet në 30 vitet e fundit, gjithashtu dhe për organizimin dhe strukturën e forumit rinor të subjektit të tij politik. Gjithashtu, z. Klikovac inkurajoi përfaqësuesit nga Kosova që të anëtarësohen në rrjete të ndryshme që synojnë bashkëpunimin dhe zhvillimin ndërmjet subjekteve politike dhe të rinjve në politikë.

Në takimin me z. Vukmanovic u diskutua më shumë mbi sfidat e kësaj partie si pjesë e qeverisë së re në Malin e Zi, strukturën dhe organizimin e forumit rinor të kësaj partie, dhe mundësinë e bashkëpunimit ndërmjet subjekteve politike të Kosovës që janë të së njëjtës politikë ideologjike sikurse URA.

Në fund, përfaqësuesit e subjekteve politike nga Mali i Zi u shprehën të gatshëm për të filluar një bashkëpunim me homologët e tyre në Kosovë, dhe të hartojnë politika rajonale me qëllim zhvillimin e mëtutjeshëm të subjekteve politike që i përkasin dhe të përmirësimit të jetës së qytetarëve në vendet e rajonit të Ballkanit.


Ky aktivitet u organizua në kuadër të projektit “Pjesëmarrja e rinisë me integritet politik”, mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED), implementuar nga instituti Demokraci për Zhvillim (D4D).