Sesion informues virtual me këshilltarët komunal të Komunës së Gjakovës

22.05.2020

Demokraci për Zhvillim ka organizuar një takim virtual me anëtarët e kuvendit të Komunës së Prizrenit për të prezantuar platformën informuese mbi qeverisjen e mirë www.qeverismire.info, programin Kosova që Duam, si dhe për të diskutuar më shumë mbi tri tema kyçe: a) Transparenca dhe llogaridhënia nga Komuna e Prizrenit, b) Gjithëpërfshirja e qytetarëve në politikëbërje dhe vendimmarrje, dhe c) Funksionimi i Kuvendit Komunal të Prizrenit dhe bashkëpunimi ndërmjet përfaqësuesve të partive politike brenda Kuvendit të Prizrenit.

Gjatë pjesës së diskutimit mbi transparencën dhe llogaridhënien, u theksua se Komuna në përgjithësi ka qenë transparente dhe llogaridhënëse në 12 muajt e fundit, megjithëse ka pasur edhe raste kur ekzekutivi ka vonuar apo nuk ka kthyer fare përgjigje në kërkesa apo pyetje të parashtruara nga anëtarët e Kuvendit të Komunës. Qasja në dokumente publike ka qenë e lehtë dhe pa probleme të mëdha, dhe ekzekutivi ka respektuar afatet ligjore për të kthyer përgjigje në një kërkesë të tillë, të parashtruar nga anëtarët e Kuvendit prezent në takim. Megjithatë, ka ende probleme dhe kërkesa që duhen adresuar nga ekzekutivi, të cilat kanë dalë si shkak i pandemisë në gjithë vendin.

Sa i përket konsultave apo dëgjimeve publike të organizuara nga Komuna e Prizrenit, të pranishmit theksuan se në këtë aspekt ka ngecje nga Komuna. Komuna ka organizuar dy dëgjime publike të obliguara me ligjin mbi vetëqeverisjen lokale, mirëpo shtjellimi i temave në këto dëgjime publike ka qenë shumë i gjerë dhe interesimi i qytetarëve për pjesëmarrje ka qenë shumë i ulët apo aspak. Pjesëmarrësit theksuan se në të kaluarën, kur janë organizuar takime të tilla me temë specifike, qytetarët kanë shfaqur interesim shumë më të madh për pjesëmarrje dhe për të prezantuar kërkesat dhe shqetësimet e tyre. Prandaj, si rekomandim i pjesëmarrësve të takimit ishte që Komuna do të duhej të organizonte më shumë konsultime dhe dëgjime publike por me tema specifike, në mënyrë që të zgjojë interesimin e qytetarëve për pjesëmarrje dhe t’i përfshij në proceset politikëbërëse dhe vendimmarrëse.

Për funksionimin e Kuvendit të Komunës dhe bashkëpunimin ndër-partiak të anëtarëve të Kuvendit të Komunës së Prizrenit pati komente pozitive, veçanërisht për çështje që janë në interes të mirëqenies së qytetarëve të cilët i përfaqësojnë ata. Për dallim nga disa Komuna të tjera, anëtarët e Kuvendit të Prizrenit theksuan se nuk kanë problem me fenomenin e “numrave” dhe se në mbledhjet e Kuvendit gjithmonë jepet hapësirë për diskutim mbi pikat e rendit të ditës, dhe nuk ka presione për votim të pikave specifike që mund të jenë në interes të partive apo individëve në pushtet.

Ky sesion informues virtual u realizua në kuadër të projektit “Qeverisje Lokale transparente dhe llogaridhënëse”, si pjesë e programit Kosova që Duam, realizuar nga instituti Demokraci për Zhvillim, me mbështetje financiare nga Friedrich Ebert Stiftung (FES) në Prishtinë.