Sesion informues virtual me këshilltarët komunal të Komunës së Prishtinës

14.10.2020

Demokraci për Zhvillim ka organizuar një takim virtual me anëtarët e kuvendit të Komunës së Prishtinës për të prezantuar platformën informuese mbi qeverisjen e mirë www.qeverismire.info, programin Kosova që Duam, si dhe për të diskutuar më shumë mbi tri tema kyçe: a) Transparenca dhe llogaridhënia nga Komuna e Prishtinës, b) Gjithëpërfshirja e qytetarëve në politikëbërje dhe vendimmarrje, dhe c) Funksionimi i Kuvendit Komunal të Prishtinës dhe bashkëpunimi ndërmjet përfaqësuesve të partive politike brenda Kuvendit të Prishtinës.

Gjatë diskutimit mbi transparencën dhe llogaridhënien, përfaqësuesit e partive politike në Kuvendin Komunal të Prishtinës theksuan se transparenca është në nivel, ku të gjitha kontratat me operator ekonomik janë publike në portalet digjitale të Komunës, mirëpo ka mungesë të llogaridhënies nga Komuna e Prishtinës. Gjithashtu, qasja në dokumente publike është mjaftë e lehtë dhe të gjitha afatet ligjore janë respektuar deri më tani nga zyrtarët komunal kurdo që është bërë ndonjë kërkesë e tillë nga këshilltarët komunal. Sipas këshilltarëve komunal, një pasqyrë mbi llogaridhënien e Komunës së Prishtinës mund të shihet në rruget e kryeqytetit, ku punimet në infrastrukturën rrugore kanë shkaktuar një kaos në komunikacion dhe në jetën e përditshme të qytetarëve.

Sa i përket gjithpërfshirjes së qytetarëve, këshilltarët komunal theksuan se dëgjimet publike të organizuara nga Komuna e Prishtinës në vitin e fundit kanë pasur numër të vogël apo fare pjesëmarrje nga ana e qytetarëve, dhe se sipas tyre arsyeja e mospjesëmarrjes së qytetarëve ka të bëjë më shumë me faktin që Komuna e Prishtinës nuk është duke i marrë parasysh kërkesat dhe shqetësimet e tyre pothuajse fare.

Bashkëpunimi ndërmjet anëtarëve të kuvendit komunal të partive të ndryshme është i mirë kur bëhet fjalë për të marrë vendime që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve theksuan këshilltarët komunal prezent në takim, mirëpo në shumë raste ka mospajtime dhe acarime mes tyre duke çuar kështu me raste deri në ofendime të rënda ndaj njëri tjetrit.

Ky sesion informues virtual u realizua në kuadër të projektit “Qeverisje Lokale transparente dhe llogaridhënëse”, si pjesë e programit Kosova që Duam, realizuar nga instituti Demokraci për Zhvillim, me mbështetje financiare nga Friedrich Ebert Stiftung (FES) në Prishtinë.