Punëtoria tre-ditore me anëtarë të kuvendeve komunale

08.07.2025

Në vazhdën e #DemocracyBootcamps ndër vite, u organizua një punëtori tre-ditore me anëtarë të kuvendeve komunale, me fokus përgatitjet për zgjedhjet lokale të vitit 2025.

Grupi i përfshirë në këtë trajnim përbëhej nga pjesëmarrës të mëhershëm të #DemocracyBootcamps, të cilët fillimisht u angazhuan si anëtarë të forumeve rinore apo kandidatë për këshilltarë komunalë. Gjatë gjithë mandatit të tyre, ata kanë qenë pjesë aktive e workshopeve dhe trajnimeve të ndryshme, të zhvilluara në përputhje me nevojat dhe kërkesat e tyre për rritje profesionale dhe angazhim më efektiv në qeverisjen lokale.

#DemocracyBootcamp përfshiu tema kyçe si sistemi i ri zgjedhor, parandalimi i lajmeve të rreme dhe angazhimi efektiv i komunitetit. Pjesëmarrësit patën mundësinë të punojnë në grupe, të ndajnë përvoja nga komunat e tyre dhe të zhvillojnë ide konkrete për nisma lokale që rrisin transparencën dhe përfshirjen qytetare në proceset vendimmarrëse. Përmes ushtrimeve praktike dhe simulimeve, ata u pajisën me mjete për të përmirësuar komunikimin me qytetarët dhe për të ndërtuar më shumë besim në institucionet lokale.

Gjithashtu kjo shërbeu si platformë për rrjetëzim dhe shkëmbim të praktikave të mira mes përfaqësuesve nga komuna të ndryshme, duke nxitur bashkëpunime të mundshme ndërkomunale
në të ardhmen. Fokus i veçantë iu kushtua përfshirjes së grave dhe të rinjve në proceset zgjedhore dhe politike lokale.

#DemocracyBootcamps të Institutit D4D iu ofrojnë të rinjve mundësi të zhvillojnë aftësitë e tyre, të fuqizohen dhe të informohen më thellësisht mbi çështjet politike, për të luajtur një rol më aktiv dhe të qëndrueshëm në vendimmarrje dhe politikat publike.