Punëtoria tre-ditore “Integriteti dhe komunikimi politik”

07.03.2021

Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) ka organizuar punëtorinë me të rinj dhe të reja pjesë të subjekteve politike në Kosovë mbi temën “Integriteti dhe komunikimi politik”.

Qëllimi kryesor i kësaj punëtorie ka qenë diskutimi mbi rëndësinë e integritetit politik, fuqizimit të rinisë dhe mos devijimi përgjatë udhëtimit të tyre politik. Gjatë kësaj punëtorie pjesëmarrësit janë informuar rreth principeve nacionale të kandidatëve politik dhe si duhet të sillen me integritet përgjatë fushatës elektorale. Njëkohësisht, kjo punëtori ka shërbyer si mekanizëm rrjetëzimi dhe krijimi i mundësive për bashkëpunim ndërmjet subjekteve politike të ideologjive të ndryshme në Kosovë. Punëtoria ishte tre-ditore dhe u mundësoi të rinjve/rejave të punojnë së bashku dhe të marrin informata të çmuara nga ekspertë të fushave.

Në ditën e parë të kësaj punëtorie me ligjërues z. Kreshnik Gashi nga kallxo.com, ndër të tjera u diskutua për: Zanafillën e “Fake News” dhe historikun e saj; Çka është “Fake News” dhe “Deep Fake”?; Çfarë ka ndikuar në zhvillimin e saj? Ndikimi i “Fake News” në jetën e përditshme; Përhapja dhe ndikimi i “Fake News” në Kosovë gjatë viteve të fundit, me theks të veçantë të përdorimit të “Fake News” për përfitime politike; Identifikimi dhe luftimi i “Fake News”; Metodat që mund të përdoren për identifikimin e tyre (në TV, portale dhe rrjete sociale); Metodat për luftimin e këtij fenomeni dhe parandalimin e rritjes së përdorimit të “Fake News” si vegël për përfitime etj.

Në ditën e dytë të punëtorisë të rinjtë/rejat pjesëmarrëse kanë pasur rastin që të zgjerojnë njohuritë e tyre mbi paraqitjen dhe sjelljen etike në publik përmes ligjërimit të znj. Albulena Sadiku nga BIRN. Gjatë kësaj pjese të punëtorisë, ligjërimi dhe diskutimi u fokusua edhe mbi mënyrat e komunikimit adekuat me elektoratin në takime të drejtpërdrejta (individuale dhe në grup) dhe përmes rrjeteve sociale.

Gjatë ditës së tretë të punëtorisë u ligjërua dhe diskutua mbi paraqitjen me integritet të politikanëve/eve të rinj/reja në të mirën e përgjithshme me ligjëruese znj. Jehona Lushaku, profesoreshë e Shkencave Politike në UP, ku pjesëmarrësit patën mundësinë të mësojnë më shumë mbi praktikat më të mira që duhet të zbatohen gjatë rrugëtimit të tyre në politikë. Gjithashtu, gjatë kësaj dite u ligjërua edhe mbi integrimin e barazisë gjinore brenda strukturave të subjekteve politike dhe mbi edukimin kundër korrupsionit.

Në këtë punëtori morën pjesë të rinj dhe të reja nga subjektet politike: Aleanca Kosova e Re (AKR), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Nisma Social Demokrate (NISMA), Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Partia Social Demokrate (PSD). Pjesëmarrësit ishin nga komunat: Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjakovë, Gjilan dhe Mitrovicë.

Instituti D4D do të vazhdojë të punojë ngushtë me të gjitha subjektet politike për fuqizimin e të rinjve dhe të rejave brenda strukturave.


Kjo punëtori u organizua në kuadër të projektit “Përfaqësimi i të rinjve me integritet politik” mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED).