Punëtoria: Drejtesia Zgjedhore dhe koordinimi ndërinstitucional në mbarëvajtjen e proceseve zgjedhore

25.06.2019

Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D), ka organizuar punëtorinë 3 ditore me temën Drejtesia Zgjedhore dhe koordinimi ndërinstitucional në mbarëvajtjen e proceseve zgjedhore”. Pjesë e kësaj punëtorie ishin institucionet për administrimin e zgjedhjeve (Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa) dhe ato për administrimin e drejtësisë (Prokurori i Shtetit, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, dhe Policia e Kosovës), të cilët edhe një herë u bënë bashkë me synimin e përbashkët për vazhdimin e trendit pozitiv të përmirësimit të procesit zgjedhor.

Qëllimi i kësaj punëtorie ishte synimi i vazhdimësisë së aktiviteteve të përbashkëta të institucioneve të zgjedhjeve dhe atyre të drejtësisë të cilat janë nënshkruese të Memorandumit të Bashkëpunimit. Gjithashtu si objektiv kryesore ishte identifikimi i të metave të mundshme në mënyrë që të evitohen në zgjedhje të ardhshme, si dhe bashkëpunimi ndërinstitucional jashtë periudhës zgjedhore.

Krerët dhe përfaqësuesit e këtyre institucioneve u shprehen se një bashkëpunim i tillë është gjithmonë i mirëpritur pasi që lehtëson dhe qartëson punën e secilit institucion si dhe forcon bashkëpunimin ndërinstitucional i cili është pa dyshim i domosdoshëm në mënyrë që procesi zgjedhor të vlerësohet si i rregullt dhe mirë përfunduar. Sipas pjesëmarrësve aty ku ka funksionalizuar procesi zgjedhor mirë deri më tani, ato praktika duhet ti forcojmë, ndërsa tek sfidat duhet të punojmë më shumë.

Për gjatë trajnimit, përfaqësuesit e institucioneve patën mundësi të punojnë në grupe në lidhje me mësimet e nxjerra nga cikli zgjedhor, të arriturat dhe sfidat dhe të dalin me rekomandime për të përmirësuar procesin zgjedhor në të ardhmen. Gjithashtu u bë shqyrtimi i udhëzuesit informues për proceset zgjedhore si dhe shqyrtimi i Memorandumit të Bashkëpunimit të cilin institucionet në fjalë e kanë nënshkruar në prill të vitit 2016, dhe i lehtësuar nga Instituti D4D, me qëllim të ngritjes së nivelit të bashkëpunimit dhe koordinimit të vazhdueshëm institucional.

Instituti D4D, do të vazhdoj edhe më tutje bashkëpunimin me të gjitha institucionet por edhe partitë politike, drejt përmirësimit të procesit zgjedhor.