Konferencë në Tiranë për lansim të punimit “Konektivitet për zhvillim: Rruga drejt zhvillimit ekonomik”

02.11.2018

Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D), në një konferencë të organizuar në Tiranë lansoi raportin rajonal “Konektivitet për zhvillim: Rruga drejt zhvillimit ekonomik” i cili analizon projektet infrastrukturore në Kosovë, Shqipëri dhe Serbi. Raporti është publikuar në bashkëpunim me Lëvizjen Evropiane në Shqipëri, dhe Transconflict nga Serbia në kuadër të programit Think and Link përkrahur nga Fondi Evropian për Ballkanin (European Fund for the Balkans).

Procesi i Berlinit, si një prej iniciativave më ambicioze lidhur me zgjerimin e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor, në vete mbartë agjendën e konektivitetit, e cila luan rol të rëndësishëm në ndërlidhjen brenda rajonit. Agjenda e Konektivitetit është e përqendruar rreth ndërtimit të infrastrukturës së transportit dhe energjisë, ku si rrjedhojë përfitues janë qytetarët e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Punimi paraqet rekomandime në nivel politikash që do të mundësonin një zbatim më efikas të agjendës së konektivitetit si nivel individual të shteteve, po ashtu edhe në atë rajonal. Rekomandimet kryesore janë mbledhja, ruajtja dhe publikimi i të dhënave statistikore në përputhje me standardet evropiane; zbatimi efikas i masave të buta të agjendës së konektivitetit; veprime të koordinuara për projektet e përbashkëta infrastrukturore; publikimi i informatave të përditësuara që rrisin transparencën; zgjidhja e problemeve dypalëshe përmes avokimit nga qeveritë; përfshirja e përfituesve në fazat e hershme, dhe rishikimi i procedurave në bazë të kapaciteteve dhe nevojave të shteteve përfituese.

Në këtë konferencë u diskutuan projektet momentale të cilat janë duke ndodhur në Kosovë, Shqipëri dhe Serbi. Theks të veçantë u vë në pjesën e sfidave që po hasin këto shtete me realizimin e projekteve duke pas parasysh edhe pjesën financiare, dhe kapacitetet relativisht të vogla të shteteve përkatëse. Ajo që është edhe një prej rekomandimeve të punimit, ishte pjesa ku u pajtuan të gjithë, që duhet të ketë më shumë maturi e vullnet nga qeveritë për tu realizuar projektet që janë pjesë e Agjendës së Konektivitetit.