Konferenca për lansimin e punimit “Konektivitet për zhvillim: Rruga drejt zhvillimit ekonomik”

12.02.2019

Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D), sot ka lansuar punimin “Konektivitet për Zhvillim: Rruga drejt zhvillimit ekonomik”, hulumtim ky i përqendruar në Kosovë, Shqipëri dhe Serbi. Ky hulumtim është realizuar me bashkëpunim ndërmjet D4D-së, Lëvizjes Evropiane në Shqipëri (EMA) dhe Transconflict në Serbi, me mbështetje nga Fondi Evropian për Ballkanin.

Punimi mëton të vë në dritë kompleksitetin e Procesit të Berlinit, e sidomos Agjendës së Konektivitetit.

Valëza Zogjani, Hulumtuese e Politikave në D4D, theksoi se operimi në një rajon i cili ende po i vuan pasojat e konflikteve të fundit të viteve të 1990-ta, rivaliteti politik mes shteteve e kontestet bilaterale, vështirësitë dhe barrierat ekonomike të aplikuara mes shteteve sigurisht që nuk e lehtësojnë jetësimin e qëllimeve të kësaj agjende, që është arritja besimit mes popujve të rajonit përmes pikave kyçe të cilat mundësojnë rritjen e bashkëpunimit të tyre, se paku atij ekonomik, përmes investimeve në infrastrukturë ndërlidhëse.

“Por sigurisht, Agjenda për Konektivitet afektohet gjithashtu edhe nga niveli i pabarabartë i zhvillimit ndër shtete, niveli i ultë i kapaciteteve shtetërore të shteteve pjesëmarrëse për të implementuar masat e buta dhe ato të forta infrastrukturore, ndikojnë negativisht në maksimizimin e benefiteve të kësaj agjende”, tha znj. Zogjani.

Mona Xhexhaj nga Lëvizja Evropiane në Shqipëri tha se kur jemi tek Shqipëria, projektet që janë pjesë e agjendës se konektivitetit gjenden në faza të ndryshme të realizimit dhe disi në përputhje me afatet përkatëse për zbatim. Megjithatë, ajo theksoi se disa prej sfidave që po ngadalësojnë procesin e avancimit të projekteve janë kapacitetet administrative dhe respektimi i standardeve teknike të detyrueshme.

Dritero Arifi, profesor universitar theksoj se procesi i Berlinit nuk ka arritur objektivat e pritura. “Pa pajtim rajonal nuk mund të këtë agjendë të duhur të procesit të Berlinit. Kjo s’ka ndodhur dhe ky mund të adresohet si dështim i Bashkimit Evropianë”, tha z. Arifi.

Ndërkohë, Donika Emini, hulumtuese në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë tha se procesi i Berlinit është proces polikë, të cilin Kosova është dashur ta shfrytëzoj maksimalisht meqë është i vetmi proces ku Serbia nuk ka mundur ta bllokoj.