Forumi virtual për Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë

21.09.2020

Përkundër kufizimeve të mëdha të vendosura nga përhapja e pandemisë COVID-19, Dita Ndërkombëtare e Demokracisë u shënua edhe në Kosovë me një varg aktivitetesh të ndryshme të organizuara në bashkëpunim mes Kuvendit të Kosovës dhe Organizatave të Shoqërisë Civile.

Në forumin virtual me temë “Roli i Kuvendit në ruajtjen e vlerave të demokracisë në Kosovë: Ruajtja e besimit qytetar gjatë luftimit të informatave të gabuara, dezinformatave dhe lajmeve të rreme”, të organizuar nga D4D në bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës, e ftuar për një fjalë hyrëse ishte znj. Vjosa Osmani-Sadriu, kryetare e Kuvendit të Kosovës, ndërsa në panelin e diskutimit të ftuar ishin z. Hajrulla Çeku, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje; z. Shkëmb Manaj, deputet i Lidhjes Demokratike e Kosovës; znj. Teuta Haxhiu, deputete e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe z. Albert Krasniqi, drejtor i programeve në organizatën Demokraci Plus.

Qëllimi i këtij forumi virtual ishte diskutimi mbi punën e Kuvendit të Kosovës gjatë vitit të fundit në ruajtjen apo rritjen më shumë të vlerave të demokracisë dhe besimit të qytetarëve në institucionet vendimmarrëse, si dhe ndikimi i lajmeve të rreme, dezinformatave dhe informatave të gabuara në punën e Kuvendit dhe mekanizmat e përdorur për luftimin e këtyre fenomeneve.

Forumi virtual filloi me një fjalë mirëseardhëse nga znj. Rezarta Krasniqi, drejtore ekzekutive e D4D-së, për pjesëmarrësit në këtë diskutim dhe njëherësh theksoi rëndësinë e integritetit të lartë politik dhe zgjedhor dhe sigurimit që qytetarët të jenë të informuar mirë dhe saktë për të pasur një proces sa më të mirë zgjedhor. Luftimi i dukurive si lajmet e rreme, informimi i gabuar, dhe dezinformi do të jenë pjesë e objektivave të D4D-së përmes projektit “Përfaqësimi i rinisë me integritet politik”, me përkrahje nga organizata National Endowment for Democracy. Ndër të tjera, znj. Krasniqi theksoi se “D4D synon që të rritë vetëdijësimin tek rinia për lajmet jo të vërteta, dhe t’iu ofroj atyre mënyra për identifikimin dhe luftimin e tyre, në mënyrë që ndikimi i tyre të jetë sa më i ulët në proceset vendimmarrëse dhe politikëbërëse në të ardhmen”.

Në fjalën hyrëse, znj. Osmani-Sadriu, ndër të tjera, theksoi se përveç se “interneti dhe rrjetet sociale kanë krijuar hapësirë të paimagjinuar për pjesëmarrje dhe aktivizëm, kjo hapësirë e palimituar paraqet njërën nga sfidat kyçe të kohës tonë, sfidë që nuk përballemi vetëm ne në Kosovë, por në çdo vend të botës. Ndonëse liberalizimi i shpërndarjes së lajmeve përgjithësisht ka qenë i mirëseardhur, pasi që ka sjell demokratizim më të madh të hapësirës publike, kërcënimi që po i kanoset demokracive sot nga lajmet e rreme është tejet i madh dhe kërkon trajtim serioz ”.

Në pjesën e dytë të forumit më shumë i diskutua mbi punën e Kuvendit, kornizën ligjore, ndikimin e lajmeve të rreme në besimin e qytetarëve në institucionet publike, por pati edhe shembuj personal të sulmeve përmes lajmeve të rreme. Në fjalën hyrëse z. Çeku tregoi për rastin personal si cak i lajmeve të rreme ku dyshohej “për mashtrim dhe keqpërdorim të fondeve gjatë kohës sa kam qenë pjesë e shoqërisë civile. Aty pretendohet se ndaj meje do të fillojnë apo kanë filluar hetimet dhe shumë shpifje të tjera.” Ai theksoi se ligjbërësit, siç janë deputetët, duhet të sigurohen që legjislacioni duhet ta favorizoj lirinë e shprehjes dhe debatit, si dhe media duhet të ketë mekanizma vetërregullues të brendshëm.

Sa i përket punës së Kuvendit, z. Manaj theksoi se është “arritur një progres i madh në rritjen e transparencës dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës ka përgjegjësinë më të madhe në ruajtjen e vlerave të demokracisë, përmes aprovimit të ligjeve dhe të rezolutave dhe akteve të tjera ligjore. Kështu që, Kuvendi ka rolin e gardianit të demokracisë edhe në aspektin e bërjes së legjislacionit por edhe në aspektin e mbikëqyrjes së institucioneve të tjera të qeverisë dhe gjithë institucioneve të tjera publike.”

Besimi i qytetarëve në institucionet publike, veçanërisht tek deputetët e Kuvendit të Kosovës, sipas z. Haxhiu ka pësuar rënie ndër vite, si rezultat i fjalorit të degraduar ndonjëherë nga deputetët gjatë seancave të Kuvendit, dhe ndonjëherë edhe përmes informatave të pavërteta apo të gabuara.

Derisa deputetët u fokusuan nga brenda institucioneve publike, z. Krasniqi dha një pikëpamje nga jashtë mbi punën e Kuvendit dhe ndikimin e lajmeve të rreme në besimin e qytetarëve në institucionet publike. Ndër të tjera, z. Krasniqi theksoi se përkundër që për nga korniza ligjore për mbrojtjen nga lajmet e rreme nuk jemi edhe aq keq, dhe mekanizma të tjerë që mbrojnë qytetarët nga shpifjet, prapë ka hapësira të cilat do të duhej të mbuloheshin nga një nismë ligjore në Kuvendin e Kosovës.

Si përfundim, rekomandim nga ky takim doli fillimi i angazhimit të deputetëve për një nismë ligjore që do të mbronte qytetarët nga lajmet e rreme, informimit të gabuar, dhe dezinformimit, gjë që do të kontribuonte në rikthimin dhe rritjen e besimit të qytetarëve tek përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Kosovës por edhe në institucionet e tjera qeverisëse.

Ky forum virtual u realizua nga D4D në bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës, për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, aktivitet i cili është edhe në kuadër të projektit “Përfaqësimi i rinisë me integritet politik”, mbështetur financiarisht nga National Endowment for Democracy (NED).