
Të premten me datë 26 qershor 2020, Instituti D4D mbajti diskutimin informues me temë: “Barrierat e grave në politikë”, në Komunën e Prizrenit. Qëllimi i mbajtjes së këtij aktiviteti ishte diskutimi mbi gjendjen aktuale dhe sfidat në të cilat hasin vajzat/grate e kësaj komune gjatë procesit zgjedhor.
Në këtë takim pjesëmarrës ishin gra nga politika, aktiviste nga shoqëria civile dhe Zyra Komunale e Zgjedhjeve në Prizren. Në fillim të këtij takimi, u diskutuan disa nga pikat kryesore mbi gjendjen aktuale. Më tutje u zhvillua punë grupore me qëllim që të diskutohet mbi motivin për votim, barrierat kryesore të grave gjatë proceseve elektorale si dhe mbi përfaqësimin e denjë të grave gjatë këtyre proceseve.
Gjatë diskutimit u potencua se në shoqërinë tone ende ka paragjykime për pjesëmarrje politike të grave, e kjo si rrjedhojë e mendësisë patriarkale në shoqëri. Ndër të tjera, u rekomandua që të organizohen fushata vetëdijësuese për çështjet preokupuese të këtij grupi në mënyrë që këto sfida të adresohen më lehtë.
