Ceremonia vjetore e shpërblimeve në kuadër të projektit “Leja prindërore për barazi gjinore”

11.12.2018

Prishtinë, 11 dhjetor 2018 – Instituti Demokraci për Zhvillim  mbajti ceremoninë vjetore të shpërblimeve në kuadër të projektit “Leja prindërore për barazi gjinore” që financohet nga Qendra Ndërkombëtare Olof Palme dhe mbështetet nga Qeveria Suedeze.

Ambasadorja e Suedisë në Kosovë, Karin Hernmarck Ahliny, një fjalën e saj hyrëse vuri në pah rëndësinë e ofrimit të lejes prindërore si mundësi, përveç tjerash, edhe  për burrat. Ajo po ashtu tha që ky sistem mundëson rrugën përpara për një shoqëri që dëshiron të lejoj secilin/en të arrij potencialin e tij/saj të plotë. Është e drejtë e njeriut.

Ndërsa Edi Gusia, Kryeshefe Ekzekutive,  Agjencia për Barazi Gjinore theksoi që ABGJ nuk është e kënaqur me propozimin aktual për pushim të lehonisë dhe pushim prindëror, prandaj, ajo shtoi se  rekomandimet e D4D-së në këtë drejtim janë të mirëseardhura. Për më shume ajo theksoi hulumtimet po tregojnë që burrat në Kosovë janë të gatshëm për prindërim. Prandaj  është momenti i fundit ta ndryshojmë qasjen dhe të ofrojmë modele praktike që mundësojnë përfshirjen e gjysmës së popullatës.

Po ashtu Shpend Emini, Drejtor Ekzekutiv, D4D, tha se shteti ynë duhet të ofroj mundësi të barabarta në treg të punës për të dy gjinitë. Propozimi  aktual në draftligjin për pushim të lehonisë dhe pushim prindëror është diskriminues jo vetëm në raport të mos-inkurajimit të burrave të marrin pjesë në jetën e fëmijëve por dhe si i tillë sjell pasoja ekonomike duke dekurajuar gratë të mos kërkojnë punë dhe jo vetëm.  Ngjarja e sotme do të duhej të shërbej edhe si thirrje për rishikim të modelit të propozuar nga qeveria dhe për të ofruar një model të bazuar në kërkesat e popullatës, saktësisht prindërve. Pra për të mundësuar një ndarje më të balancuar të pushimit mes të dy prindërve dhe ofrimit të pushimit prindëror me pagesë për të inkurajuar një pjesëmarrje me aktive sidomos të baballarëve në jetën e fëmijëve.

Gjatë kësaj ngjarje u ndanë çmimet e gazetarisë për barazi gjinore  për gazetarë/e të cilët/at në punën e tyre e kanë mbuluar çështjen e barazisë gjinore në treg të punës, veçanërisht duke theksuar rëndësinë e politikave siç është leja prindërore në Kosovë. Çmimin për storien më të mirë të shkruar këtë viti e fitoi Dafina Halili me serinë e shkrimeve “Vështirësitë e të qenit nënë e punësuar në Kosovë” dhe  “Dispozitat e pushimit të lehonisë po i përjashtojnë baballarët kosovarë”. Çmimin për Storien më të mirë audio këtë vit e mori Bajram Lani me storien “Pushimi prindëror – përgjegjësi për burrat, mundësi për gratë”. Ndërsa  çmimin për storien më të mirë video  këtë viti e fitoj Nerënxa Jakupi me storien  “Burrave iu mohohet e drejta për të marrë pjesë në procesin e lindjes” .

Po ashtu,  çmimin  organizatën më të  mirë të vitit, e cila ka politika që mundëson balancë mes jetës dhe punës duke promovuar lejen e atësisë prej një muaji për baballarë e fitoi YMCA në Kosovë.  Njëjtë, janë ndarë  çmimet për baballarët e vitit, të cilët kanë marrë leje të atësisë dhe janë angazhuar në kujdes për fëmijët duke mundësuar kështu shpërndarje më të barabartë të detyrave brenda familjes.  Veton Kastrati, Enes Toska dhe Ekrem Lutfiu ishin tre nga baballarët e vitit të zgjedhur në mesin e 50 baballarëve të nominuar, e të cilët janë shembull për ndarje të barabartë të përgjegjësive me partneret e tyre.