“Breakfast briefing” me këshilltarët e Kuvendit Komunal të Gjilanit

08.04.2019

Përmirësimi i komunikimit mes ekzekutivit dhe legjislativit, si dhe bashkëpunimi ndërmjet vet këshilltarëve të Kuvendit Komunal të Gjilanit janë ndër sfidat kryesore të theksuara nga këshilltarët komunal të Komunës së Gjilanit gjatë takimit jo-formal “breakfast briefing” që instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) e organizoi më 5 prill në Gjilan.

Qëllimi i këtyre takimeve është diskutimi i politikave të Komunës së Gjilanit për përmirësimin e parimeve të qeverisjes së mirë, puna e Kuvendit Komunal dhe bashkëpunimi ndërmjet grupeve të partive politike për të shtyrë përpara projekte që adresojnë kërkesat, shqetësimet dhe nevojat e qytetarëve që ata përfaqësojnë.

Kryetarët e grupeve të partive politike në pozitë në Kuvendin Komunal theksuan gatishmërinë e tyre, por edhe të vet organeve komunale, për të bashkëpunuar me të gjithë përfaqësuesit e qytetarëve të Komunës. Ndërsa at të partive opozitare theksuan se përkundër përmirësimeve nga mandatet e kaluara, prapë ka parregullsi që duhen adresuar, ndër to më të theksuara ishin: a) futja pa rend e pikave të ditës në mbledhjet komunale, duke anashkaluar kështu rregulloren e Kuvendit Komunal; b) mospërfillja nga drejtorët e drejtorive të Komunës së Gjilanit, të cilët nuk janë shumë të qasshëm, dhe ndonjëherë edhe i shmangen përgjigjeve në pyetjet që i parashtrojnë anëtarët e Kuvendit Komunal.

Ndër temat e diskutuara me udhëheqësit e grupeve të partive politike të përfaqësuara në Kuvendin Komunal të Gjilanit, ishin edhe funksionalizimi i komiteteve konsultative që kanë qenë ndihmë mjaftë e madhe për këshilltarët komunal në ushtrimin e detyrave të tyre, funksionalizimi i këshillave të fshatrave dhe lagjeve të Komunës së Gjilanit, udhëheqësit e të cilave zgjidhen me votë të drejtpërdrejtë nga banorët e fshatrave dhe lagjeve, si dhe përfaqësimi i pakënaqshëm gjinor në strukturat vendimmarrëse të Komunës së Gjilanit.

Përkundër përmirësimeve, këshilltarët komunal theksuan se duhet punuar më shumë drejt përmirësimit të bashkëpunimit mes partive brenda Kuvendit Komunal, mes anëtarëve të Kuvendit dhe ekzekutivit të Komunës, si dhe mes Komunës dhe Qytetarëve, nëse dëshirojmë përmirësimin e qeverisjes dhe krijimin e kushteve më të mira për zhvillim brenda komunës.

Këto takime realizohet në kuadër të projektit “Pjesëmarrje e gjerë për qeverisje të mirë”, i cili implementohet nga instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) me mbështetje nga Ambasada Holandeze në Kosovë.