Bashkëbisedim me ministrin Reçica për fuqizimin e dialogut social

22.02.2019

Dje patëm kënaqësinë që në bashkëbisedimin me të rinjtë nga mbarë Kosova, të kishim prezent Ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale z.Skender Reçica, me ç’rast u publikua edhe manifesto “Dialogu Social për Fuqizim” si rezultat i dialogut me mbi 320 të rinjë dhe të reja, sindikata dhe përfaqësues nga shoqëria civile nga e gjithë Kosova. Në këtë bashkëbisedim, Ministri dhe të rinjtë diskutuan mbi rëndësinë e dialogut social, implementimin e Agjendës për Punë të Dinjitetshme, rritjen e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës dhe rritjen e rrjeteve të sindikatave në të gjithë sektorët ekonomik.

Diskutimi i djeshëm vuri në pah nevojën për një analizë më të detajuar të tregut të punës në mënyrë që të përmirësohet mënyra e absorbimit të kuadrove të rinj. Në mënyrë që të ulet papunësia, vendit i nevojitet një plan nacional, një bashkërendim më i mirë ndër-institucional dhe përkrahja e donatorëve dhe investitorëve. Ministri prezantoi iniciativat ligjore për avancimin e të drejtave të punëtorëve si dhe angazhimin institucional për ofrimin e mundësive për të rinjtë jenë pjesë e tregut të punës dhe përpjekjet për rritjen e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës që ende vazhdon të jetë i ultë. Të rinjtë u inkurajuan të aplikojnë për trajnimet profesionale të cilat ofrohen në mënyrë që të lehtësohet inkuadrimi i të rinjëve në tregun e punës.

Manifesto i publikuar dje i drejtohet institucioneve politikë-bërëse, sindikatave, subjekteve politike dhe çdo hisedari tjetër me qëllim aplikimit të metodave përmirësuese karshi Agjendës për Punë të Dinjitetshme në Kosovë.

Ky aktivitet u organizua në kuadër të projektit “Dialogu social për fuqizim”, mbështetur nga EYE, projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe implementohet nga konsorciumi HELVETAS Swiss Intercooperation dhe MDA.