Monitorimi i Kodit të sjelljes për përdorimin e përgjegjshëm të  rrjeteve sociale gjatë zgjedhjeve lokale 2025

02.12.2025

Raporti “Monitorimi i Kodit të sjelljes për përdorimin e përgjegjshëm të  rrjeteve sociale gjatë zgjedhjeve lokale 2025,” i realizuar nga Demokraci për zhvillim (D4D), analizon komunikimin politik në mediat sociale gjatë periudhës së fushatës për zgjedhjet lokale të mbajtura më 12 tetor 2025.

Qëllimi kryesor i raportit është të vlerësojë respektimin e Kodit të sjelljes për përdorimin e përgjegjshëm të rrjeteve sociale gjatë zgjedhjeve lokale 2025, si dhe të identifikojë shkeljet që kanë ndikuar në atmosferën e fushatës dhe cilësinë e debatit publik.

Monitorimi është zhvilluar në 14 komuna të Kosovës duke përdorur një metodologji të kombinuar cilësore dhe sasiore, e cila ndërthur analizën manuale të përmbajtjes me përdorimin e platformës Pikasa për detektimin e automatizuar të komenteve, postimeve dhe reagimeve problematike.

Monitorimi ka përfshirë platformat digjitale si Facebook, Instagram, TikTok dhe portalet e lajmeve online.

Gjetjet kryesore:

  • 152 shkelje u identifikuan gjatë periudhës së monitorimit (1 shtator – 26 tetor 2025)
  • 95% e shkeljeve ndodhën në Facebook, duke e konfirmuar atë si platformën dominuese për komunikimin politik para zgjedhjeve; TikTok përbënte 5% dhe Instagram vetëm 1%.
  • Gjuha e urrejtjes ishte forma më e zakonshme e shkeljes (70%), e ndjekur nga ngacmimi personal (“bullying”) (14%), dezinformimi (9%) dhe nxitja për dhunë (1%). (Shih fjalorthin e përkufizimeve në aneksin 3 më poshtë).
  • Kandidatët për kuvendet komunale ishin shkelësit më të shpeshtë (66% e rasteve), të ndjekur nga mediat (13%), analistët politikë (11%) dhe kandidatët për kryetar komune (10%).

 

Monitorimi i Kodit të sjelljes për përdorimin e përgjegjshëm të rrjeteve sociale gjatë zgjedhjeve lokale 2025

  • Ndër partitë politike, Lëvizja VETËVENDOSJE! (LVV) ishte burimi i më shumë se gjysmës së shkeljeve të identifikuara (58%), e ndjekur nga PDK (13%), Alternativa (6%), AAK (5%) dhe Lista Serbe (SL) (2%).
  • Për sa i përket cakut, PDK ishte partia më e sulmuar (30% e përmbajtjes negative), e ndjekur nga LVV (16%) dhe LDK (13%).
  • 40% e shkeljeve ndodhën para periudhës zyrtare të fushatës, duke treguar se aktorët politikë shpesh testojnë mesazhet e tyre jashtë afatit ligjor, ndoshta për të shmangur ndëshkimet që mund të aplikohen gjatë fushatës elektorale.
  • Prizreni (36%) dhe Prishtina (21%) regjistruan numrin më të madh të shkeljeve, ndërsa nuk u identifikuan shkelje në komunat ku pakicat etnike janë shumicë.