• Shqip

Ilaçi janë zgjedhjet, problemet zgjidhen vetë!

02.05.2017 Rasim Alija

Vrapi i Kosovës drejt demokracisë me pengesa çdo njëmijë metra, ende kërkon punë për t’i kaluar pengesat pa u rrëzuar, për të mbërritur tek caku i synuar. Në një përshkrim të thjeshtë të asaj që quhet parakusht për qeverisjen në një vend demokratik, partitë politike garojnë në zgjedhje, fitojnë mandatet për të bërë qeverinë dhe kuvendin, duke pretenduar për një cikël katër vjeçar të qeverisjes. Ky përshkrim i thjeshtëzuar duket që nuk vlen në rastin e kulturës politike tek ne. Qeverisjet e deritashme i ka përcjellë sindroma e mandateve të lëna në gjysmë, duke shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme çdo tre vite, duke gjetë ilaçin e zgjidhjes së problemeve, shtyrjen e tyre. Në rrethanat e pas shpalljes së pavarësisë më 2008 dhe me bërjen e kushtetutës, u krijua mundësia për një ambient të qartë të agjendave që duheshin ndjekur gjatë viteve në vazhdim. Kjo duke lënë anash kalkulimet e interesave politike, duke u fokusuar në zgjidhjen e problemeve ekonomike dhe sfidave që kishte shtet ndërtimi, por ky rezultoi mision i pamundur. Legjislaturat e 2007-ës dhe ajo e 2010-ës që të dyja patën përfunduar pa përmbushur ciklin e rregullt katër vjeçar. Në rrethanat aktuale duket që edhe kjo legjislaturë do përfundoj sikur dy të mëparshmet, duke e ndarë skenën politike në pro dhe kundër zgjedhjeve të jashtëzakonshme, ose lënien e mandateve në gjysmë.

Sipas përfaqësuesve opozitarë janë defektet strukturale ato që pamundësojnë çuarjen e mandateve deri në fund. Oportunizmi politik, kultura politike dhe cilësia e dobët e përfaqësuesve në kuvend, duke zgjedhur si pjesë të qeverisjes njerëzit më me peshë tek partitë, bënë që kuvendi të mos mund t’i mbijetojë një rrëzimi të qeverisë. Mungesa e arbitrave u theksua t’a ketë përcjellë Kosovën gjatë kësaj legjislature. Zvogëlimi i rolit ndërkombëtarë, roli i mediave dhe shoqërisë civile në analizimin e njëmend të programeve të partive politike ka rezultuar me cilësi të dobët të legjislativit duke e bërë kuvendin të papërfillshëm. Një pikëpamje tjetër është mungesa e elitës politike që do të ishte e gatshme të zgjidhte problemet e vendit, duke theksuar se koalicioni aktual është ndërtuar mbi bazën e agjendave siç janë demarkacioni dhe asociacioni. Mungesa e vendimeve nga ana e qeverisjes dhe dinamika e ulët e punës së kuvendit, janë arsye të mjaftueshme që krizës ti jepet zgjidhje me zgjedhje të jashtëzakonshme, duke aluduar se kriza është edhe politike e edhe institucionale. Tjetër vështrim ndryshe është se përkundër rënies së dinamikës së punëve, duhet të insistohet në respektimin e afateve të rregullta ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve, duke argumentuar që çdo iniciativë ligjore që është në proces do të kthehej në pikën zero, në rast të zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Tutje respektimi i afateve të rregullta zgjedhore do tu jepte mundësi partive politike të garonin me një program përmbajtësor para votuesve të tyre, duke e shmangur ngutinë që shkaktojnë zgjedhjet jo të rregullta.

Megjithatë klima politike e krijuar rreth mbajtjes ose jo të zgjedhjeve, ka bërë që partitë politike të orientohen drejt fushatave zgjedhore, duke ulur intensitetin e angazhimit dhe punës së tyre në legjislativ dhe ekzekutiv. Edhe pse zgjedhjet e jashtëzakonshme janë pjesë e demokracisë, ato nuk reflektojnë stabilitet institucional dhe maturi politike. Praktika e deritashme shpien drejt një precedenti që sa herë që për çështje me rëndësi nuk ka dakordim të gjerë politik, proceset të lihen në gjysmë dhe të shkohet në zgjedhje, duke nxjerrë qeveri të re me probleme të vjetra. Pikat e vetme që bashkojnë palët drejt një konsensusi është nevoja për reformën zgjedhore dhe rënia e dinamikës së punës së kuvendit, ndërsa çdo konsensus drejt temave si demarkacioni duket të jetë i pamundur. Për më shumë palët kanë qëndrime kundërshtuese edhe me mënyrën e qeverisjes, me rrugën që duhet ndjekur vendi drejt zhvillimit ekonomik, me ndërtimin e sistemit të drejtësisë e luftën kundër korrupsionit. Një opozitë e pa lëkundur nga qëndrimi kundërshtues ndaj demarkacionit dhe mënyrës së qeverisjes, duke kërkuar zgjedhje të reja përballë një koalicioni të madh numerikisht, por të lëkundur, ky është bilanci i palëve në proces.

Diagnoza duhet të ndryshojë, ilaçi i zgjidhjes së problemeve me lënie të mandateve në gjysmë duhet të zëvendësohet me përgjegjësi politike, duke mos e bërë një oportunizmin politik me zgjidhjen reale të problemeve që ballafaqohet vendi. Partitë politike e kanë detyrim emancipimin politik të shoqërisë, duke u dhënë zgjidhje problemeve, ndërsa ajo çka ofrojnë sot nuk i ngjason një modeli të tillë. Siç duket duhet të mbetemi të “kënaqur” me qeverisje tri vjeçare, dhe të lutemi që jetëgjatësia të mos bie në dy, ndërsa qytetarëve u mbetet të shpresojnë që problemet e tyre nuk do të shtyhen, por do të zgjidhen.