• Shqip

Tryezë diskutimi: ‘Drejtësia në zgjedhje: Fotografimi i fletëvotimit’

05.04.2018

Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) ka filluar serinë e takimeve rajonale, me fokus në sfidat e identifikuara gjatë proceseve të zgjedhjeve të mbajtura në vitin 2017. Diskutimi i parë është mbajtur sot në Prizren me temën ‘Drejtësia në zgjedhje: Fotografimi i fletëvotimit’, ku pjesëmarrësit kanë diskutuar për sfidat dhe veprimet e ndërmarra gjatë dhe pas procesit zgjedhor. Në takim është theksuar se dukuria e fotografimit të votës, edhe pse e ulët në përqindje, vazhdon të mbetet një dukuri për të cilën duhet punuar më shumë, sidomos në aspektin e edukimit të votuesve dhe informimin mbi pasojat që ndërlidhen përkitazi me cenimin e përcaktimit të lirë të votuesve, dhënien apo marrjen e ryshfetit si dhe cenimit të fshehtësisë së votimit.

Takimi i sotëm ka pasur për qëllim forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit mes institucioneve përgjegjëse, nënshkruese të memorandumit për bashkëpunim mbi procesin zgjedhor (Prokurori i Shtetit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Paneli për Ankesa dhe Parashtresa, dhe Policia e Kosovës), dhe hapat që duhet të ndërmerren për përmirësimin e drejtësisë zgjedhore. Në takim kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të partive politike, zyrës së Avokatit të popullit dhe organizatave të shoqërisë civile.

Ky diskutim është organizuar në kuadër të projektit “Avancimi i Proceseve Demokratike në Kosovë”, përkrahur nga Departamenti Federal i Punëve të Jashtme të Zvicrës, përmes Ambasadës Zvicerane në Prishtinë, implementuar nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D).