Simulimi i zgjedhjeve me të rinj

18.10.2017

Instituti Demokraci për zhvillim është duke organizuar simulim të zgjedhjeve në disa shkolla të mesme përreth Kosovës në kuadër të projektit “Pjesëmarrje e gjerë për qeverisje të mirë”. Simulimi i zgjedhjeve është ngjarje edukative që i mëson të rinjt të jenë votues të informuar. Prej javës së kaluar, rreth 500 të rinj nga komuna e Gracanicës, Ferizajit, Gjilanit dhe Prishtinës kanë votuar në procesin e simuluar të zgjedhjeve.

Pjesëmarrësit simuluan tërë procesin zgjedhor, duke përfshirë kandidimin e subjekteve politike, fushatën zgjedhore, ditën e zgjedhjeve dhe procesin e numërimit në vendvotim, ku vetë të rinjt/rejat luajtën rolin e partive politike fiktive, stafit te KQZ-së, medias dhe vëzhguesve.

Deri në fund të kësaj jave, së paku 800 të rinj do të marrin pjesë në simulimin e zgjedhjeve. Në këtë mënyrë, para zgjedhjeve lokale 2017, të rinjt pjesëmarrës do të marrin njohuri të duhura për t’u bërë pjesë aktive e proceseve të rëndësishme politike dhe elektorale.

Këto aktivitete u mbajtën në kuadër të projektit “Pjesëmarrje e gjerë për qeverisje të mirë”, i cili mbështetet nga Ambasada Holandeze në Kosovë.