Publikimi i dy punimeve nga D4D në bashkëpunim me dy ministri

22.07.2015

Më 21 korrik 2015, Instituti Demokracia për Zhvillim, në bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës dhe atë të Punës dhe Mirëqenies Sociale, publikuan punimet e hulumtimit “Shqyrtimi i politikave për votim jashtë vendit” dhe “Pensionet, ndihma sociale, skemat e punësimit: Kosova në krahasim me disa vende tjera”. Të ftuar në panel ishin Valon Murati, Ministër i Diasporës, Arban Abrashi, Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Qemajl Marmullakaj, Drejtor i Zyrës për Planifikim Strategjik, Valdete Idrizi, Drejtoreshë Ekzekutive CiviKos, Leon Malazogu, Drejtor Ekzekutiv D4D dhe Shpend Emini, menaxher i lartë i programit në D4D. Këto hulumtime janë në kornizën e projektit “Politikbërja efektive në Kosovë” që mbështetet nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë.

Punimi “Shqyrtimi i politikave për votim jashtë vendit” në bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës ka për qëllim që të kontribuoj në rritjen e pjesëmarrjes së diasporës në proceset zgjedhore në Kosovë, përmes shqyrtimit të praktikave të votimit jashtë vendit në shtetet e tjera, studimit të barrierave të diasporës për të votuar dhe ofrimit të rekomandimeve që akterët e zgjedhjeve mund t’i konsiderojnë për të lehtësuar procesin e votimit jashtë vendit.

Ndërsa punimi “Pensionet, ndihma sociale, skemat e punësimit: Kosova në krahasim me disa vende tjera” në bashkëpunim me Ministrine e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka për qëllim që të tregojë shembuj të vendeve tjera se si i kanë të rregulluara këto fusha dhe të ofron rekomandime në reforma të përshtatshme për Kosovën.

Për rëndësinë e bashkëpunimit të institucioneve shtetërore dhe shoqërise civile të dy ministrat u shprehen që ky bashkëpunim të forcohet edhe më shumë në të ardhmen. Gjithashtu mungesa e kapaciteteve brenda institucioneve shihet si një problem që ndalon që vet institucionet të dalin me hulumtime të tilla.

Ministri i Diasporës, Valon Murati, tha se pjesëmarrja e diasporës në vendimmarrje është shumë e vogël dhe se duhet bërë diçka më shumë që kjo gjendje të ndryshohet. Gjithashtu ai shtoi që ide mbi vendet e rezervuara për diasporën është jashtë realitetit tani për t’u realizuar dhe prandaj duhet të përqendrohemi brenda kornizave të realitetit.

Në anën tjetër, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, u shpreh që ka hasur në probleme dhe sfida e sidomos sa i përket statistikave për të papunësuarit. Po ashtu ai u shpreh që punimi do të ndihmojë si bazë për të pasur politika më të mira në të ardhmen. Qemajl Marmullakaj u shpreh që korniza ligjore ekziston për politikbërje por duhet të ketë më shumë involvim të publikut në këtë proces.

Drejtori Ekzekutiv i Institutit D4D, Leon Malazogu, foli për rëndësinë e bashkëpunimit duke treguar që njëri ndër qëllimet është edhe të fusim një praktikë të re në institucione që të hapen për diskutim dhe të hapen për kritikë.

Menaxheri i lartë i programit në D4D, Shpend Emini tregoi për qëllimet e projektit i cili parasheh një përfshirje sa më të madhe të publikut në politikbërje. Ndërsa Valdete Idrizi tregoi se si duhet të ndryshohet qasja e disa institucioneve ndaj shoqërisë në përgjithësi dhe t’u jepet më shumë rëndësi diskutimeve dhe konsultimeve publike dhe e përgëzoi këtë bashkëpunim duke shpresuar që do të vazhdojë.