Ftesë për praktikantë dhe shkëmbim personeli

03.05.2016

PEER 2 PEER Learning është një projekt i Institutit Demokraci për Zhvillim-D4D në partneritet me Qendrën për de-politizimin e shoqërisë Kosovare-CDKD, financuar nga USAID-i, përmes Programit Avancojmë Kosovën së bashku-zgjidhje vendore.

Projekti Peer 2 Peer është një projekt i cili zgjatë 10 muaj dhe ka për synim rritje të bashkëpunimit dhe ndërveprimit ndër etnik, kryesisht në mes të komuniteteve shumicë dhe atyre pakicë të Kosovës. Qëllimi është që të rritet bashkëpunimi dhe të mundësohet transferimi i njohurive si dhe praktikave më të mira, duke krijuar kështu mundësi për bashkëpunim të qëndrueshëm organizativ. Projekti është dizajnuar për ndërtimin e kapaciteteve dhe bashkëpunimin e anëtarëve të shoqërisë civile dhe për të menaxhuar shkëmbimin e praktikës në mes të OSHC-ve.

Projekti është duke kërkuar aplikacione nga studentët të cilët dëshirojnë të kryejnë praktikë për një periudhë prej gjashtë javësh. Pritet që 30 praktikante/ë nga të gjitha komunitetet në Kosovë, do të sistemohen në OSHC-të lokale.

Pritet që këto praktika dhe shkëmbime do të krijojnë bazën për OSHC-të për nxitjen e bashkëpunimit dhe ndërveprimit në mes të komuniteteve shumicë dhe pakicë dhe për të përmirësuar dhe për të forcuar marrëdhëniet midis OSHC-ve të komuniteteve. Organizatat mikëpritëse do të punojnë ngushtë me D4D dhe CDKD për t’u mundësuar praktikantëve një ambient pozitiv të të mësuarit.

Programi i praktikës është i dizajnuar t’u sigurojë praktikantëve një përvojë mësimore konkrete përmes punës praktike, të cilat do t’u ndihmojnë në krijimin e shkathtësive të vlefshme dhe të transferueshme në të ardhmen. Gjithashtu, praktika do të ju ofrojë përvoja të reja të punës në një ambient shumë kulturor. Kandidatet femra inkurajohen fuqimisht të aplikojnë.