

Demokraci për Zhvillim (D4D) vazhdon monitorimin e dezinformimit gjinor dhe gjuhës së urrejtjes në rrjetet sociale!
Sot po e nisim një seri të re infografikash që krahason periudhat e monitorimit nga dhjetori 2024 deri në korrik 2026, për të pasqyruar me të dhëna rrjedhën e gjuhës së urrejtjes ndaj grave në hapësirën online në Kosovë.
Periudha I (Dhjetor 2024 – Maj 2025): Monitorimi 6-mujor i përqendruar te gratë në politikë zbuloi një nivel të lartë fyerjesh direkte dhe seksizmi të hapur, ku deri në 19% e komenteve ndaj figurave publike si Fitore Pacolli, Albulena Haxhiu e Hykmete Bajrami përmbanin gjuhë urrejtjeje. Kjo periudhë u karakterizua nga tituj mediatikë që objektivizonin pamjen ose moralin e grave, si dhe nga përdorimi i gjerë i etiketimeve denigruese si “hajdute”, “analfabete” apo “rrugaçe” me synim delegjitimimin e tyre profesional.
Periudha II (Dhjetor 2024 – Nëntor 2025): Të dhënat për të viti 2025 tregojnë një shtrirje masive ku 14% e më shumë se 660 mijë komenteve të analizuara (mbi 91 mijë komente) përmbanin urrejtje, duke dëshmuar se abuzimi ka kaluar nga sulmet verbale në taktika më strukturore. Gjuha e urrejtjes tashmë po përdor Inteligjencën Artificiale (Deepfake), dezinformimin gjinor të orkestruar, abuzimin e dyfishtë ndaj grave nga komunitetet pakicë, si dhe humorin e memet si mbulesë për të normalizuar misogjinë në hapësirën digjitale.
Monitorimi gjatë kësaj periudhe është realizuar me mbështetjen e projektit “Mbështetje për shoqërinë civile në Kosovë”, financuar nga Dukati i Madh i Luksemburgut dhe implementuar nga LuxDev, Agjencia e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor.
