Shpresat dhe rezervat për Fondin Sovran

19.06.2023 Visar Prebreza

Nëse funksionalizohet, Fondi Sovran do të jetë reforma më e madhe ekonomike në Kosovë që nga përfundimi i luftës në vitin 1999. Ky Fond, që është lansuar në maj të vitit 2023, pritet të ketë ndikim të drejtëpërdrejtë në punën e ndërmarrjeve publike, Agjencinë Kosovare të Privatizimit, tregun e kapitalit dhe në nën-sektorë të tjerë siç është prokurimi publik.

Megjithatë, deri në ditën kur pritet të shihen ndryshimet substanciale në ekonominë e Kosovës duhet të pritet goxha shumë. Në versionin më optimist, pas miratimit të Ligjit për Fondin Sovran duhet të kalojnë edhe dy vite derisa Fondi të jetë plotësisht funksional dhe të fillojë të ketë ndikim në ndyrshimin e mënyrë se menaxhimit të ndërmarrjeve publike.

Edhe pse Fondi zyrtarisht është lansuar, ligji ende nuk ka kaluar në Kuvendin e Kosovës. Procedurat për kalimin e këtij ligjit në Kuvend, nëse nuk vendoset të ndiqen procedurat e përshpejtuara, do të marrin kohë deri në vjeshtë. Përveç kësaj, kohë të gjatë do të merrë edhe procesi i vlerësimit të aseteve të ndërmarrjeve publike e shoqërore, para se ato të kalojnë në fondin sovran. E tregu i kapitalit është pjesë e draftit të Ligjit të Fondit Sovran, por është menduar se do të jetë funksional pas disa viteve. Mentor Hyseni, udhëheqës i ekipit të ekspertëve që ka punuar në konceptin e Fondit Sovran, ka thënë se në tregun e kapitalit pritet të funksionalizohet tek pas 10 viteve, kur të përfundojnë investimet në zhvillimin e ndërmarrjeve publike.

Ndërmarrjet Publike

Ndryshimet kryesore pritet të jenë në mënyrën e funksionimit të ndërmarrjeve publike. Fondi Sovran do të formohet si shoqëri aksionare, në bazë të ligjit për shoqëritë tregtare. Aksionari kryesor i kësaj ‘super ndërmarrjeje’ do të jetë shteti i Kosovës. Kuvendi i Kosovës pritet të ketë rolin kryesor (aksionarin), të cilët do të zgjedhin Bordin Mbikqyrës. Bordi Mbikqyrës do të zgjedhë bordin ekzekutiv, që do të drejtohet nga kryeshefi i Fondit Sovran.

Ndërmarrjet Publike do të vazhdojnë të kenë bordet e tyre respektive, por ato do të raportojnë te Fondi Sovran dhe jo siç raportojnë tash te njësia e monitorimit të ndërmarrjeve publike që është në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë. E një prej ndryshimeve kryesore, pritet të jetë mundësia për të financuar projektet kapitale të ndërmarrjeve publike. Në Fondin Sovran do të grumbullohen fitimet që do të kenë ndërmarrjet publike, duke e krijuar një fond investiv. Ky fond, më pas, do të shpërndahet te ndërmarrjet publike. Shembull, ndërmarrjet publike do të aplikojnë te Fondi (kompania Amë) me projekte kapitale zhvillimore. Më pas, Fondi do të vendosë se cilat projekte do të financohen nga fitimet e grumbulluara të ndërmarrjeve publike.

Shembull, nga fitimet e KEK-u që të kalojnë te Fondi, do të mund të financojnë ndonjë projekt kapital në ndërmarrjet tjetër TrainKos. Kështu, TrainKos do të mund të fillojë të marrë tregun e transportit hekurudhor. Nga udhëheqësi i ekipit të ekspertëve për hartim të koncept dokumentit për Fondin Sovran, Mentor Hyseni, kjo mënyrë e financimit është vlerësuar si mundësi për modernizim të ndërmarrjeve publike, përmirësim të shërbimeve që ato i ofrojnë qytetarëve dhe do të ndikojë që ato të jenë konkurrente në treg.

Në fazën e parë, është paraparë që nën Fondin Sovran të kalojnë gjashtë ndërmarrje publike: KEK, Telekomi i Kosovës, Posta e Kosovës, Infrakos, Trainkos dhe Trepca. Para se këto ndërmarrje të kalojnë nën Fondin Sovran, do të bëhet një analizë e detajuar e këtyre ndërmarrjeve duke përfshirë një vlerësim të aseteve të tyre. Kjo është një nga sfidat e Fondit Sovran, pasi deri më tani nuk është bërë ndonjë vlerësim profesional e real i vlerës dhe aseteve të këtyre ndërmarrjeve.

Sfidë tjetër për mënyrën e funksionimit të Fondit Sovran lidhet me nenin e draftit të ligjit për këtë fond që parasheh që Fondi dhe ndërmarrjet të operojnë me rregulla të veçanta të prokurimit, jashtë ligjit për Prokurim Publik. Mentor Hyseni, udhëheqës i ekipit të ekspertëve, ka thënë se operimi i ndërmarrjeve publike jashtë ligjit të prokurimit është e vetmja mënyrë që ato të bëhen konkurrente në treg. Siç ka argumentuar ai, Ligji për Prokurim Publik dhe sidomos procedurat e tejzgjatura për shqyrtim të ankesave ka treguar se është e pamundur të realizohen projekte kapitale në kohë të shkurt, të cilat janë jetike për ndërmarrjet si: Telekomi i Kosovës apo edhe KEK-u që përballën në baza ditore me konkurrencë nga tregu vendor apo ai rajonal. Por, profesori i ekonomisë, Sejdi Rexhepi, ka shprehur rezervat e tij për këtë reformë, pasi sipas tij, kjo rrit rrezikun e keqpërdorimeve në fushën e prokurimit.

Ndërmarrjet Shoqërore

Nën Fondin Sovran pritet të kalojnë edhe një pjesë e aseteve që aktualisht menaxhohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, të cilat janë pjesë e ndërmarrjeve shoqërore. Meqë kemi të bëjmë me ndërmarrje shoqërore, qeveria ende nuk është përcaktuar për mënyrën se si do të marrë këto asete në pronësi të vet. Aktualisht janë disa opsione që janë në tavolinë. E para është shpronësimi i tyre. Një mënyrë tjetër është, zotimi i qeverisë që do të mbulojë borxhet, pretendimet dhe kompensimin prej 20% ndaj ish-punëtorëve të këtyre ndërmarrjeve. Opsioni i fundit është parë që përmban në vete më shumë rrezik, pasi pretendimet eventuale të borxhlinjve mund të jenë më të larta se sa vet vlera e atyre aseteve. Janë përmendur disa prej shembujve që kanë përdorë qeveritë e kaluara për ndërmarrjet shoqërore, siç është Trepça apo ndërtesa e ish-Rilindjes që tash është në pronësi të qeverisë së Kosovës.

 Ndikimi në sektorin privat

Fondi Sovran do të ketë ndikim direkt edhe në sektorin privat. Në draftin e ligjit për Fondin Sovran është paraparë që fondi të ketë mundësi të përkrahjes për ndërmarrjet private që do të certifikohet si “sipër­marrjet kampione”. Sipër­marrjet kampione mund të bëhen, ndër të tjera, ato që kanë së paku pesë­dhjetë (50) punë­torë të rregullt dhe që dëshmon prak­tikat më të mira të qe­ve­risjes kor­po­ra­tive. Do të jetë një Agjenci e re që pritet të themelohet që do të jetë për­gje­gjëse për­ për­krahjen e eks­porteve dhe cila do të vendosë se cila si­për­marrje do të jenë kam­pione. Fondi Sovran mund të blejë aksione të ndërmarrjeve private brenda dhe jashtë Kosovës.

Rreziku

Një nga rreziqet kryesore të këtij fondi mund të jenë paqëndrueshmëria eventuale politike. Në bazë të përvojave nga e kaluara, profesori i Ekonomisë, Sejdi Rexhepi, tha se Fondi ka rrezik të dështojë nëse nuk arrihet një konsensus i plotë me partitë opozitare, pasi në rast të ndërrimit të pushtetit në vitet e ardhshme, ndonjë parti politike mund të vendosë ta kthejë në pikën zero këtë fond, siç ka ndodhur në të kaluarën me politikat dhe projektet madhore që janë stopuar nga partitë që kanë qenë në opozitë në kohën e inicimit të tyre. Mentor Hyseni, nga Fondi Sovran, ka thënë se do të dëgjohen kërkesat dhe vrejtjet racionale të opozitës dhe grupeve të tjera të interesit në mënyrë që ato të inkorporohen në Ligjin për Fondin. Ai si shembull mori faktin që grupi i ekspertëve i ka marrë parasysh vërejtjet e ekspertëve në draftin e ligjit dhe të njëjtat i ka përfshirë në draftin aktual.

Ky editorial është shkruar në kuadër të Sallonit të së Martës i organizuar në bashkëpunim me The Friedrich-Ebert-Stiftung, Prishtina Office (FES Kosova)