Në një ekonomi të bazuar në tregun e lire, të mirat publike shpërndahen në mënyrë jo të barabartë mes individëve të asaj shoqërie. Kjo shpërndarje jo e barabartë qon në krijimin e pabarazive të theksuara socio-ekonomike mes shtresave të ndryshme të shoqërise. Prandaj, grupe të ndryshme ndikohen ndryshe nga çdo krizë ekonomike, përfshire këtu krizën ekonomike të shkaktuar si pasojë e përballjes me pandeminë Covid-19 e cila rrezikon të cënoj edhe më shumë mirëqenien e pjesëtarëve të shtresave më të ulëta socio-ekonomike. Kur kësaj i shtojmë edhe pabarazinë gjinore ekzistuese në shoqerinë tonë, vërejmë që edhe përbrenda këtyre shtresave, janë gratë si grup i veçant ato tek të cilat pasojat e mundshme ekonomike shumëfishohen.
Në përgjithësi, gratë janë më të rrezikuara nga krizat e mundshme ekonomike për shkak të pabarazisë gjinore ekzistuese i cila manifestohet në numrin e ulët të grave të kuqyra në tregun e punës me pagesë dhe numrin e lartë të grave në ekonominë joformale. Gratë poashtu nuk shpërblehen në terme ekonomike për punën dhe kontributin e tyre në zhvillimin ekonomik dhe atë shoqëror, punë e cila kryesisht zë vend në domenin private, në shtëpi. Gratë fitojnë më pak sesa burrat dhe rrjedhimisht kanë më pak kursime se ta. Gratë kanë më pak qasje në të mirat dhe shërbimet publike në përgjithësi, kjo ndër të tjera edhe si pasojë e normave dhe roleve gjinore që lidhin ngushtë gratë me privaten dhe burrat me publiken. Gratë, për shkak të këtyre normave ekzituese kanë më shumë të ngjarë të bartin barrën e punës së papaguar në shtëpi, përfshirë punën e kujdesit, gjë që mund të qoj më lehtë në përjashtimin e tyre apo tërheqjen e tyre nga tregu i punës me pagesë. Gratë poashtu, përbëjnë numrin më të madh të prinderve vetë-ushqyes.
Në Kosovë, gratë përbëjnë grupin me pasivitetin më të lartë ekonomik në vend. Shumica e grave, 77.8%, nuk marrin pjesë dhe nuk përfitojne nga tregu i punës me pagesë, dhe as edhe nuk kërkojnë një mundësi të tillë. 36.4% prej grave të cilat kërkojnë punë janë të papuna në krahasim me burrat prej të cilëve 22.2% janë të papunë, kjo edhe pse të dhënat tregojnë që gratë që kërkojnë punë janë më të kualifikuara sesa burrat. Gjendja sa shkon e vështiresohet për gratë e reja, prej të cilave 60.4% janë të papuna. Ndër arsyet kryesore se pse gratë mbesin ekonomikisht pasive është barra e pabarabartë e tyre për punën e kujdesit dhe punëve në shtëpi në përgjithësi, gjë e cila nuk paraqet pengesë për burrat. Gratë kalojnë 300% më shumë kohë në aktivitete të kujdesit për familje sesa burrat, kurse burrat kalojne 400% më shumë kohë në punësim sesa gratë. Gratë trashëgojnë shumë më pak nga familjet e tyre sesa burrat, madje e drejta e tyre në trashëgimi e garantuar me ligj, vazhdon të mbetet tabu duke u bazuar në norma kanunore përkunder ligjeve në fuqi. Gratë zotërojnë vetëm 17% të të gjithave pronave në vend dhe 35% të respodenteve të përshire në një studim deklaruan se gratë nuk duhet të trashëgojnë fare nga familjet e tyre.
Të dhënat e tilla që tregojnë për pozitën e grave në shoqëri; sfidat dhe pasojat, të cilat sa e shkaktojnë aq edhe e mirëmbajnë pabarazinë gjinore prej të cilës pësojnë më së shumti gratë si grup i veçant ndër të gjitha shtresat e shoqërise, dëshmojnë për domosdoshmerinë e përfshirjes së perspektivës gjinore në përgjigje ndaj çdo krize ekonomike. Edhe pse në bazë të Ligjit për Barazi Gjinore në Kosovë, qeveria obligohet të përfshijë perspektivën gjinore, një gjë e tillë nuk është përmbushur në Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike. Në këtë ligj thuhet se përfshirja gjinore duhet të bëhet “në çdo fazë të procesit, të planifikimit, miratimit, zbatimit, përcjelljes dhe vlerësimit të legjislacionit, politikave ose programeve dhe buxheteve, në të gjitha sferat politike, ekonomike dhe shoqërore”.
Obligimin e qeverisë për të përfshirë perspektivën gjinore në Pakon e Rimëkëmbje Ekonomike ua ka kujtuar edhe Rrjeti i Grave të Kosovës në publikimin “Masat për adresimin e COVID-19 nga perspektiva gjinore”, ku janë përfshirë rekomendime konkrete për Qeverinë e Kosovës se si të bëhet kjo. Dy nga rekomandimet ishin që të implementohej një analizë gjinore gjithëpërfshirëse që do të informonte dhe orientonte masat e mëtutjeshme të qeverisë, gjë e cila nuk ka ndodhur siq mund të shohim në bazë të asaj që është përfshirë në pako. Një analizë e tillë do të siguronte që masat që ndërmirren do të adresonin “edhe barrën e punës së papaguar të grave dhe rritjen e rrezikut të ekspozimit ndaj dhunës në baza gjinore”.
Rekomandimi tjetër lidhet me numrin e ulët të grave të përfshira në hartimin e planeve dhe politikave që lidhen me përballjen me pandeminë. Mospërshirja e grave në këto procese është parë me shqetësim edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë të cilët kanë deklaruar se nuk ka përfaqësim të barabartë të grave në këtë proces. Prandaj përfshirja e më shumë grave në këto procese përpos që është e domosdoshme për të adresuar nevojat e grave, është poashtu pjesë e Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurisë së OKB-së ku parashihet përfshirja e grave në proceset vendimmarrëse.
Përkundër nevojës ekzistuese për një perspektivë gjinore, obligimit ligjor, dhe rekomandimeve nga organizatat për të drejtat e grave, pakoja e rimëkëmbje ekonomike mëton të jetë neutrale ndaj gjinive, duke injoruar kështu implikimet gjinore tek grupet e ndryshme. Në pako përmenden “pjesëmarrësit kryesor në jetën ekonomike të vendit”, sidoqoftë, nuk definohet se kush janë këta pjesëmarrës dhe si llogaritet pjesëmarrja e tyre në jetën ekonomike. Megjithatë, duke u bazuar që pakoja i adreson kryesisht nevojat e bizneseve, dhe duke e konsideruar që janë burrat ata që zotërojnë dhe përfitojnë nga shumica e bizneseve në Kosovë, kjo na le të kuptojmë që kjo pako adreson nevojat e këtij grupi të njerëzve: burrat si pjesemarrës kryesor në jetën ekonomike të vendit përmes pjesëmarrjes së tyre në sektorin e biznesit në vend.
Ani pse pakoja përmend aktivitetin e ulët ekonomik të grave, duke theksuar që “shkalla e ulët e aktivitetit të grave në fuqinë punëtorë (më pak se 20%) dhe shkalla shumë e lartë e papunësisë në mesin e grave aktive (33%) përbën barrierën kryesore për realizimin e normave të përshpejtuara të rritjes ekonomike dhe rrjedhimisht përmirësim të kualitetit të jetës”, dhe përmes masës 3 synon të fuqizoj rolin e gruas në ekonomi, e vetmja masë konkrete që përfshihet në këtë pako është mbulimi 100% i shpenzimeve të interesit për bizneset që janë në pronësi të grave. Kjo, sado që mund të jetë efektive, adreson një grup tejet të vogël të grave të cilat mund të aplikojnë për një kredi. Numri i grave që aplikojne për kredi është shume i ulët për shkak të pengesave të shumta për t’u kualifikuar për një kredi; siq është mungesa e kolateralit. Poashtu, numër shumë i ulët i grave kanë biznese në pronësi të tyrë. Përmes kësaj mase nuk parashihet fuqizimi ekonomik apo mbështetja ekonomike për grupin më të madh të grave, ato që nuk kanë biznese në pronësi të tyre, ato që nuk kanë prona fare, dhe ato që nuk kanë asnjë burim financiar. Kjo pra është një përgjigje tejet e limituar për një problem masiv, dhe përjashton numrin më të madh të grave, e që janë ato që as nuk kanë qasje për të aplikuar dhe as nuk mund të kualifikohen për një kredi të tillë.
Deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu Hyseni, thotë se pakoja si e tillë i mbulon shumë pak nevojat e grave në përgjithei pasi që u dedikohet bizneseve dhe shumë pak preket interesi i përgjithshëm i qytetarëve. “Gratë ndërmarrëse, të cilat është paraparë të mbështeten përmes kredive, kanë një jetë ekonomike më të mire sesa gratë që nuk janë të kyqura në tregun e punës dhe që nuk kanë pavarësi ekonomike e që janë prekur shumëfish nga situata e krijuar nga pandemia”, thote znj. Kryeziu-Hyseni. Madje edhe gratë ndërmarrese janë më të rrezikuara në krahasim me burrat ndërmarrës pasi që shumica e tyre kanë në pronësi biznese të vogla për të cilat shërbimet bankare, përfshirë këtu kreditë, janë shumë të kufizuara, shton ajo. Gjithashtu, znj. Kryeziu-Hyseni përmend që bizneset që përballen me rrezikun më të lartë për t’u mbyllur janë pikërisht ato të grave. Në këtë pako “nuk flitet si do të ndihmohet qytetari i cili nuk punon, apo gruaja që nuk udhëheqë një bizen apo që nuk ka të ardhura ekonomike nga asnjë anë”, thotë deputetja Kryeziu-Hyseni.
Adelina Tërshani, Koordinatore projekti në Rrjetin e Grave të Kosovës thotë që në pakon e rimëkëmbjes ekonomike nuk përmenden hapa konkret se çfarë do të bëhet për fuqizimin ekonomik të grave. Sipas saj, sfida më e madhe e organizatave për të drejtat e grave mbetet që të bindin qeverinë se si zhvillimi ekonomik është i pamundur pa vlerësuar kontributin e grave. “Secila qeveri duhet të ketë parasysh, e sidomos kur mirren masa të tilla për rimëkëmbje ekonomike, që para se të ndërmirren këto masa fillimisht duhet të zhvillohet një analizë gjinore, dhe kjo mund të bëhet në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile”, thotë znj. Tërshani. Por, sipas saj, ka një rezistencë të të gjitha qeverive për të përfshirë perspektivën gjinore në zhvillimin e politikave dhe pikërisht kjo edhe mund të rrezikoj pozitën e grave dhe të mos përfshijë ato si akterë ekonomik në vend.
Duke i konsideruar pasojat ekonomike e sociale që pandemia mund t’i sjellë tek të gjithë, e sidomos gratë, ekziston frika që pandemia mund të na kthejë disa hapa mrapa në luftën për barazi dhe drejtësi gjinore në nivel global. Banka botërore thotë që në fakt ekziston rreziku që betejat e shumtë të fituara për fuqizimin e grave ndër vite, të mund të përmbysen. Prandaj është jetike që çdo intervenim dhe masë e ndërmarrë për të përballuar situatën, duhet me patjetër të ketë për bazë pabarazinë gjinore ekzistuese dhe pozitën e grave në shoqëri.
Për fund, nuk mund të tolerojmë të kemi politika të verbëra ndaj gjinisë përderisa gjinia për gratë mbetet identiteti më i dukshëm social që formëson jetën, përvojen, dhe mundësitë e tyre. Nuk ka neutralitet gjinor përderisa gjinia e ndikon jetën e individëve të një grupi në mënyrë specifike; mund të ketë vetëm verbërim ndaj këtij dimensioni, gjë e cila po ndodh në pakon e rimëkëmbjes ekonomike në Kosovë.