• Shqip

Sa është e vështirë për gratë e moshës së mesme të gjejnë punë në Kosovë?

26.11.2019 Nita Zogiani

Hendeku i punësimit mes grave dhe burrave ekziston në nivel botëror, mirëpo shifrat janë posaçërisht alarmante në Kosovë. Kosova është vendi me përqindjen më të ulët të aktivitetit të grave në treg të punës në Evropë. Hulumtimet tregojnë se arsye kryesore e përjashtimit të grave nga tregu i punës është se ato kanë përgjegjësi që të kujdesen për fëmijët dhe të moshuarit në familje, përcjellë nga mungesa e mundësive të punësimit, sidomos për gratë e moshës së mesme.

Më tutje, gratë që kërkojnë punë si dhe gratë e punësuara përballen me sfida të shumta siç janë: Diskriminimi gjatë punësimit; Diskriminimi në ngritjen në detyrë; Shkeljet e të drejtës për pagë të barabartë dhe për punë të barabartë; Shkeljet e të drejtës për pushim të lehonisë; Ngacmimi seksual në vendin e punës dhe të tjera.

Sipas statistikave të Raportit të Anketës së Fuqisë Punëtore për tremujorin e dytë të vitit 2019, në Kosovë pothuajse dy të tretat e popullsisë është në moshë pune (15-64 vjeç). Mirëpo, nga popullsia në moshë pune, 60.1 % nuk janë ekonomikisht aktivë. Ekzistojnë dallime të mëdha gjinore në tregun e punës në Kosovë dhe pjesëmarrja e grave në fuqinë punëtore të Kosovës është mjaft shqetësuese. Vetëm një në pesë (20.4%) gra në moshë pune janë aktive në tregun e punës, krahasuar me rreth tri te pestat (59.4 %) e burrave. Kështu, në tregun e punës në  Kosovë janë të punësuara vetëm 13.7 % e grave. Shkalla e punësimit te gratë për grup moshat 25-54 vjeç sillet nga 16.9% deri në 19.5%. Në grup moshën 25-34 vjeç shkalla e punësimit është 19.5%, kurse kemi rënie me 2.2 % në grup moshën 35-44 vjeç (17.3%), ndërsa shkalla e punësimit për grup moshën 45-54 vjeç është 16.9%.

Nga puna e organizatave të grave në terren është vërejtur se një faktor kyç që kontribuon në pjesëmarrjen e ulët të grave në fuqinë punëtore është përgjegjësia e ofrimit të kujdesit, kryesisht kujdesi për fëmijët dhe për të moshuarit. Këtë konfirmon edhe studimi i shfrytëzimit të kohës nga MCC, i cili tregon se gratë kalojnë 300% më shumë kohë në aktivitete shtëpiake dhe kujdes familjar (7.1 orë) sesa burrat (2.3 orë ).

Faktorët shoqëror dhe kulturor kontribuojnë në masë të madhe në qasjen e grave në tregun e punës. Hulumtimi i realizuar nga D4D në lidhje me faktorët që mbajnë gratë jashtë tregut të punës konfirmon faktin se në rastin e Kosovës mentaliteti patriarkal i pengon gratë që të përfshihen në tregun e punës. Sfida tjera të identifikuara sa i përket mos pjesëmarrjes së grave në fuqinë punëtore janë: mbizotërimi i roleve gjinore; mungesa e kujdesit të qasshëm për fëmijë; stereotipat gjinor lidhur me profesionet; niveli i ulët i posedimit së pronave nga gratë; puna e pa dokumentuar në ekonominë joformale; dhe klima e përgjithshme e dobët ekonomike.

Përkundër faktit se papunësia deri diku trajtohet në Kosovë, ajo pothuajse asnjëherë nuk është trajtuar në prizmin e sfidave të grave të moshës së mesme. Po ashtu, fondet janë të fokusuara kryesisht në fuqizimin ekonomik të të rinjve, duke përfshirë gratë e reja, gjë që pamundëson organizatat e varura nga këto fonde ta trajtojnë këtë çështje. Për më shumë edhe politikat shtetërore të punësimit janë kryesisht të orientuara kah rinia. Madje ka raste kur në konkurset për punë si dhe thirrjet për aplikime për donacione për hapjen e bizneseve të grave, të ekzistoj limiti moshës, zakonisht 25-35 vjeç, gjë që diskriminon dhe përjashton gratë e moshës së mesme.

Kur flasim për gratë e moshës së mesme në Kosovë, duhet të kemi parasysh kontekstin historik dhe vështirësitë apo pamundësitë që këto gra kanë pasur për shkollim të mirëfilltë gjatë viteve e 90-ta për shkak të situatës politike. Njëherësh, shumë profesione të cilat kanë ekzistuar para luftës, sot nuk ekzistojnë më. Një vështirësi tjetër veçanërisht për gratë e kësaj moshe janë edhe ndryshimet drastike dhe shumë të shpejta që po ndodhin në fushën e teknologjisë dhe mungesa e trajnimeve adekuate në këtë aspekt.

Problemi i pjesëmarrjes së grave në treg të punës është edhe më i theksuar në zonat rurale, ku gratë nuk kanë informatë që ekziston Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës, ku ato mund të kërkojnë punë. Për më tepër, edhe të gjeturat e hulumtimit të D4D-së tregojnë që 58.2% të grave kanë deklaruar se nuk kanë dëgjuar asnjëherë për zyrën e punësimit në komunën e tyre.

Çështja e ndarjes së profesioneve në bazë të gjinisë konsiderohet të jetë një tjetër problematikë. Duke theksuar kështu se sektorët e arsimit, shëndetësisë dhe të tregtisë punësojnë shumicën e grave në Kosovë. Ndërsa, sektorët e prodhimit e ndërtimtarisë punësojnë kryesisht burra. Përderisa në biznese, gratë vazhdojnë të mbesin jashtë vendimmarrjes dhe pozitave menaxheriale.

Aftësimi i grave ne fushën e teknologjisë, si dhe ofrimi i mundësive për zhvillimin e ideve inovative konsiderohet si një mundësi e mirë që gratë të vetëpunësohen apo të kenë sukses në ndërmarrësi, si një fushë në rritje të konsiderueshme gjatë viteve të fundit në Kosovë. Përvojat e kaluara në këtë fushë kanë treguar se fuqizimi ekonomik i grave, sjell edhe fuqizimin social në mënyrë më të lehtë dhe më të natyrshme. Prej aspektit ekonomik, kjo gjithashtu do të thotë rritje e GDP-së dhe ekonomisë së vendit. Për të realizuar potencialin e rritjes ekonomike, gratë duhet të luajnë rol aktiv në ekonomi, qoftë si punëtore apo si ndërmarrëse.

Diskriminimi me bazë gjinore mund të cenoj pjesëmarrjen e grave në fuqinë punëtore. Kështu, për të bërë tregun e punës më të qasshëm për gratë duhet të sigurohet mbrojtja nga diskriminimi me bazë gjinore, krijimi i politikave miqësore për gratë në vendin e punës si dhe krijimi i politikave që do të stimulonin bizneset për punësimin e grave. Kjo krahas krijimit të më shumë qendrave të kujdesit ditor për fëmijët, të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara si dhe rritjes së vetëdijes dhe sfidimit të qëndrimeve shoqërore që pengojnë fuqizimin ekonomik të grave, duke përfshirë njohjen ekonomike dhe shoqërore të punës dhe kujdesit të papaguar.