• Shqip

Rregullatorët në Kosovë: Sa të Pavarur dhe Llogaridhënës?

26.09.2017 Visar Sutaj

Në çdo demokraci, pavarësia e autoriteteve/institucioneve rregullative apo rregullatorëve është parakusht për ofrimin e shërbimeve cilësore ndaj publikut për një çmim të arsyeshëm. Në rast se këto institucione i parashtrohen ndikimit politik, atëherë performanca dhe qëndrueshmëria e tyre vihet në pikëpyetje. Në rastin e Kosovës, ndikimi politik ka qenë i shprehur në përzgjedhjen e anëtarëve të Bordeve. Në Raportin e Progresit (2016), Komisioni Evropian ka qenë mjaftë kritik ndaj procesit të ngadaltë dhe të politizuar për konsolidimin e Bordeve.

Në shumë vlerësime hulumtuese është raportuar që Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infra-strukturë, Tregti dhe Industri (KZhEITI) është i kufizuar në përzgjedhjen e anëtarëve të Bordeve të cilët/at shkojnë si pjesë e një liste të propozuar nga qeveria. Kjo do të thotë që procesi i konsolidimit të Bordeve nuk garanton konkurrencë të mirëfilltë dhe transparencë të plotë. E tërë kjo jep përshtypjen që partitë politike shfrytëzojnë fuqitë e tyre në përzgjedhjen e Bordeve që i përshtaten preferencave politike. Andaj, nuk është e çuditshme pse anëtarët e Bordeve në shumicën e rasteve nuk i përmbushin kriteret profesionale.

Për shumë vite, shumica e rregullatorëve kanë qenë jo-funksional me Borde të pakompletuara! Si rezultat, këto institucione kanë qenë jo-efektive në procesin e vendimmarrjes për të rregulluar dhe mbrojtur tregjet apo industritë përkatëse. Derisa Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) mezi që ka funksionuar për më shumë se tri vite, Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave (ARH) vazhdon të jetë i mangët në kapacitetet njerëzore dhe financiare për të mbështetur ofrimin e një infrastrukture më të pasur hekurudhore … E kështu me radhë, pasi që tregime të tilla janë të ngjashme tek shumica e rregullatorëve në Kosovë.

Se sa rregullatorët në Kosovë duhet jap llogaridhënie, ende mbet temë diskutimi. Sipas ligjit, rregullatorët duhet t’i raportojnë çdo vjet Kuvendit të Kosovës. Kjo në praktikë nuk ndodhë ashtu si duhet, pasi që në shumicën e rasteve raportet vjetore pranohen me vonesë dhe aprovohen pa ndonjë diskutim në përmbajtje. Në të njëjtën kohë, deputetët kanë mangësi të njohurive teknike për të vlerësuar punën e rregullatorëve ashtu siç raportohet, dhe nuk arrijnë të reagojnë në mënyrë profesionale dhe të ofrojnë kontribut se si duhet për-mirësuar puna e tyre. Kështu që, rregullatorët vazhdojnë të punojnë me performancë të dobët duke mos i jap llogari të mjaftueshme Kuvendit.

Si duhet vepruar tutje për ndryshimin e gjendjes aktuale mbet të jetë ende një fjalëkryq. Çështja e shkarkimit të Bordeve/Drejtorive, në raste kur rregullatorët bëjnë ndonjë shkelje apo nuk performojnë mirë, ka nxitur reagime që një iniciativë e tillë mund të cenojë vetë pavarësinë e rregullatorëve! Atëherë cila është alternativa më e mirë politike? Zgjidhja më e mirë për t’i pavarësuar dhe funksionalizuar rregullatorët në Kosovë është ngritja e kritereve profesionale në nivelin e Bordeve/Drejtorive. Në këtë drejtim, Kuvendi i Kosovës në vitin e kaluar ka nënshkruar Marrëveshje të Mirëkuptimit me Ambasadën Britanike. Qëllimi i kësaj iniciative është krijimi pozitave drejtuese sa më të pavarura & profesionale me ndihmën e partnerit realizues të Ambasadës në cilësinë e këshilluesit dhe mentorit.

Është herët për të gjykuar nivelin e progresit të kësaj iniciative pasi që deri më tani asnjë proces i rekrutimit dhe përzgjedhjes së rregullatorëve nuk është bërë sipas termave të kësaj Marrëveshje (Zyra e Rregullatorit të Energjisë është ende në fazën e përmbylljes së këtij procesi dhe ende nuk mund gjykuar se si kanë shkuar vlerësimet). Si do që të jetë, kjo iniciativë është tregues pozitivë për reformimin e sektorit rregullativ, me shpresën që partitë politike arrijnë të kuptojnë rëndësinë e rregullatorëve dhe si ata duhet ushtruar rolin e tyre në mënyrë të pavarur për të mirën e gjerë publike.

Përgjithësia kryesore për t’i tejkaluar këto sfida prapë mbet në Kuvendin e Kosovës i cili duhet të jetë më i kujdesshëm në procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të Bordeve. Kjo kërkon që legjislativi të krijoj një protokoll të rekrutimit si dhe një sistem përcjellës për përzgjedhjen e anëtarëve me kualifikime profesionale, proces i cili duhet të jetë më mirë i rregulluar dhe më transparent. Me Borde sa më profesionale dhe me integritet të lartë, performanca e rregullatorëve do të përmirësohet. Në këtë mënyrë Kuvendi i Kosovës do të ketë më lehtë të kërkojë llogaridhënie duke mos cenuar pavarësinë e këtyre institucioneve. Kjo, në të njëjtën kohë, kërkon që Kuvendi të përcaktojë kritere më specifike të vlerësimit të raporteve vjetore të rregullatorëve në mënyrë të siguroj që rekomandimet të përfillen në të ardhmen. Dhe në raste kur rregullatorët performojnë më mirë, Kuvendi duhet të mbështes më shumë nevojat e tyre, sidomos gjatë procesit të buxhetimit për t’u siguruar që këto institucione të kenë resurse të mjaftueshme financiare për të ushtruar funksionin e tyre.