• Shqip

Rikthim pa adresë!

14.12.2017 Albion Sherifi

Shoqëria jonë po rrëshqet ngadalë në një “popullatë lëvizëse” brenda trupit ekonomik evropian me shpresën për të gjetur një shtegdalje nga pamundësia ngulfatëse e realizimit të aspiratave të tyre ekonomike e shoqërore. Kjo natyrshëm vije si pasojë e zotërimit të një klime të pafavorshme institucionale për të përmbushur pritshmëritë dhe kërkesat qytetare. Arsyet e largimit nga vendi janë shumëdimensionale, qofshin ato arsye ekonomike , shëndetësore – për shërim ngase ka mungesa të infrastrukturës shëndetësore adekuate për trajtimin e sëmundjeve të caktuara, për shkak pakënaqësive politike, dhe humbjes së besimit në në institucioneve. Nuk do mend që një fenomen i tillë, ka hapur një arkë thesari për kontrabandën, të cilët duke e zbrazur vendin kanë mbushur xhepat e tyre. Ata që largohen nuk pyesin më për ligjet që sanksionojnë migrimin dhe as për lidhjen emocionale me tokën dhe vendin ku u rritën, ata mësyjnë individualisht apo familjarisht, përmes rrugëve sa më të shpejta, e në shumicën e rasteve  joligjore, të kapërcejnë vendnumërimin  drejt vendeve që ofrojnë më shumë mundësi për perspektivën e tyre dhe familjeve të tyre, për një punë më të pagueshme dhe një standard më të lartë mirëqenie. E gjithë kjo përfundon kur nuk arrihet “toka e premtuar”, “vendi i shpresës” dhe rezulton me përqendrimin e tyre në kampe të shteteve tranzite për vendin e destinimit. Nga raportimet mediale dhe bisedat mes njerëzve fare lehtë mund të konstruktohet ideja se kemi të bëjmë me rikthim të “kampeve të përqëndrimit”  në formën më brutale, keqtrajtimit dhe lënies së njerëzores menjanë. Në shekullin e lëvizjes së lirë dhe paqes së qëndrueshme, ekzistenca e kampeve të tila është sinjal se laku i izolimit po i zë frymën një shoqërie. Para se gjithash, këtë fenomen duhet parë në disa prizme, në atë politik, ekonomik, social e kulturor.

Në pikëpamje politike ekziston mendimi se një fenomen i tillë është nxitur dhe mbështetur edhe nga vende jomiqësore me shtetin tonë për të krijuar opinionin e një vendi të pa perspektivë dhe të pabanueshëm me kapacitete shtetërore që i ofrohen qytetarëve të saj. Në këtë kuadër duhet theksuar pritshmëritë e mëdha qytetare për një reformë ekonomike dhe hapje të vendeve të reja të punës, të cilat deri më tash më tepër se një titull medial dhe fjalë e thënë kanë rezultuar me realizim të pamjaftueshëm të këtij synimi. Në pikëpamjen sociale e kulturore, në një botë që zhvillohet përmes qarkullimit të idesë dhe lëvizjes së lirë që ka në thelb të saj ka lirinë individuale është fatale të imagjinohet një vend i izoluar, një shoqëri e izoluar nga rrjedha e zhvillimit botëror e që lëvizja e tyre kufizohet brenda kufinjve territorial e pak më gjerë ballkanik. Andaj një kurs i moderuar politik e shoqëror për trajtimin e shpejtë me zgjidhje konkrete për këtë fenomen është më se i domosdoshëm.
Në këtë pikë kemi shoqërinë të ndarë në dy grupe të mëdha: ata që largohen nga vendi dhe të rikthyerit. Për këta të fundit është investuar pak në infrastrukturën ligjore dhe të dokumenteve që rregullojnë këtë çështje, përjashto strategjitë dhe dokumentet e tjera që deri diku riciklojnë këtë fenomen dhe trajtimin e saj. Kryesisht sponsorët më të mëdhenjë të kësaj kauze për trajtimin dinjitoz dhe më me shanse për të rikthyerit apo të riatdhesuarit janë mekanizmat joqeveritar të cilët kanë avokuar vazhdimisht për këtë çështje në instance shtetërore. Natyrshëm edhe roli i shtetit është evident në trajtimin e këtij fenomeni, ndonëse jo me përkushtimin e merituar. Nëse e zbresim këtë kompetencë nga niveli qendror në atë lokal, vërejmë se në organet e qeverisjes lokale ekzistojnë zyre për të riatdhesuarit porse që kanë rol kryesisht teknik e të varfër në kuptimin e ndihmës familjeve apo personave të rikthyer. Mungon një mirëkoordinim në mes kompetencave dhe rolit të zyreve përkatëse nga niveli qendror në atë lokal. Gjithashtu edhe menaxhimi me financat e fondit për të riatdhesuarit është në vartësi të kompetencës qendrore e që praktikisht zyret lokale përkatëse janë të limituar në adresimin dhe ndihmën personave të rikthyer. E gjithë kjo pasqyrë funksionimi qeveritar për këtë çështje është e mjegulltë dhe me shumë mbivendosje rolesh që në instancë të fundit lë pa mbështetjen e duhur personat e rikthyer. Theksi natyrisht bie tek mungesa e një përkushtimi, serioziteti për të adresuar drejtë dhe në koordinim të plotë me të gjithë akterët qeveritar qendror dhe lokal të kësaj teme. Megjithatë ka një sinjal pozitiv në horizont kur kemi parasysh investimin ndërkombëtar për rregullimin e kësaj çështje edhe në nivel ligjor e praktik.
Zgjidhjet që mund të bëhen në këtë aspekt nuk janë të lehta e aq më pak pa koordinim ndërinstitucional. Për të arritur një standard minimal në trajtimin e kësaj kategorie shoqërore duhet të rishikohet dhe riformulohet roli i zyreve lokale mbi këtë çështje, duke i dhënë kompetencë të shtuar menaxheriale. Gjithashtu, fuqizimi i sektorit privat përmes politikave të punësimit dhe hapjes së bizneseve të reja është jetike në dhënien e zgjidhjes për mbështetjen materiale të të rikthyerve, por edhe më shumë në krijimin e kushteve që motivojnë njerzit të qëndrojnë. Institucionet  shtetërore duhet të bëjnë më shumë në luftën ndaj kontrabandës dhe trafikimit të qenieve njerëzore duke vendosur njëherë e mirë sundimin e ligjit në themel të funksionimit të shoqërisë. Tejet e rëndësishmë në këtë pikëpamje është edhe ndërmarrja e një reforme në arsim për të rikualifikuar kërkesat për fuqinë punëtore dhe nivelin e arsimimit në shoqërinë tonë, paçka nuk duhet lënë mënjanë edhe tendencën për fuqizimin e institucioneve të kujdesit social për të trajtuar dhe ndihmuar me zgjidhje praktike këtë kategori shoqërore, veçanërisht kur kemi një numër të madh të rikthyerish  fëmijë.  Kompleksiteti i trajtimit adekuat të këtij fenomeni ka reduktuar vullnetin institucional për të ofruar zgjidhje praktike e lehtësim  për të rikthyerit. Përpjekja e gjithë aparatit shtetëror dhe joqeveritar për të sendërtuar një shoqëri funksionale edhe në këtë pikëpamje është e domosdoshme dhe e pashmangshme në kuptimin afatgjatë.

Të rikthyerit duhet të kenë adresën e qartë dhe shtetin kujdestar për të trajtuar kërkesat e tyre si dhe për të ofruar ndihmën e nevojshme për të rimarrë në dorë mirëqenien e tyre. E gjitha mund të realizohet me seriozitet dhe koordinim gjithëpërfshirës në mes akterëve qeveritar dhe joqeveritar për të bërë më të jetueshëm dhe më me mundësi  vendin për të gjithë të rikthyerit. Është koha që ky fenomen të mos mbetet vetëm titull medial dhe thesar financiar për kontrabanduesit por mbrojtje e mirëqenie të ofruar nga institucionet përkatëse.