• Shqip

Puna praktike në arsimin e lartë dhe ngritja e kapaciteteve profesionale

30.05.2022 Egzon Osmanaj

Ndërlidhja e arsimit të lartë me tregun e punës është një ndër sfidat më të mëdha të shekullit 21, jo vetëm për Kosovën, por edhe vendet më të zhvilluara. Ndryshimet e shpejta dhe inovacionet e shumta teknologjike e kanë transformuar thuajse plotësisht mënyrën e funksionimit të ekonomisë dhe shoqërive bashkëkohore. Shumë prej profesioneve konvencionale tanimë janë në zhdukje e sipër ose fare pak të kërkuara. Të gjendur përballë një transformimi kaq të shpejt, sistemet e arsimit të lartë në vendet në zhvillim siç është Kosova, po hasin në vështirësi të theksuar për tu përshtatur më zhvillimet e shekullit të ri. Ky ndryshim, pavarësisht se duket më shumë teknik sesa vlerorë, ngërthen në vete një dilemë të pazgjidhshme ideologjike mjaft të vjetër: a duhet të jetë dija qëllim në vete apo institucionet e arsimit duhet të shndërrohen në ‘fabrika prodhimi’ të kuadrove profesionale sipas kërkesave të tregut të punës? Duke parë zhvillimet e reja teknologjike dhe transformimin e shpejt të ekonomisë botërore, duket se pjesa më e madhe e vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim veçse e kanë bërë zgjedhjen e tyre.

Por, ku qëndron Kosova në këtë mes? Sistemi i arsimit në Kosovë ende përballet me mungesë cilësie të theksuar dhe kurrikul të vjetërsuar. Reformat në këtë sektor kanë filluar qysh kaherë, mirëpo rezultatet janë të pakëta e ndikimi i tyre edhe më i vogël. Metodologjia dhe kurrikulat e të gjitha niveleve të arsimit kanë ndryshuar vetëm formalisht, përderisa në masë të madhe këto institucione ende funksionojnë sikurse para 20 vitesh. Prandaj, arsimi i lartë në Kosovë as nuk ofron dijen akademike e as shkathtësitë profesionale të kërkuara nga tregut i punës. Mossuksesi i reformave në arsimin e lartë në Kosovë është efekt zingjiror i të gjithë sistemit të arsimit në Kosovë. Mungesa e cilësisë, kurrikulat e vjetërsuara, si dhe mungesa e kompetencës së profesorëve në institucionet parauniversitare kanë ndikuar që arsimi i lartë të jetë më shumë i fokusuar në mësimnxënie sesa studim dhe përgatitje profesionale. Pavarësisht adoptimit të sistemit të Bolonjës, përmes së cilit synohet transformimi nga një sistem i të mësuarit dhe ligjërimit klasik në një sistem me pjesëmarrje aktive dhe mësim praktik, në shumicën e institucioneve të arsimit të lartë situata ka ndryshuar fare pak. Pjesa dërrmuese e programeve të fakulteteve të universiteteve publike karakterizohen nga metodologji joadekuate dhe literaturë të vjetërsuar dhe aspak në hap me zhvillimet e kohës. Ta zëmë, shumica nga programet universitare në fushën e teknologjisë së informacionit në institucionet publike, vazhdojnë të përdorin literaturë bazë të vjetërsuar në rastin më të mirë, e deri në të papërdorëshme, pavarësisht zhvillimeve të mëdha në këtë fushë. Në të njëjtën kohë, metodologjia e punës është krejtësisht joadekuate dhe e papërshtatshme me zhvillimet e fundit teknologjike. Kësisoj, këto programe as nuk ofrojnë dijën e nevojshme teorike e as shkathtësitë e kërkuara praktike.

Një trend më ndryshe po vërehet së fundi në institucionet private të arsimit të lartë. Disa nga institucionet private kryesore të arsimit të lartë viteve të fundit kanë adoptuar strategji të ndryshme nga ato publike, duke i përshtatur programet e tyre kryesisht me kërkesat e tregut të punës. Për më tepër, shumë nga këto institucione private, përmes marrëveshjeve për bashkëpunim me kompani nga sektorë të ndryshëm, po arrijnë që t’iu sigurojnë studentëve të tyre fillimisht një punë praktike, për të aplikuar njohuritë e fituara, e më pas edhe punësim të plotë. Kjo strategji po tregohet e suksesshme sidomos në sektorin e teknologjisë së informacionit, i cili ka një rritje eksponenciale viteve të fundit. Për rrjedhojë, institucionet private të arsimit të lartë po bëhen gjithnjë e më atraktive për të rinjtë kosovarë, duke bërë që edhe numri i studentëve që zgjedhin institucionet publike të arsimit të lartë të bie.

Por, çfarë strategjie duhet të ndjekin institucionet e arsimit në Kosovë në mënyrë që t’i përgatisin studentët e tyre për tregun e punës?

Fillimisht, është e domosdoshme që reforma të fillojë të paktën nga niveli i mesëm i arsimit. Kosova ka mungesë të theksuar të shkollave të profilizuara profesionale në nivelin parauniversitar. Edhe ato ekzistuese karakterizohen nga mungesë e theksuar e cilësisë, mungesë të mjeteve të punës, kabineteve adekuate, si dhe të stafit të kualifikuar. Mungesa e cilësisë në këto shkolla profesionale përveç se i ngarkon institucionet e arsimit të lartë, e vonon shkollimin dhe përgatitjen e rinisë së Kosovës për tregun e punës. Prandaj, duke investuar në arsim profesional përmes një reforme thelbësore, në vend të imponimit, të rinjve të Kosovës do t’iu mundësohej që të zgjidhnin mes dy opsioneve: aftësimit profesional para universitar apo vazhdimit të studimeve akademike. Ky sistem aplikohet kryesisht në Gjermani, dhe i ofron këto dy mundësi kryesore të rinjve gjerman. Sistemi parauniversitar i mundëson të gjithë nxënësve përgatitjen profesionale për treg të punës, duke i aftësuar në fusha të ndryshme profesionale. Kësisoj, pothuajse secili i ri gjerman pajiset me aftësi profesionale dhe është i gatshëm për tregun e punës më së voni në moshën 18 vjeçare. Ndërkaq, si mundësi të dytë, për të gjithë të rinjtë e interesuar në akademi apo shkencë, sistemi i arsimit të lartë iu mundëson të vazhdojnë studimet e avancuara dhe thellojnë njohuritë e tyre në fushën në të cilën ata janë të interesuar.

Si opsion të dytë, Kosova mund të ndjekë shembullin e Britanisë së Madhe, e cila ngjashëm sikurse Kosova, ka një sistem të arsimit të fokusuar më shumë në aspektin akademik sesa atë profesional, në të cilin dija është qëllim në vete dhe jo mjet. Mungesa e shkollave profesionale në Britani të Madhe bënë që shumica e të rinjve te përfundojnë duke studiuar në programe të ndryshme universitare, të cilat, në mase të madhe u ofrojnë vetëm dijen akademike, pa ndonjë shkathtësi profesionale praktike. Në këtë mënyrë, një i ri britanik e përfundon arsimin e lartë duke mos zotëruar ndonjë aftësi profesionale specifike dhe ngjashëm sikurse në Kosovë, duke qenë në masë të madhe i papërgatitur për tregun e punës. Për të rregulluar këtë problem, Britania e Madhe ka krijuar qendra të trajnimit profesional për të papunët, të cilat funksionojnë në kuadër të qendrave të punësimit dhe iu mundësojnë trajnime profesionale të papunëve me qëllim të zhvillimit të shkathtësive profesionale që kërkohen nga tregu i punës. Si rezultat, një i ri britanik rreth moshës 22-23 vjeçare i fiton shkathtësitë e ngjashme që një i ri gjerman veçse i ka fituar në moshën 18 vjeçare.

Kësisoj, Kosova gjendet në mes dy opsioneve të ndryshme: të ndërmarrë një reformë të thellë e cila do ta transformonte sistemin e arsimit parauniversitar dhe atë universitar duke e orientuar drejt aftësimit profesional më shumë sesa dijës akademike, apo të ofrojë mundësi për trajnime profesionale dhe aplikim të dijës akademike nga studentët pas përfundimit të studimeve universitare. Në këtë mes, vetëm status quo-ja nuk është zgjidhje.