• Shqip

Procesi i Vettingut: Qëndrimi i Komisionit Evropian kundrejt Qeverisë së Kosovës

10.12.2021 Kreshnik Gashi

Një deklaratë rreth procesit të Vettingut në raportin e progresit të Komisionit Evropian nxiti debat të madh në Kosovë. Pyetjet dhe raportimet në media ishin që Bashkimi Evropian është kundër Vettingut dhe se planet e qeverisë, për të zhvilluar këtë proces janë duke u kundërshtuar nga ndërkombëtarët.

Është fakt se ndërkombëtarët kanë një hezitim për procesin e vettingut, sidomos kur para vetes kanë modelin problematik të Shqipërisë, ku janë konstatuar ngecje të mëdha. Në këtë pikë dilemat se cili model duhet të ndiqet dhe cili duhet të jetë vendimi për të ardhmen e sistemit, janë rritur.

Në raportin e fundit ishte konstatuar se “Vettingu duhet të vijë në konsideratë me rastin e shterimit të të gjitha mjeteve dhe mekanizmave ekzistuese për ruajtjen e integritetit të gjyqtarëve e prokurorëve”.

I njëjti konstaton se në rast se institucionet e vendit dëshirojnë të procedojnë tutje me këtë proces duhet të sigurohen që fillimisht procesi të jetë i ndërtuar në përputhje me standardet evropiane, ndërkombëtare, po ashtu edhe me këshillat e Komisionit të Venecias.

Sistemi i pastruar në vitin 2010-të synonte të ndërtonte një gjyqësor të pastër ku integriteti është i kontrolluar nga vet sistemi. Ndërsa të dhënat tregojnë që procesi pasues, disiplinimi për shkeljet e ligjit dhe etikës nuk pati rezultate dhe si rrjedhojë sistemi u kthye sërish në krizë, pasi shumë shkelje nuk u trajtuan.

Një proces tjetër i cili nuk pati sukses ishte vlerësimi i performancës së gjyqtarëve dhe prokurorëve. Asnjë nga gjykatësit dhe prokurorët nuk u largua nga puna, apo nuk u ul në pozitë për shkak të performancës së dobët.

Argumenti i shënuar në Raportin e Progresit, se të gjitha mekanizmat duhet të shfrytëzuar para vendimmarrjes, ka një përgjigje të qartë. Të gjitha mekanizmat janë testuar, por pa sukses.

Dilema tjetër e ngritur nga Raporti i Progresit është përputhshmëria e procesit me Kushtetutën dhe legjislacionin e EU-së. Ky problem tashmë ka zgjidhje nga grupi punues i cili është duke hartuar amendamentet kushtetuese dhe pakon ligjore për vettingun.

Në planin për hartimin e legjislacionit janë paraparë hapa që do garantojnë që procesi të jetë në rregull në këtë pikë. Amandamentet e Kushtetutës dhe ligjet do dërgohen paraprakisht për kontroll në Gjykatën Kushtetuese dhe në Komisionin e Venecias për të parë nëse janë në rregull me standardet e njohura ndërkombëtarisht.

Një situatë e tillë synon të shmangë çdo mundësi që procesi të jetë antikushtetues dhe kundër standardeve të njohura ndërkombëtarisht. Në mes të këtyre dilemave problemi kryesor vazhdon të jetë garantimi i kredibilitetit të procesit.

Në koncept-dokumentin për vetting është paraparë që politika të mos ketë gisht në këtë proces pasi anëtarët do jenë të pavarur dhe qeveria nuk do ketë mundësi t`i ndikojë. Ndër dilemat kryesore të procesit ishte përkrahja politike për procesin.

Procesi i vettingut duhet të kalojë në Kuvendin e Kosovës me ⅔-at e votave të deputetëve të shumicës, e po ashtu ⅔-at e deputetëve të pakicave. Në deklaratat publike të ministres së drejtësisë Albulena Haxhiu kuptohet se kjo përkrahje nuk është siguruar.

Përkrahja nga Lista Serbe po ashtu mund të jetë problematike për procesin, pasi pa votën e tyre procesi nuk do mund të ecën përpara. Probleme të tjera të cilat përmenden në leximin e parë të dokumentit strategjik të qeverisë janë edhe mungesa e gjithëpërfshirjes në vetting.

Në nisje të promovimit të procesit, Qeveria Kurti kishte përmendur vetting të të gjitha mekanizmave të sundimit të ligjit, ku përfshihen policia, stafi civil e shërbimi i burgjeve. Mirëpo, këto komponenta janë lënë jashtë procesit me premtimin se të njëjtat do futen më vonë.